in

Tahiri për ambasadën në Jerusalem: Ndër momentet më të rëndësishme në shtet-ndërtimin e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh Ministër në Detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, z. Besnik Tahiri, të dielën, në një konferencë për medie të organizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka shpalosur qendrimin e shtetit të Kosovës me rastin e hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit, në Jeruzalem.  Kryediplomati Tahiri e bëri të ditur që në fillim se ky qendrim nuk lidhet me ndryshim qeverish, është qëndrim shtetëror, dhe se të gjitha palët e kanë të qartë se njohja prej Shtetit të Izraelit dhe hapja e Ambasadës në Jeruzalem është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vitet e fundit. Më 4 shtator 2020, është nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Trump dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Brenda Marrëveshjes është përfshirë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.  “Me arritjen e kësaj Marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka dhënë zotimin para Qeverisë së Izraelit dhe asaj Amerikane se do ta hapë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jeruzalem” tha Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri. Më 1 shkurt 2021, Republika e Kosovës dhe Shteti i Izraelit, përmes një ceremonie solemne (virtuale) nënshkruan Marrëveshjen për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike.

Menjëherë pas vendosjes marrëdhënieve diplomatike, Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi ka zbuluar edhe pllakën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, me seli në Jeruzalem.Zëvendëskryeministri Tahiri tha se lidhja e këtyre marrëdhënieve diplomatike është realizuar pas shumë konsultimesh me Qeverinë e Izraelit, me Administratën Trump dhe me Administratën e re Biden.

Lini një Përgjigje

"Vaksina Astrazeneca është e sigurt": Italia rifillon sërish vaksinimin pasi tre ushtarë vdiqën

Abdixhiku: Kryesia e re vendos nëse do ta mbështesim Osmanin për presidente