in

Sheshi në Pejë me emrin e “Qerim Bej Mahmutbegolli”, nënshkruesit të Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (2)

Autorët e këtij propozimi janë shpall qytetar nderi të Pejës me vendim të Kuvendit Komunal.  

Me rastin e ceremonisë mortore të varrimit të Mehmet Pashë Derallës në vitin 1918 (të cilin e kishte dajë – vëlla të nënës) mbajti fjalimin ku pos tjerash e cilësoi të ndjerin si “fatos i Lirisë Shqiptare, si mësonjës i ynë i cili na ngjalli shqiptarinë në shpirt dhe në armët tona”.

Lidhur me rrethanat politike në trevën e Pejës në prag të Luftës së Dytë Botërore, historianët serbë Pavle Joviçeviq dhe Mita Miljkoviq në veprën e tyre “Borba pećkih komunista između dva rata (1918-1941)” ndërmjet tjerash nënvizojnë: “ (…) Lajmi mbi hyrjen e trupave italiane në Shqipëri ishte përcjell ndër shqiptarët e Kosovës me shpejtësi rrëfeje. Paria shqiptare nga disa fshatra ka mbërri në qytete të Kosovës dhe Metohisë, ku gjenden edhe tash. Në Pejë, në rrugën kryesore, janë vendosur dy altoparlantë, para të cilëve mblidhen në masë shqiptarët dhe gjatë tërë ditës dëgjojnë lajme. Në shtëpinë e Mahmutbegollëve (Qerimit, Xhevatit dhe Rifatit), gjithë ditën vijnë paria e shqiptarëve për këshilla dhe informacione (…)”. Por jo vetëm kaq, në fakt Qerim Bej Mahmutbegolli me vëllezërit e tij Xhevatin, Rifatin dhe Kahremanin gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore ishin bashkëveprimtarë të Mid’hat Bej Frashërit i cili në letrën dërguar Qerim Beut më datë 22 dhjetor 1943 kërkonte formimin e Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar për Kosovë, ashtu që të punohet rregullisht dhe me disiplinë. Po ashtu Mit’hat Frashëri e njoftonte Qerim Beun se komunistët në gjithë Shqipërinë e Jugut janë në luftë të madhe, ku sqaron se ata po sillen shumë keq me popullsinë, djegin, vrasin burra, gra, kalamaj dhe rrëzojnë katunde. Po ashtu këshillonte të ishin vigjilentë me qëllim që të pengohet propaganda komuniste dhe të krijohet një çetë shëtitëse për të bërë propagandë nacionaliste. Qerim Beu njihej po ashtu edhe si njëri nga bashkëthemeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (shtator, 1943), që pak më vonë do të llogaritet si “arsye” që regjimi komunist i Enver Hoxhës ta ekstradonte për në Jugosllavi (1945).

Në përfundim të luftës, kur reprezaljet e formacioneve çetnike dhe partizane serbo-malazeze mbi popullatën civile shqiptare kishin marre hov anekënd Kosovës, atdhetari Qerim Bej Mahmutbegolli kishte ngre lartë zërin në mbrojtje të të drejtave të popullit të Kosovës duke protestuar kundër dhunës shoviniste mbi shqiptarët. Pasi që u zu në Tiranë, me urdhër të regjimit të Enver Hoxhës u ekstradua në Kosovë, ku më pas, në vitin 1945 u pushkatua pa gjyq nga regjimi serb. Ndërkaq i vëllai Xhevat Mahmutbegolli vdes nga torturat çnjerëzore të ushtruara nga forcat ushtarake serbe, vetëm se ishte identifikuar për veprimtarinë e tij atdhetare. Në ndërkohë, regjimi i Enver Hoxhës e kishte arrestuar në Tiranë edhe vëllain tjetër Rifat Mahmutbegollin i cili ishte ministër i ekonomisë në qeverinë e Rexhep Bej Mitrovicës (përndryshe nip i Mahmutbegollajve të Pejës). Rifat Mahmutbegolli, vdiq në burgun e Tiranës, me gjasë nga torturat. Nuk kishte shpëtuar pa damkosje as vëllai tjetër, Kahremani dhe i biri i Qerimit, Skenderi të cilët u dënuan me burgime të gjata.

