Një grup i senatorëve republikanë, të udhëhequr nga senatori Ted Cruz nga Teksasi thonë se do të sfidojnë fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, kur javën e ardhshme rezultati i Kolegjit Zgjedhor pritet të certifikohet në Kongres.
Kjo lëvizje është kryesisht simbolike dhe nuk ka pothuajse shans që ta ndalojë Bidenin që të inaugurohet si president më 20 janar, por megjithatë paraqet një përpjekje të paprecedent për të minuar vullnetin e elektoratit amerikan.
Në një deklaratë të përbashkët më 2 janar, të njëmbëdhjetë republikanët pretenduan se “akuzat për mashtrim dhe parregullsi në zgjedhjet e vitit 2020 tejkalojnë çdo akuzë që është bërë” në zgjedhje ndonjëherë, por ata nuk dhanë asnjë dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar që ta pranojë humbjen në zgjedhje dhe vazhdimisht ka bërë akuza të pabazuara se zgjedhjet u manipuluan dhe është zotuar se do të vazhdojë të luftojë për rezultatin zgjedhor.
y grup i senatorëve republikanë tha se kur Kongresi të mblidhet më 6 janar që zyrtarisht ta certifikojë fitoren e Bidenit, ata do të kërkojnë krijimin e një komisioni të posaçëm që do të kryejë “një auditim emergjent dhjetëditor” mbi rezultatin e zgjedhjeve.
Pothuajse 140 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve po ashtu pritet të kundërshtojnë rezultatet nëpër shtetet amerikane, gjatë mbledhjes së përbashkët të Kongresit.
Kolegji Zgjedhor amerikan më 14 dhjetor ka konfirmuar fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidencial të vitit 2020. Biden ka fituar 306 vota elektorale, ndërkaq Trump 232.
Zëdhënësi i Bidenit, Micheal Gwin tha se ky vendim i këtij grupi të senatorëve republikanë është një “teatër politik”.
“Kjo nuk do të ndryshojë faktin se presidenti i zgjedhur Biden do të bëjë betimin më 20 janar dhe këto pretendime të pabazuara tashmë janë hetuar dhe janë hedhur poshtë nga Prokurori i Përgjithshëm i Trumpit, nga dhjetëra gjykata dhe nga zyrtarët zgjedhorë të të dy partive”, tha ai.
Marc Short, shef i stafit të nënpresidentit Mike Pence, tha se Pence, i cili do të kryesojë këtë mbledhje të Kongresit, “mirëpret përpjekjet e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit që të përdorin autoritetin e tyre që ua jep ligji dhe të ngrisin kundërshtime si dhe të sjellin të dhëna para Kongresit dhe amerikanëve më 6 janar”.