in

Të emërtohet një shesh, institucion a rrugë “Luftëtarët e Shqipërisë Etnike”

 

 

 

Shkruan av.  Zanfir Kryeziu

Komunës së Gjakovës,: Propozim për inicimin e procedurave vendimmarrëse – ligjore për emërtimin e një institucioni të qytetit të Gjakovës apo e ndonjë sheshi/rruge me emrin “Luftëtarët e Shqipërisë Etnike”.

                                                                 

Kryetarit të komunës z. Ardian Gjini, kryesuesit të Kuvendit Komunal znj. Arbëresha Kuçi

I nderuari kryetar Ardian Gjini,

Siç jeni të informuar, Gjakova ishte një nga bazat më të fuqishme të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e vendit nga robëria shekullore e cila kontribuoi me një numër të madh udhëheqësish për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke filluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e udhëhequr nga Abdul Frashëri dhe luftëtarët e shumtë të cilëve u printe Sylejman Vokshi dhe Riza bej Kryeziu që bllokuan dhe vranë Maxharr Pashën për mosdorëzimin e Plavës e Gucisë Malit të Zi.

Sylejman Vokshi ishte një nga drejtuesit e Lidhjes dhe komandant ushtarak i forcave të saj.Ahmet Korenica, ishte njeri nga bashkëthemeluesit e LSHP. Lindi në Gjakovë,ku edhe shërbeu si kadi i kazasë.Ishte anëtar i Komitetit të Stambollit. Me Sylejman Vokshin themeluan degën e LSHP në Gjakovë. Gjakova ishte pikëmbështetje e Kuvendit të Junikut në maj të vitit 1912, ku ishin të pranishëm Bajram Curri, Riza bej Gjakova dhe të tjerë nga paria e Gjakovës. Gjakova dhe luftëtarët e saj u shquan në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912. Luftëtarët e Gjakovës, të udhëhequr nga Riza bej Gjakova, firmëtarë i shpalljes së pavarësisë me 1912 në Vlorë,Bajran Curri, Bajram Daklani e të tjerë, morën pjesë në çlirimin e Shkupit dhe të trojeve të tjera etnike shqiptare. Ata bënë rezistencë të fortë ndaj depërtimit të ushtrive malazeze dhe serbe që hynë në Kosovë në tetor 1912. Është e njohur rezistenca e vazhdueshme e gjakovarëve kundër riokupimit serb dhe jugosllav më 1918.

Luftëtarët dhe prijës gjakovar pati Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku shquheshin: Hysni Curri, nënkryetar, Bajram Curri, Qazim Bakalli, Beqir Vokshi, Nimon Ferizi, Tahir Zajmi, Murat Gjakova, Ibrahim Fehmiu, Ibrahim Gjakova, Halim Jakova-Gostivari e ndonjë tjetër. Vlen gjithashtu të theksohet se dega më aktive e Komitetit MKK ka qenë ajo e Gjakovës. Një kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar dhanë padyshim intelektualët shqiptarë të shkolluar në vende të ndryshme europiane, të cilët, të ngritur me ide patriotizmi e humanizmi, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijes kombëtare.

