Një tërmet i fortë ka lëkundur Italinë rreth orës 07:07 minuta. Sipas Ingv magnituda e tërmetit ka qenë 5.7 ballë dhe epiqendra në bregun e Pesaros në një thellësi prej 8 kilometrash.
Ndërsa më pas janë ndierë edhe nëntë lëkundje të tjera, ku më të fortat ishin 3.1, 3.4 dhe 4.0. Sipas “La Repubblica”, në zonën e Ankonës janë raportuar çarje në mure, ndërsa klinika “Villa Igea” është evakuuar. Ka pasur gjithashtu raporte për ashensorë të bllokuar dhe mbeturina të shpërndara në rrugë. Ndërkohë, që shumica e banorëve dolën të frikësuar nga shtëpitë e tyre.
Të gjitha ekipet e zjarrfikësve, veçanërisht në zonën e Pesaros, por edhe në Ankona, kanë dalë në terren për kontrolle dhe për të qetësuar njerëzit e tmerruar.
Në Ankona, trafiku hekurudhor u pezullua si masë paraprake për shkak të dyshimeve për dëmtim të binarëve. Shkollat u mbyllën në shumë qytete të Marche, duke filluar nga Pesaro.
Tërmeti gjithashtu është ndjerë edhe në Romë, Firence, Bolonja dhe në veri të Italisë, deri në Trentino.