in

Satirë: Vjosa Osmani e sulmoi aeroportin e Shkupit!

Sherif Ramabaja

Fluturimi nga aeroporti i Shkupit tashmë ishte temë e planifikuar. Shqiptarët më 1912 në krye me Isa Boletinin e kishin çliruar këtë qytet.

Një kohë të gjatë Shkupi njihej edhe si kryeqyteti i shqiptarisë, prandaj as sot shqiptarët nuk bëjnë kurrfarë dallim mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Kjo është pjekur në kokat e tyre, i pëlqeu kjo Rusisë, Kinës, Koresë Veriore, Kubës apo jo.

  Presidentja Vjosa Osmani pasi i kishte bërë valixhet gati, ishte nisur nga Kosova drejt Shkupit. Protokolli ishte përpunuar në detale. Presidentja ishte veshur me shije. Ngjyrat seksi të kombinuara të gjërave të lehta të cilat i mbante, ia shtonin elegancën e një zonje të vërtetë.

Ajo me këtë rast nuk donte të shkonte duarthatë. Me vete kishte marr dy tepsia me flija, dy tepsia me bakllava, suxhuk vendor, verë të kuqe dhe të bardhë nga Rahoveci si dhe specialitete të specave turshi të kombinuara me gjizë, djathë dhe mazë.

Të gjitha këto specialitete ishin paketuar me kërshëri në mënyrë që gjatë fluturimit mos të dëmtoheshin.

Presidentja me këtë udhëtim donte në një farë mënyre ta promovonte edhe turizmin e Kosovës, me ushqimet dhe specialitetet e popullit mikpritës nga trevat kosovare. Pra ishte një takim bilateral, por kur të jepet mundësia, pse mos t´i lartësosh vlerat dhe cilësinë e shtetit dhe atdheut tënd .

Në aeroportin e Shkupit arritja kishte vijuar tërësisht sipas planit. Ishin caktuar pikat se nga do të kalohej.

Pa humbur kohë Vjosa Osmani, si presidente me imunitet shtetëror, tentoi që t´i shmangej formaliteteve të zakonshme të aeroportit. Ajo kishte një qëllim. Valixhet të mos hapeshin, pasi ushqimet ishin ende të nxehta. Me këtë rast ajo nuk kishte qëllim t´i thente rregullat e aeroportit, por vetëm dëshironte ta shfrytëzonte autoritetin e saj, si personalitet i njohur publik e shtetëror.

Sipas Mero Bazes (zëdhënës i Ramës) për parregullsitë e Vjosës personeli i aeroportit të Shkupit ishte njoftuar personalisht nga vetë Albin Kurti, kurse sipas Behxhet Pacollit personeli i aeroportit ishte sjell komfor rregullave ligjore, por fajtor për këtë dramë teatrale ishte, arroganca e oborrit mbretëror të Vjosës, të cilët i kishte marr me vete.

Gjërat erdhën duke u acaruar dhe ekzistonte rreziku edhe për përleshje, pasi personeli i aeroportit ishte kategorik se, valixhet dhe celulari i zonjës Osmani duhej të konfiskoheshin.

Për rastin ishin njoftuar organet kompetente të Kosovës, partitë shqiptare që veprojnë në Maqedoni dhe personalitetet shqiptare në qeverinë e Maqedonisë.

Kosova pa humbur kohë e dënoi ndërhyrjen ndaj presidentes, duke i akuzuar se shërbimi maqedonas në këtë rast po vepron, sipas urdhrave të shërbimeve serbo – ruse.

Partitë shqiptare në Maqedoni duke e parë rrezikun e shpërthimit të konfliktit me përmasa rajonale, me urgjencë e kishte njoftuar EU, ish ambasadorin Grenell dhe Këshillin e Sigurimit të OKB.

Reagimin i parë kishte arritur nga zoti Grenell, i cili kishte kërkuar që zonjës Osmani t´i lejohej udhëtimi i papenguar, pasi ajo nuk ishte fajtore për politikën e Kurtit ndaj Serbisë, Rusisë dhe Trumpit.

EU përmes Stanos deklaronte që, rasti duhet të përfshihet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, kurse OKB kishte lajmëruar se ishte e nxënë me konfliktin Izraelito – palestinezo – iranian, prandaj përgjegjëse në këtë rast për Ballkanin duhet të jetë EU .

 Rama si gjithnjë ishte lajmëruar pa e pyetur askush dhe kishte deklaruar: të gjitha këto lindin si pasojë e Ballkanit të Hapur nga Kosova dhe nga refuzimi i draft statutit të Asociacionit, të cilin e propozova unë.

Si do qoftë, rreziku për shpërthimin e një konflikti rajonal momentalisht u evitue, por akuzat e ndërsjella po vazhdojnë me intensitet të lartë.

Mars – Rover (Sairë)

 

Aksident i rëndë në autostradën Fier-Vlorë, 4 persona nga një familje të plagosur

Presidenca e quan propaganduese dhe për keqardhje konferencën e Mickoskit