KUVENDIT KOMUNAL TË PEJËS, Komisionit për emërtimin e rrugëve
LËNDA: Propozim/iniciativë për emërtimin e një sheshi/rruge në Pejë me emrin e “Qerim Bej Mahmutbegolli”, nënshkruesit të Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë
Datë: 25 mars 2024
Autorët e këtij propozimi janë shpall qytetar nderi të Pejës me vendim të Kuvendit Komunal.
Literatura historiografike shqiptare, që nga Teki Selenica (1928) e deri te Bardhosh Gaçe (në librin e tij të botuar në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë me titull: “Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare”) në mesin e nënshkruesve (firmëtarëve) të Pavarësisë së Shqipërisë nga delegatët pejanë kanë radhitur edhe Qerim Bej Mahmutbegollin, respektivisht Qerim Bej Ipekun. Ai lindi në Pejë në vitin 1874 në një familje të shquar dhe me tradita atdhetare. I ati i tij ishte Asllan Bej Mahmutbegolli, kurse gjyshi i tij ishte Halil Pashë Mahmutbegolli, oficer i forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, si dhe bashkëveprimtar i Haxhi Zekës në Kuvendin e Pejës “Besa Besë”. Gjithashtu edhe e ëma e tij vinte nga dera e shquar e Derallëve të Tetovës.
Qerim Beu shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Shkupit, ndërkaq studimet i vazhdoi në Vjenë të Austrisë të cilat nuk i përfundoi për shkaqe të përfshirjes së tij të vazhdueshme me armë në dorë në mbrojtje të atdheut. Ishte pjesëmarrës aktiv i kryengritjeve antiosmane në Kosovë gjatë viteve ‘90 të shekullit XIX. Në vitet 1898-1899 e gjejmë në mesin e veprimtarëve të Lidhjes Shqiptare “Besa Besë” të Pejës, ku u shquan edhe pjesëtarë tjerë të oxhakut të Mahmutbegollajve, si Halil Pashë Mahmutbegolli, Zenel Mahmutbegolli etj. Haxhi Zeka e ngarkoi me detyrën e ndihmësit të Mehmet Pashë Derallës në organizimin e veprimtarisë së kësaj Besëlidhje në Tetovë, Gostivar dhe Manastir. Mehmet Pashë Derralla e cilësonte Qerim Beun si ”një sokol me vërsë për gjallërimin e ndjenjave kombëtare”.
Në vitin 1902, ishte në përbërje të Komisioneve të Kosovës që protestuan kundër vrasësve të atdhetarit Mulla Haxhi Zeka. Në botimin e Historisë së Popullit Shqiptar II, nënvizohet gjithashtu pjesëmarrja aktive e Qerim Bej Mahmutbegollit në valën kryengritëse të viteve 1908-1912, duke u shquar në Kuvendin e Ferizajt, si dhe në luftimet e Mitrovicës, Ferizajt dhe Grykës së Kaçanikut. Qerim Beu iu kishte përgjigjur menjëherë thirrjes së Isa Boletinit dhe Riza Bej Gjakovës (të cilin e kishte dhëndër) për mobilizimin e luftëtarëve të Pejës dhe Gjakovës në kryengritjen antiosmane. Ishte pjesëmarrës i njësive vullnetare të udhëhequra nga kushëriri i tij Hasim Bej Mahmutbegolli në luftimet për mbrojtjen e Pejës më 1912 kundër forcave pushtuese malazeze. Në nëntor 1912, si delegatë i Pejës, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Ishte po ashtu pjesëmarrës i Konferencës së Triestes në prill të vitit 1913, e drejtuar nga Dervish Hima dhe Faik Konica, konferencë kjo e cila për herë të parë mblodhi përfaqësues eminent nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, por edhe diplomatë të shquar italianë, austriakë dhe gjermanë. Rezoluta që doli nga Konferenca e Triestes, i drejtohej Fuqive të Mëdha të cilat aktualisht po vendosnin mbi fatin e kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Duke iu referuar njoftimeve që japin dokumentet diplomatike të proveniencës austro-hungareze, Qerim Bej Mahmutbegolli e vazhdoi veprimtarinë atdhetare edhe gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918. Në qershor të vitit 1914 ishte ndër anëtarët e delegacionit të Kosovës që u takua me Princ Vidin në Durrës. Gjatë viteve 1914-1915 mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në Shijak dhe Rashbull kundër kryengritësve të Haxhi Qamilit dhe mercenarëve të Esat Pashë Toptanit.
Gjatë periudhës ndërmjet Dy Luftërave Botërore, trojet shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë politike vazhduan sërish nën sundimin e huaj, tani në kuadër të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, përkatësisht Mbretërisë Jugosllave. Edhe gjatë atyre viteve Qerim Beu dha kontributin e tij, veçanërisht në Komitetin ”Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” si anëtar i kryesisë së këtij Komiteti, e për një kohë edhe zëvendëskryetar i tij. Gjatë asaj kohe pati bashkëpunim të ngushtë me Hasan Prishtinën (mbesën e të cilit e kishte bashkëshorte), pastaj Bajram Currin, Idriz Seferin dhe me gjeneral Mehmet Pashë Derrallën. Qerim Beu ndiqej këmba-këmbës nga regjimi i shtetit të atëhershëm jugosllav, duke e akuzuar dhe dënuar në mungesë për veprimtari armiqësore në “radhët e kaçakëve”. Bazuar në Ligjin Penal të Mbretërisë Jugosllave ishte shpallur jashtë ligjit dhe se kushdo që do ta vriste apo do ta sillte të gjallë para organeve të shtetit, do të merrte shpërblimin prej 500 dinarësh.
vijon