Në mesin e shumë ideologëve dhe prijatareve ishte edhe albanologu i shquar Selman Riza, i cili haptazi veproi kundër nazifashizmit por edhe kundër idesë së kthimit të Kosovës në Serbi, pra në Mbretërinë e Jugosllavisë. Në vitin 1943, botoi një traktat me përmbajtje programore, që mund të përkufizohet si manifest i irredentizmit shqiptar dhe i luftës për bashkimin e shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë. Selman Riza së bashku me anëtarët e Komitetit Intelektual të Lidhjes së Dytë të Prizrenit botuan gazetën “Lidhja e Prizrenit”. Një intelektual tjetër me origjinë nga Gjakova që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe të veprimtarisë atdhetare, është edhe Dr. Xheladin Deda. Me këtë emër të propozuar të kësaj rruge emërtohet edhe prijësi i Tregut të Ri (Novi Pazarit) Aqif Blyta, gjakovar, i cili mbrojti emrin dhe etninë shqiptare në Tregun e Ri dhe në mbarë Sanxhakun, në mes të dy luftërave botërore e mbi të gjitha në vitet 1941 -1944. Për më tepër, ai ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë 1943-1944. Nga Gjakova erdhi një varg i gjatë luftëtarësh për Shqipërinë etnike, themeluesit e të cilëve i identifikojmë, krerët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe funksionarët e Qeverisë Shqiptare: Tahir Zajmi, Xhafer Deva, Aqif Blyta, nënkryetar, Musa Shehzade, atdhetar dhe titullar i fesë.Lindi në Gjakovë.Krahas veprimtarisë fetare ishte i përkushtuar edhe për çështjen kombëtare.Me një grup nacionalistesh, formuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Për shkak të veprimtarisë së tij politike u ekzekutue pa gjyq nga OZNA me 28 Nëntor 1945. Hasan Dashi, Halim Spahija, Sokol Dobroshi, Dr.Rexhep Krasniqi, nënkryetar i Kongresit, Ibrahim Fehmiu, delegat dhe anëtar i redaksisë së gazetës “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, Bedri Gjinaj, sekretar, etj. Për Rexhep Krasniqin duhet shtuar se ai është shquar jo vetëm si mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, por edhe si nënkryetar i Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si studiues, si dhe veprimtar në Australi. Luftëtarë të Shqipërisë Etnike kanë qenë edhe drejtuesit shumë atdhetar të administratës dhe të formacioneve ushtarake e policore të Gjakovës, si Kryetari i Bashkisë, Sylejman Kryeziu dhe drejtues të tjerë të administratës dhe të strukturave të mbrojtjes së rendit, që kanë vepruar për jetësimin e Shqipërisë Etnike.

Lëvizja nacionaliste properëndimore e Kryezinjeve të Gjakovës e orientuar në mënyrë demokratike vepron gjithashtu me qendër në Gjakovë. Në krye ishin vëllezërit; Gani, Said dhe Hasan Kryeziu së bashku me nipin e tyre Dervish Kryeziun, profesor dhe sekretar i Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë i vrarë nga UDBA me 1951. Drejtues dhe komandant i forcave të ushtarake të “Lëvizjës Kryeziu” ishte Gani Kryeziu. Kjo lëvizje, e mbështetur edhe nga aleatët Anglo-amerikan, u angazhua për një Shqipëri etnike të bashkuar me Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare. Me origjinë nga Gjakova, ishte edhe luftëtari i pandalshëm i Shqipërisë etnike, kapiten Hysni Rudi. Ai ishte ushtari më i respektuar shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili me njësinë e tij të artilerisë ishte një mbrojtës shumë efektiv i kufijve dhe territoreve etnike në periudhën 1941-1944. Nga fundi i vitit 1945 ishte aktiv në Lëvizjen Nacional Demokratike dhe anëtar i KQ të kësaj organizate me qendër në Shkup me detyrë organizimin e Ushtrisë Demokratike Shqiptare, i cili u arrestua nga autoritetet jugosllave, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua.

Anëtar i Lëvizjes Nacional Demokratike dhe anëtar i Komitetit Qendror të kësaj organizate nga Shkupi dhe komandant i Ushtrisë Demokratike Shqiptare, si dhe luftëtar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ishte mësuesi dhe atdhetari i çmuar Haki Taha, me propozimin e të cilit në vitin 1941 u hap dega e shkollës normale në Gjakovë. Haki Taha, asnjëherë nuk u pajtua me robërinë e atdheut. Në mars të vitit 1945, vrau sekretarin e Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovën, Milladin Popoviqin, si organizatori i formimit të PKSH-së dhe mbetjes së Kosovës nën Serbi.Gjakovarët luajtën një rol të veçantë në riorganizimin e Komitetit Irredentist dhe shndërrimin e tij në një organizatë ilegale politike dhe ushtarake të quajtur Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSh) dhe zgjodhën Komitetin Qendror të saj (KQ) me qendër në Prizren. Kryetar i parë u zgjodh Halim Spahija nga Gjakova, i cili ishte një nga themeluesit e Organizatës së Lëvizjes Demokratike të Shqipërisë dhe Komitetit Qendror të saj me seli në Prizren. Pas luftës ai iu bashkua organeve qeveritare, duke shpresuar se prej andej do të mund të kontribuonte në realizimin e aspiratave të Shqipërisë etnike. Nga kjo pozitë, në Konferencën e Këshillave Popullore të Rretheve të Kosovës, të mbajtur nga 19 deri më 24 mars 1945, ai kundërshtoi aneksimin e Kosovës nga Serbia. Disa ditë më vonë, pikërisht më 4 prill të po atij viti, si delegat i shqiptarëve, në takim me Titon, ai paraqiti kërkesën për zbatimin e vendimeve të Rezolutës së Bujanit. Për angazhimin e tij patriotik dënohet me vdekje dhe pushkatohet. Në Gjakovë, në pranverë të vitit 1945, dr.Sylejman Lleshi formoi komitetin ONDSh të rrethit të Gjakovës. Ky komitet u bë vazhdimësi e veprimtarisë atdhetare të Sylejman Kryeziut, Paulina Shestanit, Haki Tahës, Gjergj Martinit. Po ashtu, Sylejman Lleshi formoi edhe komitetin në Ponoshec me 7 anëtarë me kryetar Zenun Komonin. Krahas këtij, në Gjakovë vepronte një komision tjetër, kryetar i të cilit ishte Mazllum Cana, ndërsa në përbërje të tij ishin Zef Nekaj i Shkodrës, Skënder Curri, Hilmi Dyla, Hilmi Kryeziu, Nevruz Nura Nysret Zeka,Myrteza Kryeziu etj.

