in

Sulmi me armë zjarri ndaj besimtarëve në kishën katolike në Stamboll

Ministri i Brendshëm turk, Ali Gerlikaya ka njoftuar se janë vënë në pranga dy persona si autorë të dyshuar për sulmin e përgjakshëm në kishën katolike Santa Maria në Stamboll, ku ndërroi jetë edhe një person.

Në reagimin e tij, Gerlikaya i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, i idenifikuar si Tuncer Cihan.

“Sot në mëngjes janë arrestuar dy të dyshuar për vrasje, të cilët shkaktuan vdekjen e shtetasit tonë Tuncer Cihan në lagjen Sariger të Stambollit gjatë shërbesës së së dielës në kishën Santa Maria. Përgëzoj Policinë e Stambollit dhe oficerët tanë heroikë që gjurmuan dhe arrestuan autorët. I shpreh edhe një herë ngushëllimet e mia familjes dhe të afërmve të qytetarit tonë që humbi jetën”, ka shkruar ai.

Po ashtu, në mediat turke është publikuar një video-dokument nga momenti i të shtënave brenda kishës katolike.

Siç shihet edhe nga  pamjet, dy autorët hyjnë në kishë ndërkohë që dhjetëra besimtarë po marrin pjesë në shërbimin e së dielës.

Ata fillojnë të qëllojnë dhe vrasin një burrë, ndërsa qytetarët e tjerë bien në dysheme për të shpëtuar veten.

Duke folur për gazetarët, Kryetari i Bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu ngushëlloi familjen e viktimës dhe ofroi mbështetjen e tij për pakicat fetare në qytet.

Në komentet për publikun në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën, Papa Françesku tha se i qëndron pranë komunitetit të kishës së Stambollit.

Duke folur për “Associated Press”, nipi i viktimës e identifikoi personin që humbi jetën si Tuncer Cihan. Ai vuri në dukje se objektivi ishte kisha dhe jo xhaxhai i tij.

Kisha drejtohet nga një urdhër italian i fretërve françeskanë. Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se ministria e tij po ndiqte situatën së bashku me ambasadën italiane në Ankara dhe konsullatën në Stamboll.

“Shpreh ngushëllimet e mia dhe dënoj me forcë sulmin e rëndë ndaj kishës Santa Maria”, shkruante zoti Tajani në rrjetin social X. Ai shtoi se ishte i sigurt se autoritetet turke do t’i arrestonin përgjegjësit./VOA.

Lini një Përgjigje

Trump ende mund të ndalet

Droni që vrau ushtarët amerikanë në Jordani u ngatërrua me një dron amerikan