Fehmi Cakolli
I uroj secilës familje shqiptare, sidomos në Kosovë, atyre që vazhdojnë ta shënojnë në çfarëdo mënyre ose ta kujtojnë festën e Shëngjergjit apo siç thuhet në popull Shingjergji. Kjo datë, pra 6 maji, neve na përkujton njëherit edhe lindjen e Gjergj Kastriotit, kryeheroit tonë. Dita e 6 Majit është festa se e kaluam dimrin dhe po hyjmë shëndosh e mirë në verë. Kësaj here kjo ka domethënie më të madhe sesa më përpara.
Sipas tradites Shëngjergji besohet se eshte festa e vrasjes se dragoit. Secili i krishterë e di këtë besim profetik se e keqja do të humb dhe do të fitojë e mira, drita.
Kujtoj si fëmijë se për Shëngjergj organizohej takime kudo nëper fshatra por një takim i madh për gjithë malësinë e Gallapit bëhej në Novobërdë e ku merrnin pjesë përreth kalasë me mijëra veta. Tubim tjeter i madh bëhej te Lerthat në fshatin Rahovice e Gregjenik. Numri i tyre arrinte nga 5000-10,000 njerëz. Bëheshin lojëra të shumta popullore, valle, muzikë, shitblerje. Ishte festë. Populli ngazëllohej duke u takuar në natyrë të hapur. Ishte një cikël jete. Ishte një orar. Ishte një rutinë. Ishte një ritual. Ishte një besim për ta.
Shëngjergji për ne ishte ngjarje e dashur dhe e pritshme pasi si fëmijë kalonim kohë të paharruara nëpër “hulaqa” dhe shijet e ushqimeve të veçanta ishin të lezetshme duke dominuar flija. Gjumi na prishej herët ne mengjes nga nena me “ujin e bekuar” me hithi e gjethe tjera per shendet e te mbara. Në malësinë tonë nuk kishte shenjtor më të madh sesa Shën Gjergji.
Populli ka nevojë për festa. Populli ka nevojë që të mblidhet e ta ushtrojë lirshëm lirinë dhe kulturën e tij mijëravjeçare. Populli ka nevojë për tradita të mira dhe mos t’i harrojë.
Eh tash askush më nuk e lë popullin të kënaqet vetë pasi secili e tërheq vetëm atje ku ata duan.