Nga Dode Progni
Gani Kryeziu ka ma se 200-300 vetë të armatosun mirë me mitraloza të rëndë e të lehtë e si qëndër ka “Majen e Dobrejt”. – Sali Man Bajraktari ka si qendër katundin Markaj të rajonit Krasniqe e ka ma se 60 forca të armatosura mirë.
Me 3 dhjetor 1943,Hasan Kryeziu takohet me oficerin e misionit britanik në Shqipëri,majorin Peter Kemp ,në shtëpinë e Mehmet Ali Bajraktarit të Hasit ku diskutuan për problemet e ndryshme të luftës antifashiste dhe ranë dakort që së bashku të ndërmerrnin një mision të posaçëm në Kosovë, për njohjen e mundësive të organizimit të rezistencës së armatosur kundër gjermanëve me element shqiptarë të Kosovës. Me Kempin dhe H.Kryeziun u takuan dhe dy nga udhëheqësit e grupimit irredentist të Kosovës;Selman Riza dhe Ejup Binaku që të dy nga Gjakova.Këta i premtuan Kempit se do ta mbështetnin gjatë udhëtimit tij në Kosovë dhe se do të formonin një çetë luftëtarësh me mbi 200 vetë e cila fillimisht do të sherbente si mbrojtëse e misionit ushtarak britanik gjatë udhëtimit të tij në Kosovë, dhe më pas do të vazhdonte luftën kundër nazi-fashisteve.
Me 7 janar 1944, në Gjakovë,Petër Kemp dhe Hasan Kryeziu organizuan një konferencë me një pjesëmarrje të gjërë,ku ishin prezent; kryetari Bashkisë së Gjakovës,komandanti Ushtrisë shqiptare të Kosovës, Selman Riza etj. Aty u diskutua gjerë e gjatë për organizimin e rezistencës antifashiste nacionaliste në Kosovë. Selman Riza premtoi se do të pregatiste një aksion të menjëhershëm kundër gjermanëve, kurse komandanti i Ushtrisë Shqip- tare të Kosovës premtoi se do t’i furnizonte njerëzit e Selman Rizës me armë dhe instruktorë. 8) Dy udhetimet e Kempit me Hasan Kryeziun,në Gjakovë e Peje,me 15 – 17 dhjetor 1943,dhe 13 -22 janar 1944, ishin mjaft të suksesëshme.Ato sherbyen për njohjen e situatës së përgjithshme atje dhe për hartimin e një plani të detajuar të rezistences antifashiste nacionaliste në Kosovë.
Në këto momente të rëndësishme,kur për Lëvizjen Kryeziu ishin hapur horizonte e mundësi të reja për zgjeri- min e veprimtarisë antifashiste, rikthehen në krye të saj Gani e Said Kryeziu. Këta,së bashku me intelektualin e shquar, antifashistin dhe demokratin Llazar Fundo (Zoi Fundo), i cili u kthye bashkë me Kryezinjtë nga Ventotene ku kishte qëndruar dy vjet i internuar për veprimtari antifashiste,i dhanë lëvizjes përmasa të reja,si në planin ushtarak ashtu dhe në atë organizativ e politik. Gjatë vitit 1944,Lëvizja Kryeziu zgjerohet e thellohet,merr fizionominë e një force të plotë nacionaliste antifashiste të organizuar dhe të armatosur. Ajo merr përsiper e kryen veprime luftarake serioze kundër nazifashitëve. Gani e Said Kryeziu dhe Zoi Fundo, që kryente detyrën e kryekëshilltarit politik në forcat e Kryeziut,pasi hynë në lidhje me P.Kempin, me 22 janar 1944, kaluan nga Gjakova në Bytyç të Malësisë së Gjakovës. Fillimisht u vendosen në shtëpinë e Halil Hoxhës të Bregut të Pacit ku ishin grumbulluar qindra vetë për t’u uruar mirëse- ardhjën. Në Berishë e Degë, të kësaj krahine, kontaktojnë me pjestarët e misionit ushtarak britanik si Andi Hendëz, Reginald Hibbert, Toni Nil, Xhon Hiberdin etj. “Gani Kryeziu, siç ka theksuar P.Kemp në librin e tij “Pa grada pa shenja dalluese”,Londër 1958,-kishte ndërmend të vinte gjithë energjitë dhe talentin e tij në sherbim të luftës, Gani Kryeziu,shton ai,- qe i vetmi njeri në këto anë të Shqipërisë që deshironte me të vertetë të luftojë kundër gjermanëve dhe që e ka guximin e mundësinë për ta bërë këtë gjë, i vetmi njeri që mundë të ngrejë kosovarët në luftë.” 9)
Ndërsa Reginal Hibbert (një tjetër oficer i misionit britanik në Shqipëri),në librin e tij “Fitore e Hidhur” ka theksuar se,”Vëllezërit Kryeziu,Ganiu,Saidi dhe Hasani, ishin të vetmit nacionalistë në Shqipërinë e kohës së luftës, që ishin kapur me gjithë zemër pas idesë, për të ndërtuar Shqipërinë e ardhshme duke luftuar kundër gjermanëve.” 10) Të njetën konsidertë kishte për Gani Kryeziun edhe Zyra e Sherbimeve Strategjike Amerikane e cila theksonte se, “Në Kosovë figura më e shquar politike është Gani Kryeziu i cili lidhet ngusht me vëllain e tij Saidin. Ganiu është pro anglez,njeri i aftë dhe i zgjuar. Ai mundë të bëjë shumë për aleatët sepse ka shumë influence,dhe është një ndër ata pak njerëz që mundë të arrijë në krijimin e një fronti të përbashkët në Kosovë,kundër gjermanëve.” 11)
Kjo gadishmeri dhe vizioni i qartë që kishin Kryezinjtë për luftën antifashiste u bënë faktori vendimtar për të fituar simpatinë e mbështetjen e sinqertë të aleatëve britanikë. Me 24 – 25 janar 1944,në fshatin Pac të krahinës së Bytyçit,shtabi i forcave të Kryeziut së bashku me Peter Kempin,hartuan planin e detajuar të kryengritjes së përgjithshme antifashiste në Kosovë.