Qerim beu, i dorëzuar nga pushteti enverist zyrtarëve të OZN-ës, u likuidua nga bandat çetnike-partizane jugosllave në rrugën prej Podgoricës për në Pejë. Atëherë ishte në moshë të shtyrë, me brengë të vazhdueshme për fatin e Kosovës, vëllezërve të tij dhe birit të vetëm të tij, Skenderit. Qerim Mahmutbegolli qysh në rininë e tij të hershme u ngrit në mbrojtje të atdheut, i prirë nga ideale të larta në kohën më të vështirë. Ai sakrifikoi gjithçka që kishte në betejën e madhe të popullit shqiptar kundër armiqve të të gjitha ngjyrave. Ai i përkiste një shtrese shoqërore që gëzonte të gjitha privilegjet e kohës, por ideali i tij i lartë e vuri në radhët e para të atdhetarëve të gatshëm për flijim. Ndonëse ishte i vetëdijshëm për konsekuencat, ai nuk rreshti së luftuari deri në sakrificën më sublime që një njeri mund të japë për atdheun. Armiqtë e Qerim Bej Mahmutbegollit dinin të spekulonin kinse ideal i tij ishin çifligjet (pasuria), por  ai nuk hezitoi ta kundërshtonte administratën osmane madje edhe me çmimin e humbjes së privilegjeve që i gëzonte oxhaku i tij prej shumë shekujsh, vetëm e vetëm për një Shqipëri etnike, të lirë dhe demokratike. Këtë e dëshmoi më në fund me flijimin personal dhe të familjarëve të tij duke e pësuar me vrasje, burgosje dhe persekutim.

Historiografia moniste e periudhës socialiste e përfshirë nga ideologjia e luftës së klasave kishte mohuar, neglizhuar, gjykuar dhe denigruar personalitetet e shquara kombëtare të oxhaqeve të mëdha shqiptare të Kosovës, siç ishin Mahmutbegollajt, Kryezinjtë, Gjinollët dhe Rrotllajt. Me paragjykime të tilla ideologjike e politike dhe me pikëpamje të shtrembëruara të historiografisë marksiste të kohës ishte bërë një padrejtësi ndaj trajtimit të drejtë shkencor dhe objektiv të këtyre familjeve, më ketë edhe të vetë historisë shqiptare. Aso kohe në Shqipëri qasja objektive shkencore e këtyre temave pengohej dhe luftohej në mënyrë sistematike, në raste të caktuara edhe me burgosje apo internime të intelektualëve. Ndërkaq në viset e okupuara shqiptare në kuadër të Federatës Jugosllave, si në Kosovë e gjetiu, lartësohej ideja e patriotizmit jugosllav duke i anashkaluar, deformuar dhe falsifikuar temat kombëtare. Në ato rrethana politike trajtimi historiografik i veprimtarisë së personaliteteve të dalluara nga familjet aristokrate shqiptare u interpretuan në mënyrë dashakeqe ku paraprakisht personalitetet visheshin me epitete denigruese, si bie fjala, kullak, e pastaj interpretohej në mënyrë denigruese historia e tyre duke nxitur urrejtjen e masave mbi ta.

Shikuar nga këndvështrimi historik, familjet e mëdha aristokrate shqiptare të periudhës së sundimit osman ishin bartës të të gjitha proceseve politike, shoqërore dhe ekonomike, sepse autoriteti politik dhe ekonomik i këtyre familjeve ishte i padiskutueshëm në masat popullore. Mbi supet e këtyre oxhaqeve binte shpeshherë edhe barra e mbështetjes materiale të kryengritjeve të shpeshta shqiptare, prandaj këto oxhaqe ishin pjesë e pandarë e rrugëtimit historik e patriotik të popullit shqiptar. Historiografia shqiptare përmes shumë veprave të botuara nga studiuesit shqiptarë e të huaj dëshmon se në trojet shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe tutje deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, asnjë ngjarje e rëndësishme kombëtare nuk ka ndodhur pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të pjesëtarëve të oxhaqeve të mëdha shqiptare të Kosovës.

Me këtë rast, mbase është vendi që të theksohet edhe një fakt përkitazi me familjen, përkatësisht oxhakun e Mahmutbegollajve të Pejës. Për dallim nga oxhaqet tjera të pashallarëve shqiptarë, gjatë tërë kohës së sundimit osman, në familjet e oxhakut të Mahmutbegollajve flitej vetëm gjuha shqipe, ndonëse e zotëronin edhe osmanishten. Këtë e provojnë faktet historike.                                                                 

Ish-presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2012 e dekoroi Qerim Bej Mahmutbegollin për kontributin e tij të lartë për lirinë e Kosovës me ‘Urdhrin e Lirisë”.

Shpresojmë që Kuvendi Komunal i Pejës do ta mbështes këtë iniciativë, duke qenë se emri dhe figura e Qerim Bej Mahmutbegollit i bën nderë jo vetëm qytetit të tij të lindjes, por mbarë kombit shqiptar.

           

        Propozim/iniciuesit:

Prof. Dr. Jahja Drançolli

Prof. Dr. Gazmend Rizaj

Prof. Dr. Muhamet Mala

Av. Zanfir Kryeziu                                                                                         

Lini një Përgjigje

Daçiqi i pikëlluar me Këshillin e Sigurimit të OKB-së!

FOTO/ Lajmi "Fake" për vdekjen e Aleksandër Vuçiç!