Autorja jugkoreane, Han Kang, e ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi, më 2024, për “prozën e fuqishme poetike që konfronton trauma historike dhe shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”.
Kështu është vlerësuar ajo nga juria në ditën e shpalljes së vendimit.
“Ajo e ka një vetëdije unike për lidhjet në mes të trupit dhe shpirtit, jetës dhe vdekjes, dhe stili i saj poetik dhe eksperimental është bërë inovator në prozën bashkëkohore”, ka thënë Anders Olsson, udhëheqës i Komitetit të Nobelit, përmes një deklarate.
Han Kang, jugkoreanja e parë që fiton Nobelin për Letërsi, e ka nisur karrierën më 1993 me publikim të disa poemave, derisa me prozë ka debutuar më 1995, të titulluar “Love of Yeosu”.
Namin ndërkombëtar e ka fituar me novelën “The Vegetarian”.
Vitin e kaluar me këtë çmim është nderuar shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse.
Çmimi Nobel ka vlerën e rreth 1.1 milion dollarëve amerikanë.
Ky çmim, që ndahet për arritje në shkencë, letërsi dhe paqe, është krijuar me dëshirën e shpikësit të dinamitit, suedezit, Alfred Nobel. REL