Aranit Muraçi
Shpopullimi i rajonit tonë, sipas vlerësimit të Kombeve të Bashkuara, nuk do të ndalet, përkundrazi, në fund të këtij shekulli secili shtet në rastin më të mirë do të ketë të paktën gjysmën e popullsisë që ka aktualisht. Popullsia e Shqipërisë do të shkojë në nivelin që kishte në vitin 1950, kur u ndërtua strategjia për trefishimin e saj, dhe arriti kulmin me rënien e regjimit komunist.
Në vitin 1950, Shqipëria numëronte 1.2 milionë banorë. Në vitin 2.100 është projektuar nga OKB që të ketë 1.1 milionë banorë. Në 150 vite (1950-2100), nga analiza që i është bërë popullsisë së secilit shtet anëtar nga Kombet e Bashkuara, fatkeqësisht rezulton se regjimi komunist në vend të shpopullimit, bëri të kundërtën e asaj që ka ndodhur në periudhat e tjera që kur ka nisur regjistrimi i popullsisë. Në fillim të viteve ’45, kur u instalua regjimi komunist, Shqipëria kishte afërsisht rreth 900 mijë banorë, 90 për qind e të cilëve ishin analfabetë.
Rritja e popullsisë, edhe pse shumica e tyre jetonte në varfëri ekstreme, ishte pjesë e politikave strategjike të regjimit të kaluar. Popullsia e Shqipërisë kulmin e shënoi në pesë vitet e fundit të regjimit komunist, duke shkuar për herë të parë që kur nisi regjistrimi i popullsisë mbi 3 milion banorë. Në vitin 1992, vit që shënoi rënien përfundimtare të regjimit, popullsia e Shqipërisë shkoi në 3.303.739 banorë.
Në 30 vitet e tranzicionit për shkak të emigracionit masiv dhe rënies së lindshmërisë popullsia në Shqipëri ka pësuar rënie të vazhdueshme, rënie që do të vazhdojë sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2.100.
Në vitin 2023, në pritje të censusit që duhet të ishte zhvilluar, OKB i është referuar të dhënave të fundit zyrtare të vitit 2011, kur popullsia e Shqipërisë ishte 2.832.439 banorë. Por me qindra mijëra të tjerë, kryesisht të rinj besohet se janë larguar në emigracion gjatë dekadës së fundit, sidomos pas pandemisë.
Popullsia e Shqipërisë ra me 0.35% gjatë vitit 2023 krahasuar me një vit më parë, 0.43% krahasuar me vitin 2021, 0.42% krahasuar me vitin 2020 dhe 0.24% në krahasim me vitin 2019.
Serbia numëron në vitin 2023, sipas OKB-së 7,149,077 banorë. Serbia kishte 6 milionë banorë në vitin 1950 dhe shkoi në 7.9 milionë banorë në vitin 1990. Por në vitin 2100, popullsia e Serbisë do të përgjysmohet sipas projeksionit të OKB-së duke zbritur në 3.3 milionë banorë.
Popullsia e Bullgarisë, si krahasim me një vend tjetër ballkanas, referuar OKB-së, ishte 7.1 milionë banorë në vitin 1950. Në vitin 1980, një dekadë para se të binte regjimi komunist, popullsia e Bullgarisë arriti kulmin dhe shkoi në 8.9 milionë banorë. Aktualisht Bullgaria, vend anëtar i BE-së, ka një popullsi prej 6.68 milionë banorë. Pas pandemisë popullsia e Bullgarisë ka rënë mesatarisht çdo vit me mbi 1 për qind. Në vitin 2100, sipas projeksionit të OKB-së, popullsia e Bullgarisë do të zbresë në 2.94 milionë banorë.
Popullsia e Kroacisë në vitin 1950 ishte 3.8 milionë banorë, në vitin 1991 shkoi në 4.84 milionë banorë dhe aktualisht është 4 milion banorë. Pas pandemisë edhe popullsia e Kroacisë ka pësuar rënie me 0.5 deri në 0.8 për qind. Në vitin 2100 popullsia kroate do të zbresë në 2.1 milionë banorë.
Popullsia e Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 është 2,085,679, me një rënie prej 0.38% krahasuar me vitit 2022. Në vitin 1950, popullsia e Maqedonisë së Veriut ishte 1.25 milionë banorë, ndërsa në vitin 1990 popullsia e vendit fqinj kishte pak më shumë se 2 milionë banorë. Në ndryshim nga vendet e tjera të Ballkanit, popullsia në Maqedoninë e Veriut është rritur gjatë viteve të tranzicionit, ndërsa në vitin 2100 projektohet të zbresë në 1.2 milionë banorë.
Popullsia e Greqisë në vitin 2023 është 10,341,277, me një rënie prej 0.42% krahasuar me vitin 2022. Në vitin 1950 popullsia e Greqisë ishte 7.8 milionë banorë, në vitin 1990 shkoi në 10.3 milionë banorë (dhe pas rënies së regjimit komunist në vendet fqinje) filloi të rritej nga emigracioni. Në vitin 2004 popullsia e vendit fqinj arriti kulmin duke shkuar në 11.115 milion banorë, ndërsa sipas projeksionit të OKB-së, popullsia helene në vitin 2100 pritet të zbresë në 6.3 milionë banorë.
Teksa të gjithë rajonin e pret shpopullimi i frikshëm, Shqipëria duhet të gjejë një rrugëzgjidhje, që një proces i tillë i cili nuk po ndalet, të jetë sa më pak i dhimbshëm. /Liberale.al/