Shtabi emergjent komunal në Malishevë, sot në mëngjes e ka shqyrtuar situatën e ditëve të fundit, ku si pasojë e vërshimeve dhe përmbytjeve, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Shtabi emergjent e ka vlerësuar si tejet të rënduar gjendjen në terren.
Disa rrugë dhe ura janë mbuluar nga uji, ndërsa ka dëme të konsiderueshme në sektorin e biznesit privat, pasi uji ka depërtuar në disa lokale afariste në qytetin e Malishevës dhe në vendbanime tjera, e po ashtu uji ka depërtuar edhe në disa shtëpi private.
Si rezultat i kësaj situate, ka kërkesa për evakuime dhe strehim të përkohshëm të familjeve.
Të gjitha ekipet emergjente dhe të sigurisë janë në terren, duke u marrë me situatën, ndërsa shtabi emergjent ka vendosur edhe për mobilizimin e vullnetarëve dhe shtimin e kapaciteteve për reagim.