in

Shën Niketa Dardani

Niketa ka lindur në vitin 340 në qytetin e Remesianës në Dardani. Në moshën 26-vjeçare u dorëzua peshkop i Remesianës. Ai zotëronte disa gjuhë të huaja si greqishten, latinishten etj.

Niketa ka predikuar krishterimin tek fiset barbare që jetonin në territorin e Dakisë. Ka pasur lidhje miqësore me Ambrozin e Milanos, Augustinin dhe Paulinin e Nolës. Mori pjesë në disa sinode që janë zhvilluar në Romë. Këto sinode janë thirrur prej papë Damasit.

Niketa përmendet për herë të fundit në një letër të shkruar nga papë Inoçenti I në vitin 414.

Shën Niketa ka qenë muzikant i shquar kishtar. Ai ka kompozuar shumë himne, të cilat fatkeqësisht kanë humbur. Himni më i famshëm i tij është “Te Deum Laudamus”. Ky himn është psalur në ceremonitë e kurorëzimit të mbretërve, gjatë kanonizimit të shenjtorëve etj.

Të dhënat rreth veprimtarisë së Niketës i jep miku i tij Paulini i Nolës. Ky i fundit ishte poet dhe Niketës i ka kushtuar dy poezi, me anën e të cilave mësojmë ato që dinte për të. Paulini përmend aktivitetin misionar të Niketës te popujt fqinjë: dakët, getët, besët dhe skitët.

Nga shkrimet teologjike të Niketës mund të përmendim “Mbi Trininë e Shenjtë” dhe “Mbi fenë”, të cilat i ka shkruar thjesht dhe kuptueshëm.

Shën Niketa shërbeu rreth 15 vjet si peshkop i Remesianës.

(Andrea Llukani, “Sinaksari i Madh”, f. 191).

Lini një Përgjigje

DRITA E HYJIT E SHNDËRRON NJERIUN NË DRITË

Tolerancën fetare po e shprishin hoxhallarët dhe kreu i Bashkësisë Islame