Nga fillimi i qershorit 1945 Komiteti Qendror i ONDSh-së u kompletua me seli në Prizren, por shtylla e Komitetit ishte dhe mbeti Halim Spahija. Kishte edhe veprimtarë shumë të guximshëm nga Gjakova, organizata ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin amë”, e formuar me nxitjen e veprimtarëve të LNDSh-së, të udhëhequr nga Metush Krasniqi. ku u dallua nga Gjakova Mark Merturi. LNDSh ishte bartësi kryesor i LKSH-së në vitet e para të regjimit komunist jugosllav në Kosovë dhe në vende të tjera etnike shqiptare. Platforma e saj programore do të shërbejë si bazë e fuqishme për Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera me popullsi shqiptare. Me gjithë përpjekjet dhe sakrificat e nacionaldemokratëve për realizimin e idealit të tyre, fatkeqësisht edhe kësaj radhe nuk patën mbështetjen e fuqive të mëdha, sidomos të Britanisë së Madhe, interesi gjeostrategjik i së cilës në atë kohë ishte i fiksuar qartë. Pra, Britania e Madhe ishte më e interesuar të merrte kontrollin e një Jugosllavie shumë herë më të madhe se sa ishte Shqipëria e Vogël. Personalitete të shquara që punuan për shqipëri etnike ishin edhe Bajram Zeka, mësuesi i devotshëm, i cili u burgos dhe vuajti dënime të rënda në Goli Otok, vëlla e motër, Xheladin dhe Hyrije Hana. Xheladin Hana ishte mësues, gazetar, veprimtar i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, i vrarë nga UDB-ja në vitin 1948. Hyrija ishte veprimtare, spikere dhe aktore teatri, anëtare e organizatës “Lëvizja për Liri dhe Bashkim Kombëtar” për të cilën ishte e burgosur. Mësuesi Kadri Kusari ishte veprimtar dhe patriot, i cili u burgos për shkak të veprimtarisë së tij ilegale në Organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.

Përfundim: Me sa u tha më sipër, mund të themi sinqerisht se qyteti i Gjakovës,si djepi i nacionalizmit shqiptar meriton një sheshe apo rrugë me emër të karakterit kombëtar, që ka të bëjë edhe me sheshin/rrugën e propozuar “Luftëtarët e Shqipërisë Etnike”.Pasi që Gjakova ka qenë gjithmonë bastion i fuqishëm i nacionalizmit dhe i luftës për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike. Për këtë arsye Gjakova gjatë historisë ka pasur shumë viktima, por edhe luftëtarë, patriotë e intelektualë të shquar.

Emërtimi i një sheshi apo rruge në Gjakovë i bënë nderë jo vetëm qytetit por edhe juve si kryetar aktual i Gjakovës.

Konsulentët shkencor për narracionit historik

Prof.dr.Muhamet Shatri

Prof dr.Jahja Drançolli

Av.Zanfir Kryeziu

Njohësi i Trumpit zbulon: Ai nuk ka asgjë për të humbur – pikërisht kështu i udhëheqë edhe SHBA-të