in

Shqipëria bëhet gati për të zgjedhur parlamentin e ri

Një numër vëzhguesish nga ODIHR, asambleja parlamentare e OSBE-së dhe Këshilli i Europës, së bashku me grupe nga ambasada të ndryshme, do të ndjekin nga afër ecurinë në ditën e votimit.

Komuniteti ndërkombëtar është treguar i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të fundit, duke përsëritur thirrjet për nevojën e një procesi të rregullt, e duke kërkuar vetpërmbajtje dhe qetësi nga palët politike.

Janë gati 3 milion e 600 mijë shqiptarë të regjistruar në listat e votuesve për zgjedhjen e parlamentit të ri të vendit.

Për herë të parë një sistem i identifikimit biometrik, përmes pajisjeve të veçanta do të zbatohet në gati 5 mijë e 200 qendrat e votimit në të gjithë vendin.

Ndërsa në një zonë të kryeqytetit do të pilotohet dhe votimi e numërimi elektronik i votave.Sot është heshtje zgjedhore dhe kur ndajnë vetëm pak orë nga nisja e votimit, Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi tha se përgatitjet e procesit zgjedhor kanë ecur pa problem dhe nuk ka asnjë arsye që nesër të gjitha qendrat e votimit të jenë plotësisht gati, duke nisur nga ora 7 e mëngjesit.Në këto zgjedhje, përvec partisë, qytetarët do të mund të zgjedhin edhe kandidatin e tyre të pëlqyer.Përtej retorikës shpesh të ngarkuar politike, incidenti më i rëndë mbetet ai i të mërkurës në Elbasan, ku një konflikt me armë zjarri mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste përfundoi me përdorimin e armëve. 1 person mbeti i vrarë dhe 4 të tjerë u plagosën.Ditët e fundit janë shtuar denoncimet për raste të blerjes së votave. Dy persona u arrestuan dje në Dibër.

Sot një tjetër u ndalua në kryeqytet, ndërsa një nga kandidatët e LSI-së është shpallur në kërkim.Zoti Celibashi kujtoi sot se ligji parashikon sanksione të rënda për shitblerjen e votës.Procesi i votimit do të ndiqet nesër nga afër 42 vëzhguesit afatgjatë të ODIHR-it, ndërsa 215 të tjerë, pjesëtarë të Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe asaj të Këshillit të Europës, dhe stafe të një numri të madh ambasadash do të shpërndahen në të gjithë vendin.Komuniteti ndërkombëtar është treguar i vëmendshëm ndaj zhvillimeve, që lidhen me procesin zgjedhor.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca në një mesazh të tijin një ditë më parë theksoi se nga mënyra e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve dhe respektimi i rezultatit të tyre do të varet ecuria e vendit në procesin e integrimit europian.Nga Shtetet e Bashkuara, drejtuesit e Komisionit të Jashtëm si në Senat ashtu dhe në Dhomën e Përfaqësuesve nxitën autoritetet shqiptare të garantojnë, që votuesit do të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre “të lirë nga shitblerja, frikësimi dhe dhuna” duke u shprehur se presin “që të gjithë udhëheqësit – ata aktualisht në detyrë dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike”.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka qenë gjithashtu mjaft aktive. Ajo u takua sot me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, ndërsa në një postim në Twitter shpjegoi se në 48 orët e fundit ishte takuar dhe me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta.

Ajo nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë parti apo kandidat, por se mbështetin të drejtën e të gjithë qytetarëve për të votuar të lirë dhe në paqe.Mbrëmjen e djeshme ajo kundërshtoi në një postim në Twitter deklaratat e presidentit Meta për përdorim sfurqesh e sëpatash nga qytetarët, duke i konsideruar ato të papranueshme e të dënueshme.

Ambasadorja Kim theksoi se ata që nxisin dhunën do të jenë përgjegjës për rezultatin e fjalëve dhe veprimeve të tyre.

Presidenti Meta u përgjigj duke i kërkuar të mos marrë më në mbrojtje kryeministrin Rama dhe të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë në mënyrë të njëanshme.

Lini një Përgjigje

“Votoni për mua”, Basha publikon videon me një mesazh për qytetarët

Studim me rëndësi të veçantë për pakicën shqiptare në Mal të Zi