Autori mundohet ta mbajë mirë sensin e masës në strukturë dhe këtë e shikon në vëzhgimin e parë me vendasit deri në fund, kur kolonëve të tjerë, të kohëve të reja, do u kërkohet të zenë vendin. Mehmeti qysh në fillim sjell një element shumë interesant që lidhet me përballjen e shqiptarëve dhe kjo përbën një nga gjërat më interesante në roman: sesi përcillen nga fqinjët kolonë sllavë, vendasit shqiptarë. Kolonët janë shteti por edhe shqiptarët janë pjesë e shtetit, po ata pse janë vallë kështu? “Fytyrat e topitura të vendasve i hutuan, sikur ua shuan entuziazmin; nuk e kapnin nëse kishte urrejtje prapa atyre syve të shpërqendruar, që u shmangeshin shikimit, apo kishte topitje ndjenjash dhe ftohtësi karakteri”. Dhe sërish makthi, që përcjell fryma e gjyshit, i cili mundohet t’i paralajmërojë me fatin e tij: “Kujdes, ata janë gati. Do të na vrasin!”. E gjithë shtëpia mundohet ta konfuzojë personazhin tonë, që në shumë momente nuk mendon si fëmijë, por si i rritur. Por nuk janë vetëm shqiptarët. Njësoj të urryer janë dhe boshnjakët, ngaqë janë myslimanë apo madje edhe kroatët, që grupi i kolonëve i etiketon si ustashë, me një stereotip që nuk mund t’i shkojë të gjithë njerëzve. E gjithë shoqëria e kolonëve krijon një gjendje aparteidi dhe secili nga ata përbën një lloj tipi kundër shqiptarëve, sipas mënyrës së tij.
Pjesa e fëmijërisë merr dhe pjesën më të madhe dhe është pjesa e parë e metamorfozës së personazhit, që përshfaq një segment shumë të dhimbshëm të sjelljes së tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës. Të dy palët nuk është se janë mosbesues, ata e shikojnë njëri-tjetrin sikur të jenë ngjyra të tjera. Urrejtja nuk ka cak. Kurse simbolika e gjakut te rrobat e të atit, zbulon të vërtetën e asaj që bëhet këtu, por edhe fillimin e perceptimit të birit për fajësinë e përbashkët me shqiptarët.
Diferencën dhe ngritjen e narracionit, në një regjistër të ri, do e bëjë miku i tij që përbën edhe linjën e dytë më të mbyllur të veprës. Dukagjini përfaqëson birin e një familjeje intelektuale shqiptarësh dhe personazhi ynë do të mësojë përmes miqësisë me të, sesi janë shqiptarët e tjerë. Edhe vetë kolonët kanë perceptim tjetër dhe kompleks për këtë familje…Ndarja gjithsesi është aty në mentalitet dhe nuk është thjesht mentale, por edhe protokollare. Shëtitja tradicionale vazhdon në mbrëmje, ku në anën e djathtë të trotuarit qëndrojnë shqiptarët kurse në anën e majtë janë serbët. Në qendër banon paria, ku janë oficerët e luftës, shefat e policisë dhe administrata. Po ata bëjnë diferencën, por edhe tregojnë paraqitjen e vërtetë të statusit të kolonëve. Tek e fundit, gjërat duhet të ndahen: shqiptarët janë vendas dhe vërtetë me probleme, por kolonët janë disi ordinerë dhe kështu shihen edhe nga vetë bashkëqytetarët e tyre serbë, si mish i huaj.