Është konsideruar një fitore e vogël e Palestines votimi i funddhjetorit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara sipas të cilit Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) duhet të japë një opinion mbi pasojat ligjore të pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli.
Votimi paraqet një sfidë për kryeministrin e sapozgjedhur të Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili u votua nga parti që mbrojnë aneksimin e tokave të okupuara të Bregut Perëndimor.
“Ka ardhur koha që Izraeli të jetë një shtet që i nënshtrohet ligjit dhe të mbahet përgjegjës për krimet e tij të vazhdueshme kundër popullit tonë,” tha zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmud Abbas.
Zyrtarët izraelitë e dënuan votimin të cilin e konsideruan një “fitore të diplomacisë palestineze”.
87 anëtarë shtete votuan Pro.
26 të tjerë votuan Kundër. Mes tyre Izraeli, Shtetet e Bashkuara.
53 shtete abstenuan.
Çfarë qëndrimi mbajti Shqipëria?
Shqipëria votoi kundër kërkesës që u propozua nga Palestina. Vendi ynë u rreshtua në krah të Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kundër kërkesës për të vënë në lëvizje Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për okupimin e Bregut Perëndimor.
Në tabelën që tregon rezultatin e votimit, Shqipëria është rreshtuar jo vetëm krah Izraelit, por edhe përkrah Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë apo Italisë.
Bie në sy fakti se Shqipëria është i vetmi vend me shumicë myslimane që doli kundër propozimit të Palestinës. Njëkohësisht, Shqipëria është edhe i vetmi vend anëtar i Organizatës për Bashkëpunimin Islam që votoi pro Izraelit në këtë rast.
Pak muaj më parë, kryeministri Rama kreu një vizitë në Izrael, ku zhvilloi një takim me kryeministrin e atëhershëm Yair Lapid. Qeveria izraelite premtoi ndihmë në sigurinë kibernetike, pas sulmit të hakerave iranianë në sistemet kompjuterike të vendit tonë.
Izraeli e ka njohur Kosovën më 4 shtator 2020 kur u lajmërua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që Izraeli dhe Kosova e kanë njohur njëra-tjetrën dhe mes këtyre dy shteteve do të vendosen marrëdhënie diplomatike. Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem, vetëm disa javë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit.
Vota e Shqipërisë kundër SHBA në vitin 2017
Shqipëria gjendet shpesh në pozitë të vështirë kur votohet në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, për shkak të përplasjeve mes aleatëve. Në vitin 2017, Shqipëria votoi pro rezolutës që hartoi Turqia, për të dënuar zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem.
Votimi u shoqërua me kërcënimet e Trump për ndërprerjen e ndihmave në miliona dollarë për disa vende që votuan kundër, por edhe me falenderimet e Erdogan. Atëherë opozita e kritikoi ashpër qëndrimin e Ramës.
Në qershor të 2022, Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, falë lobimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ishte hera e parë që vendi ynë mbajti këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Okupimi i Bregut Perëndimor nga Izrali
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor – zona ku palestinezët duan të ndërtojnë një shtet – në luftën e vitit 1967. Bisedimet e paqes u ndërprenë në vitin 2014.
Palestinezët kanë sundim të kufizuar në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemi Lindor u aneksua nga Izraeli në një lëvizje që nuk njihet ndërkombëtarisht. Vendbanimet e tij në ato territore konsiderohen të paligjshme nga shumica e vendeve, një pikëpamje që Izraeli e kundërshton duke përmendur lidhjet biblike dhe historike me tokën, si dhe sigurinë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i kërkoi GJND-së të jepte një opinion këshillues mbi pasojat ligjore të “pushtimit, vendbanimit dhe aneksimit të Izraelit … duke përfshirë masat që synojnë ndryshimin e përbërjes demografike, karakterit dhe statusit të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit, dhe nga miratimi i tij të legjislacionit dhe masave diskriminuese përkatëse.”
Qeveria e re izraelite është zotuar të forcojë vendbanimet e saj në Bregun Perëndimor, por Netanyahu nuk ka dhënë asnjë tregues për ndonjë hap të afërt drejt aneksimit të tyre.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me bazë në Hagë, e njohur gjithashtu si Gjykata Botërore, është gjykata më e lartë e OKB-së që merret me mosmarrëveshjet midis shteteve. Vendimet e saj janë të detyrueshme, megjithëse gjykata nuk ka fuqi zbatuese.