in

Shqipëria mban të fshehur prejardhjen e vakcinave

Shqipëria prej ditës së djeshme ka nisur vaksinimin për Covid-19, ndërsa ky proces mbart me vete mungesë informacioni në lidhje me vendin, i cili dhuroi 957 dozat e para të vaksinës “Pfizer”.

Ish-ministri socialist i Shëndetësisë, Ilir Beqaj shpërfilli bujën mediatike për misteriozitetin e vaksinës që po aplikohet prej dy ditësh në vendin tonë, duke thënë se e rëndësishme është që ka ardhur në Shqipëri.

“Në perceptimin tim individual nuk shoh ndonjë mister, është lajmëruar që në janar do të fillonte procesi i vaksinimit,” tha z. Beqaj, duke shtuar se ishte i habitur nga interesi i madh për detajet e vaksinës nga qytetarët.

“Vaksinat nuk janë gjë e re për asnjë shqiptar. Unë qoftë tani, por edhe në vitet që kam qenë ministër nuk kam parë ndonjëherë të ketë pasur ndonjë interes kaq të madh për çmimin e vaksinës që qytetarit i jepet falas apo për origjinën e vendit nga vinte vaksina apo mënyrën si mbahet,” deklaroi Beqaj, duke thënë se këto janë procedura normale që administrohen nga ISHP.

Ai tha se dozat e para kanë ardhur nga një vend i Bashkimit Europian që ka kërkuar ruajtjen e konfidencialitetit në këtë proces.

“Një vaksinë përveç kostos së prodhimit ka edhe një kosto të logjistikës dhe të shpërndarjes. E rëndësishme është se ka ardhur vaksina. Është e ardhur nga një vend i BE-së. Ai vend ka kërkuar konfidencialitet. Kryeministri e tha se vendi mik ka kërkuar diskrecion në këtë proces”, tha ai.

Gjatë bisedës në Euronews Albania me gazetaren Loneta Progni, z. Beqaj shtoi se në ditët e ardhshme nuk përjashtohet që Shqipëria të ndihmohet sërish nga vende, të cilat janë pjesë e BE-së.

“Mund të ketë prapë një vend mik tjetër ditët e ardhshme, që mund të këtë, për një arsye të thjeshtë: ka vende në BE, të cilat kanë më shumë potencë politike, diplomatike dhe negociuese, që mund të kenë marrë sasira, që sot nuk janë në gjendje t’i shpërndajnë tek qytetarët. Këto vaksina ato mund t’i shpërndajnë tek vendet e tjera që janë në nevojë, që sot i përdorin dhe në një kohë tjetër mund të kompensojnë flukset që ka një vend tjetër,” përfundoi ish-ministri. 

Lini një Përgjigje

Tiroidet pezmatohen nga këto dy toksina të zakonshme

Gjermania mohon t'ia ketë dhënë vakcinën Shqipërisë