Nga Sherif Ramabaja
Me sulmet terroriste në qendrën World Trade Centers më 2001 në New York, është thënë se bota nuk do të jetë ajo, e cila ishte deri më sot.
Po ashtu me agresionin e Rusisë mbi Ukrainën këtë vit, njësoj thuhet se Evropa, bota dhe rendi botëror nuk do të jenë ashtu siç ishin deri më sot.
Ndoshta pyetja më interesante për ne do të ishte: si po ndikojnë këto ngjarje te shqiptarët?
Për fat të mirë shqiptarët në këto dy raste janë radhitur ashtu siç do të duhej, por a mjafton kjo që të ecin në hap me kohën dhe të tjerët.
Klasa politike si në Shqipëri, Kosovë, Luginë e Maqedoni është e përqarë, apo e elektrizuar për ta luftuar njëri – tjetrin deri në asgjësim.
Kjo lloj sjellje politike nuk ka të bëjë aspak me vlera demokratike apo rivalitet të shëndoshë politik, por lirisht mund të krahasohet me një ekstremizëm të majtë ose të djathtë.
Në Luginë shqiptarët e kishin zotin Kamberi i cili me ngulm në parlamentin serb i mbronte interesat e shqiptarëve të Luginës e më gjërë, kurse tash në zgjedhjet e fundin me manipulimin e udhëheqjes serbe, u injorua dhe nuk arriti që të zgjidhej si deputet në parlamentin e Serbisë.
Ali Ahmeti qe 20 vite pa konkurrencë zgjidhet lider i popullit shqiptar në Maqedoni, që ta kujton, Ramën, Vuçiqin, Lukashenkon, Putinin etj. dhe kohën e enverizimit, së cilës i takon.
Në Kosovë Albin Kurti bëri kthesë dhe i fitoi zgjedhjet, por opozita pa zgjedhur mjete mundohet ta përmbysë nga pushteti, sepse njëzet vitet e “parajsës” së tyre përfunduan me turp, prandaj nuk mund ta marrin me mend që të mbeten në opozitë dhe t´i humbasin privilegjet.
Gjendja edhe më kaotike mbretëron në shtetin amë Shqipërinë, e cila assesi të gjej qetësi dhe të marshoj përpara.
Kryeministri Rama llogaritet se është i lidhur me krimin dhe pushtetin e tij autokrat e ka çimentuar, për të mbetur në pushtet në kohë të pakufizuar.
Rrethanat i ka të favorshme sepse opozita është e shtrirë për toke edhe me bekimin e Ramës. Të gjitha institucionet i ka pushtuar, kurse tash e zgjodhi presidentin sipas dëshirës dhe shijes së tij. Do zgjedhim president normal, tha Rama. Sipas tij del se Meta dhe të tjerët ishin anormal.
Mosmarrëveshjet dhe kontradiktat mes udhëheqësve shqiptar, mund të konsiderohen shumë të dëmshme në kohën e agresionit rus mbi Ukrainën, po edhe më e rrezikshme konsiderohet lidhja e Ramës me presidentin serb Vuçiq.
Autoriteti i Ramës tek shqiptarët, duke e përjashtuar partinë e tij PS, është baras me zero, kurse ky autoritet i tij në Serbi është në piedestal gjë që është për brengosje.
Kosova kur ndodhej e pushtuar, Serbia për udhëheqës të Kosovës emëronte shqiptarët „ e ndershëm “ që për shqiptarët s’ishin asgjë tjetër përpos tradhtar të kombit, kurse “çmoheshin” në Serbi, sepse punon për interesat e saj.
Në këtë rast e kemi situatën e njëjtë me Ramën. Në Kosovë cilësohet si një tradhtar, kurse në Serbi ngritet në qiell. Pse ? Ai duhet ta dijë këtë vetë.
Vuçiq këto ditë në media u paraqit se është i detyruar në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Një ditë më pas e nënshkruante marrëveshjen e gazit me Rusinë.
Ditët e fundit Vuçiq u inaugurua si president duke deklaruar se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, kurse më vonë deklaroi se këto ditë do t´i nënshkruaj dy marrëveshje me Kosovën.
Pra kjo është taktika e tij si ministër i propagandës së kriminelit Milosevic, një ditë flet si një sadist, e ditën tjetër sikur të ishte vetë engjëlli.
Rama po ashtu vepron sikurse të ishte kopja e Vuçiqit, kur shqiptarët janë të mbushur plot mllef ndaj tij, që po të kishin mundësi do ta shqyenin si leckën, ai deklaron se 20.000 vajza dhe gra në Kosovë janë përdhunuar gjatë agresionit serb të Kosovës.
Me një thënie të tillë Rama i huton një pjese të opinionit duke i nxitur të mendojnë, megjithatë ky nuk qenka tradhtar, kurse më pas haptas punon në favor të Serbisë, duke e dëmtuar çështjen nacionale.
Ai edhe gjatë vizitës në Beograd kishte kërkuar që Serbia duhet ta njoh Kosovën, në një rast kishte folur edhe për bashkim kombëtar, por kjo ishte e lidhur tërësisht me fushatën zgjedhore dhe në përmirësimin e imazhit të tij, ngase sintagma e tradhtarit, gjithnjë i qëndron mbi kokë.
Derisa EU dhe perëndimi janë bashkuar me rastin e agresionit rus ndaj Ukrainës, kjo nuk po vërehet tek shqiptarët. Përkundrazi ashpërsimi i luftës ndaj njëri – tjetrit ka ardhur duke u intensifikuar.