in

Testamenti

 

-Ata po e lypin vorrin e mbretit tonë, – se kush foli nga turma, ndërsa punëtorët bënin përpjekje të hiqnin kapakun e një varri të tipit të sarkofagut. 

– Nuk asht e mundun, ata janë të kshtenë, s’duhet të çvarrosin të kshtenet,- psherëtiu një qytetar.

-Mos do t’i hedhin eshtrat në Dri si turqit, – fliste shoku i tij pranë. 

– I shitoftë reja! – tha një tjetër.

Turma u acarua.

-Të tanë janë të njajtë, varrosin e çvarrosin në tokën tonë si t’ua kishte falë tata.

– Shët se togeri e kupton shqipen, – ia tërhoqi vërejtjen dikush, atij që mallkonte. 

Rojat austriake bënë gardh rreth varrit të hapur. Punëtorët shtrënguan pajimet duke e futur dikush një hekur, dikush një qysqi në mes të kapakut e arkëmortit. Gërvima ua cingëriste nervat. Pos punëtorëve që dihatnin, ndërsa e shtynin kapakun, të tjerët shihnin të shtangur. Çfarë do t’u pillte nga ai varr i mistershëm.

Ashtu sikurse e paralajmëronte kronika e margjinave të librit, varri doli i zbrazët e i frikshëm. Pa asnjë kockë brenda tij, pllaka e lëmuar as pluhur nuk kishte. Punëtorët të skuqur nga vapa e fundgushtit e nga mundimi i hapjes së varrit me kapak të rëndë, mezi ngopeshin ajër. Zgori i varrit i këndelli befas, mund t’i përpinte. Ashtu i dukej Kolës, punëtorit më të ri që zbriti nga katundi për të punuar ca ditë. Ai pati marramendje. Sikur mos ta mbante shoku i tij pranë, do të binte në varrin e zbrazët. Prapa veshëve që i ushtonin dëgjoi klithmën e dikujt, kur i rrëshqiti këmba.

-Vorri i lëkundun lyp haraç! – tha dikush me zemërim.

Askush nuk u kthye të shihte kush foli. Togeri i largoi kureshtarët e punëtorët, duke u afruar buzë varrit. Gjysmën e trupit e futi brenda, shihte në zbrazësi dhe nuk donte të besonte se dy muaj punoi kot. Varri nuk e kishte askënd brenda. Ne të nuk ishte varrosur kurrë askush.

“Mos e hapa varrin mashtrues, ndërsa trupin e  bartën gjetiu”, i shkrepi në kokë dyshimi që e brente kohën e fundit. Shikoi anash e lart, sikur kërkonte ndihmën e dikujt, kërkonte sqarime nga dikush, por nuk e dinte nga kush. Dikur më  shkrepi. Togeri më kërkonte mua, ndërsa nuk më pikasi në turmë.

Më vonë kur e kujtoja këtë imazh, nuk më shqitej nga mendja fytyra e togerit në formë pikëpyetjeje.

“Testamenti? Ku është testamenti, nëse nuk është në varrin e tij? Kronikat në arkiva flisnin për një testament”, m’u duk se thoshin sytë e toger Hansit, ndërsa më shikonin për se kithi si ta kërkonte përgjigjen nga unë. Punëtorët e ndihmësi i tij vazhdonin të merreshin me varrin, ai shihte herë nga unë herë në zbrazësi.

Testamenti ishte fshehtësia tjetër e madhe që lidhej me Gjergj Kastriotin dhe varrimin e tij. Testamenti u bë objekt përflitesh, pëshpërimash, pikëpyetjesh, dyshimesh, në oborrin e mbretit nga bashkëpunëtorët e tij. Pikëpyetje enigmatike u bënë nga princat shqiptarë. Secili syresh priste testamentin dhe shpresonte ta merrte skeptrin, t’u printe shqiptarëve, por edhe të kurorëzohej  mbret nga Papa.

