in

Shpëtimtari i popullit- Rama, i solli vendit 1170 doza të vaksinës

Nga Sherif Ramabaja

Me javë të tëra Rama bënte zhurmë se do t´i sjell vaksinat, jo vetëm për Shqipërinë po edhe për Kosovën. Çudi se si nuk u premtonte edhe shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë dhe Medvegjë.

Po ai moment erdhi, 1170 vaksinat arritën në aeroport dhe nën masa të rrepta  sigurie do të transferohen në vend të sigurt. Kush e merr përsipër sigurinë mbi vaksinat nuk dihet saktësisht, po me siguri NATO nuk do të involvohet.

Shqiptarët pra nuk do të jenë të harruar, ata kanë personin që mendon, ëndërron dhe kujdeset për ta.

Detyra e qytetarëve mbetet të mendojnë se, kujt do t´ia japin votën me 25 prill.  “ Ata luajnë kumar, ne shah “ deklaroi Rama për opozitën nga aeroporti me rastin e pritjes së vaksinës.

Me një numër simbolik 1170  doza, shqiptarët duhet të mendojnë se si do t´i shpërndajnë ato : t´i vaksinojnë infermierët që janë në kontakt të përditshëm me të infektuarit, t´i vaksinojnë një numër të mjekëve dhe personelit shëndetësorë, t´i vaksinojnë të moshuarit nëpër shtëpitë e strehimit, t´i vaksinojnë të sëmurit kronik, mësuesit, nxënësit apo kënd së pari.

Mund të ketë supozime që të luhet llotari dhe pastaj të shihet kush e fiton vaksinën, apo të hidhet shorti. Vërtetë do lind problemi se si do të ndahet dhe cilat pjesë të vendit do ta kenë privilegjen, ta marrin të parët vaksinën.

Ndoshta edhe do të duhej të formohet një komision se si duhet shpërndarë atë. Një pyetje po ashtu është se me një dozë sa persona mund të vaksinohen. Në Perëndim nga 4 doza kanë arritur që 5 veta t´i vaksinojnë, në Shqipëri nuk dihet ende si do të veprohet.

 Do të duhej që të përcaktohen kategoritë se cilët do të duhet të jenë të parët :  profesorët dhe studentët në mënyrë që të hapeshin Universitetet dhe të filloj viti akademik, apo të vaksinoheshin edukatoret në kopshtet e fëmijëve që së paku fëmijët, të përfshihen në jetën e përditshme të kopshtit.

Disa thanë se së pari duhet vaksinuar policinë, sepse ata janë që mbrojnë rendin kushtetues dhe po kujdesen që masat kundër pandemisë të funksionojnë. Ata nga brenga për ta mbrojtur popullin, janë detyruar që të shkrepin edhe plumba vetëm e vetëm që masat e ndërmarra të jenë efektivet.

Ka kërkesa që së pari do të duhej të vaksinoheshin aparati qeveritarë, kryeministria dhe deputetët e popullit. Për të gjitha këto pyetje të hapura do të duhej të debatonte parlamenti dhe të merrej vendimi me dyer të mbyllura.

Para se të merrej parlamenti me këto dispozita, lindi kërkesa që së pari do të duhej të vaksinoheshin udhëheqësit e Partisë Socialiste dhe nëse mbetet diçka do të shpërndahej për anëtarësinë e gjerë.

Pati po ashtu kërkesa që ushtria do të duhej të vaksinohej e para sepse, po u infektuan ata, kush do ta mbroj atdheun.

Një pyetje që zgjoj kureshtjen ishte se pse zoti Rama nuk po bashkëpunon me vëllanë e tij Vuçiqin, sepse Serbia edhe pse nuk është në EU, ka arritur që të radhitet si vendi i dytë në Evropë, për vaksinimin e shpejtë të popullit të vetë.

Në Gjermani dhe në perëndim pas një fiaskoje në lidhje me vaksinën, po shqyrtohet mundësia e leje përdorimit të vaksinës ruse dhe kineze.

 Nëse pranohet një supozim i tillë duhet të shpresojmë se edhe shqiptarët mjaftueshëm do ta kenë vaksinën kundër pandemisë, duke mos e diskutuar se si do të shpërndahen 1170 dozat e kryeministrit Rama.

 

Lini një Përgjigje

Akademikët amerikanë duan ta rikthejnë integritetin në shkencë dhe hulumtime

Shqiptarët më të varfrit në Maqedoni, paguajnë taksa e s’marrin asgjë