I entusiazmuar nga mirkuptimi me Kryezinjtë P.Kemp,me 24 janar 1944, i dërgon telegram Komandës së Forcave Aleate në Kajro,me të cilin kërkonte furnizime për forcat e Kryeziut,dhe ju deklaron se,”Tani kemi nje aleat të mrekullueshem (formidablle) në fushen e betejes … Me këta aleatë,- shton ai,- shanset tona për të organizuar një luftë rezistence në Kosovë u rritën pa masë.”12) Në këto momente,kur Kosova po e ndjente të afërt shpërthimin e kryengritje antifashiste të udhëhequr nga nacionalistët Kryezinjë, shfaqet i pacipe inati dhe xhelozia e komunisëve kosovarë dhe atyre serbosllavë.
Shtabi i Kosmetit ish revoltuar për vizitën e Kempit dhe Hasan Kryeziut në Kosovë,e cila qe bërë pa miratimin e pa shoqërimin e partizanëve. Këtë veprim,ata e quajtën “sfidë” dhe kërcënuan misionarët anglezë se do t’i raportonin tek Titoja. Vetëm 3-4 ditë më pas ata i kishin raportuar Titos, prandaj Kempi merr ultimatum nga Kajro: “Kemp. Duhet të shkëpus me takt të gjtha kontaktet me Kryezinjtë dhe iredentistët, pasi aktivitetet e Kempit në Kosovë po shkaktonin përshtypje jo favorizuese në rradhet e partizanëve të Titos…Marrëdhënjet tona me partizanët jugosllavë janë të një rëndësie të dorës së parë.” 13) Këtej del fare e qartë se kërcënimi i Mehmet dhe Fadil Hoxhës, udhëheqës të Shtabit të Kosmetit,kish qenë tepër serioz e inatçi,ndaj kishte dhënë efekt kaq të shpejtë. Ata, së bashku me Titon, në mënyrë krejt të pa arsyeshme i than “ndal!” kryengritjes antifashiste në Kosovë.E kjo ndodhi pikërisht në çastin kur Kryezinjtë të përkrahur nga vetë britanikët dhe në bashkëpunim me ta kishin rrokur armët për luftë antifashiste në favor të aleatëve. Shtabi aleat i Kajros,me kërkesën e Titos, urdhëroi braktisjen e Kryezinjve.” Kjo,siç ka theksuar me indinjatë P.Kemp, nuk ishte vetëm një gjë e ulët,por dhe e trashë (foolish=idiotllek),e bëhej për të kënaqur Fadil e Mehmet Hoxhën dhe një tufë zuzarësh intrigantë.” 14)
Megjithëkëtë, Kryezinjtë nuk hoqën dorë nga lufta antifashte dhe synimi për një kryengritje të përgjithshme në Kosovë. Të përqëndruar në Bytyҫ të Malësisë së Gjakovës,ata bënë organizimin e forcave të tyre me luftëtarë të zotë,patriotë dhe antifashistë të njohur,nga Kosova,Bytyҫi, Gashi, Krasniqja, Nikaj – Merturi dhe Hasi. Që nga 13 shkurti 1944,kur “…një fuqi ushtarake gjermane kaloj qafën e Prushit më drejtim për në Bytyҫ” për të shuar qëndresën e atmatosur të forcave partizane komuniste dhe nacionaliete në Malësinë e Gjakovës e deri 19 shtator 1944,forcat e Kryeziut u ndeshën herë pas here me forcat nazifashiste.Veҫanarisht gjatë muajit qershor 1944,në datat 8,14,17,18,20 të këti muaji,forcat e Kryeziut zhvilluan luftime të ashpëra kundër gjermanëve duke u shkaktuar atyre shumë të vrarë dhe të plagosur. 15) Në një raport të Komandës së gjindarmërisë shqiptare të qarkut Kukës, dërguar Komandës së Përgjithëshme të Gjindërmërisë në Tiranë, me 17 qershor 1944, thuhet se në Malësinë e Gjakovës (N/Prefktura e Tropojës ) “…Si qendra të ҫetave komuniste kan këto vende,dhe sasia e tyre aproksimativisht përbëhet kështu: I – Gani Kryeziu ka ma se 200-300 vetë të armatosun mirë me mitraloza të rëndë e të lehtë e si qëndër ka “Majen e Dobrejt”. II – Sali Man Bajraktari ka si qendër katundin Markaj të rajonit Krasniqe e ka ma se 60 forca të armatosura mirë.
III – Fadil Hoxha e Mehmet Hoxha,kane si qendër Valbonën,rajon i postkomandës Dragobisë të armatosun mirë me mitraloza të rënda e të lehta… kan si fuqi ma se 60 veta…16) Ndërsa me dt.21.06.1944 N/Prefektura e Tropojës,me një telegram “tepër urgjent”,njoftonte MPB në Tiranë se,” Në rrethin e kësaj N/Prefekture janë grumbullue një sasi e madhe ҫetash partizane e komuniste të kryesueme prej Gani Kryeziut me qendër në Bytyҫ,por me fuqinë ushtarake që kemi nuk mund t’i përballojmë këtyre ҫetave…Lutemi dispononi për dërgimin e një fuqie ushtarake të jashëzakonshme përkitazi 3000 vetë…” 17)
vijon