Testamentin kërkonin ta dinin në Pallatin e Bosforit, donin ta dinin princërit e mbretërit evropianë. Me kë do të bënin aleanca e me kë do të përballeshin? Testamentin kërkonin ta dinin princat e vegjël të qyteteve italiane e Republika e Venedikut. Ata kishin zotërime në fqinjësi, druanin se më nuk do t’i kishin po u armiqësuan me arbërorët, sepse me turqit asnjëherë nuk ishin mirë, pavarësisht marrëdhënieve tregtare e mirësjelljes diplomatike. Asnjëra palë nuk e besonte tjetrën, ndërkaq letrat diplomatike i sheqerosnin me mjaltë e sherbet bakllavaje.

Po ta dinte përmbajtjen e testamentit Republika e Venedikut do të përcaktohej sesi të planifikonte a të bënte ujdi me turqit, duke i mbajtur afër arbërorët. Diplomacia e arbërorëve qe gjithnjë disi e prerë: ose me ne, ose me ata, meqë nuk kishin kohë për mëdyshje e diplomaci të pasigurta të dinakërisë venedikase.

Testamenti i Skënderbeut u fuqizua edhe më kur qytetet e Arbërisë nisën të binin nën pushtimin turk, njëri pas tjetrit. Çështja kush ishte trashëgimtar i organizimit të kryengritjes së përgjithshme – djali  Gjergjit – Gjoni apo nipërit (Athua pati konflikte në mes të trashëgimtarëve të Skënderbeut  se kush do të quhej zot i Shqipërisë?), cili oborr mbretëror e mbështeste njërin e cili tjetrin? Çfarë ofronte njëri princ e çfarë tjetri? Po Papa ku ishte në këtë piramidë?

Që në fillim i thashë togerit se testamenti më parë se në Vatikan s’mund të ishte askund tjetër. Mund të ishin ruajtur dy testamente të njëjta në vende të ndryshme. Testamenti nuk u bë mollë grindjeje për pjesën e Arbërisë që i rezistoi pushtuesit. Luftën e vazhdoi princi, Lekë Dukagjini, me zotërit e tjerë të Arbërisë. Testamenti mbetej tundim edhe për këtë arkeolog ushtarak, që zbriti në Lezhë për të gjetur varrin e heroit tonë, por e kërkonte edhe testamentin të cilin e vlerësonte po si ndonjë talisman të shenjtë që do t’i çpështillte shumë enigma historike e aktuale.

Shteti i tij qëndronte prapa pavarësisë sonë, madje qe faktori vendimtar. Kë duhej ta mbështeste Vjena? Kujt duhej t’ia kthente shpinën? Testamenti më dilte para sysh. Mbase edhe për Austro-Hungarinë testamenti qe me shumë rëndësi, sepse, meqë mori rol prijatar në themelimin e shtetit të ri shqiptar, donte të gjente një arsyetim të ri për ta fuqizuar tutelën dhe për të caktuar një mbret shqiptar. Elita politike nuk i përmbushte shpresat për udhëheqje të mirëfilltë. A mund t’u ndihmonte testamenti? Pse shpresonin se testamenti duhej të ishte në katakombe, sepse ata kërkonin me ngulm edhe në kalimet e fshehta të kishës.

Ndërsa mendoja për testamentin, të cilin oficeri i zhgënjyer austriak nuk e gjeti, megjithëse shpresonte se do ta haste së bashku me eshtrat e Skënderbeut, para sysh më dilnin pamje të natës kur u shpall vdekja e Skënderbeut, ashtu sikurse i lexova në pergamenën e Bibliotekës. 

  Nesër: 

Vdekja e Gjergjit,  17 janar 1468 vjet pas Krishtit   

Lini një Përgjigje

Alexei Navalny në gjendje të rëndë/ Dyshime se po helmohet ngadalë në burg

MiIIosh KopiIiqi ishte shqiptar, serbët ia mbathën nga beteja kurse shqiptarët qëndruan deri në fund