Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka arritur sot në Kosovë.
Tash ai është në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai ka thënë përmes një postimi në Twitter se vaksinimi kundër koronavirusit është temë e takimeve të tij në Prishtinë dhe Beograd.
“Askush në Evropë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani mund të ndajmë progresin e vaksinimit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor është një moment kyç në luftën kundër koronavirusit. Kjo është arsyeja pse unë jam në Prishtinë dhe Beograd sot dhe nesër”, ka thënë ai.
Maas pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë ka njoftuar se Maas është pritur nga homologia e tij Gërvalla.
“Kjo vizitë do të shënojë një hap të rëndësishëm në thellimin e lidhjeve në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe lehtësimin e rrugës së Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike”, është thënë në njoftim.