Sherif Ramabaja
Dyfytyrësi. Akuzë e rëndë, po për një shtet dhe një popull të cilin aq mirë e njeh bota, s´është çudi.
Ata vetë e pranojnë: rrena është patriotizmi i popullit serb. Nuk kaluan as dy javë nga marrëveshja e Ohrit dhe Vuçiq tash po deklaron se, të gjitha pikat nuk do ti zbatoi Serbia. Edhe kjo s’është çudi. Është pritur, sepse nuk kishte shkas tjetër që mos ta firmoste dokumentin. Kisha dhimbje dore, deklaronte si një kalama.
Tash polli edhe tjetra! Po u pjellin superfuqive, e jo Serbisë e Vuçiqit. E kishin furnizuar me armatime Ukrainën, apo pretendonin ta bënin këtë.
Askush nuk e merr me habi. Serbia, populli serb dhe udhëheqësit e saj, këtë e kanë bërë gjithmonë dhe do ta bëjnë edhe në të ardhmen.
Rroftë populli vëlla kinez, thonë duke ua puthur flamurin. Rroftë populli vëlla rus, e së fundit po thonë, rrofshin edhe SHBA. Vetëm a, u del gjë, këtë e bëjnë ditë e natë.
Rrofshin edhe Vendet e Painkuadruara, duke thënë se Titoja ua kishte lënë si trashëgimi, prandaj duhet të „kujdesen” (t´i mjelin) edhe për ta.
Derisa u shkon kungulli mbi ujë pse jo, por dikur kungulli fillon të fundoset. Kjo nuk u pëlqen, por gjithnjë shpresojnë se hapin rrugë tjera.
Tash janë orientuar drejt Asociacionit. Mundohen që t´i nxisin shqiptarët që ta refuzojnë Asociacionin, në mënyrë që të shpëtonin nga marrëveshja e Ohrit.
I gjori Gjuriq, Bërnabiç – ka, Daçiqi e shumë të tjerë po luftojnë në këtë drejtim me shpresë që të ndodh ndonjë mrekulli dhe të shpëtojnë, me anulimin e marrëveshjes.
Në fund e kanë edhe opsionin e fundit që të nxisin konflikt në Veriun e Kosovës, po e kanë frikën se edhe vetë do të digjen në flakët e këtij konflikti. Bota ka sy, prandaj do ta thonë të vërtetën, jo atë që do tua servonte Serbia.
U munduan së fundit që t´ia hidhnin edhe Rusisë, e t´ia ngulnin Putinit. Gënjeshtrat dhe manipulimet u dolën për fushë. Ndoshta qëllimisht edhe perëndimi ua zbuloi „miqësinë” tradicionale mes vete. Ku ta dish. Informacionet rrodhën. Asgjë nuk po mbetet sekret. Berisha kërkonte dixhitalizimin për Shqipërinë. Dhe ky dixhitalizimi i Berishës, po i rrezikon sekretet shtetërore.
Bota tash ka mbetur e vogël, por me kohë edhe më e vogël do të bëhet. Priten zbulime të reja, pse jo edhe planete të banueshme. Serbët do të pretendojnë se popujt e rizbuluar (Elienët), prejardhjen e kanë prej tyre. Shkenca e historia duhet të shkruhen prej tyre. S’është aspak çudi, sepse janë popull hyjnorë.
Nuk duhet të habitemi edhe nëse dikush nga shqiptarët do iu bashkohen. Disa kanë pasur dhe kanë edhe sot nostalgji për ta. Sipas të drejtës ndërkombëtare është e drejtë e tyre të vendosin, se cilës përkatësi u takojnë.
Nuk është asgjë e çuditshme nëse Serbia do të kërkoi që ta formoi edhe një Gjykatë Speciale, në mënyrë që ta hetoi rastin, se kush ua zbuloi sekretin shtetërorë, për furnizimin e Ukrainës me armë.
Mars – Rover (Satirë)