in

Satirë: Kurti ta ofroj dorëheqjen?!

Sherif Ramabaja

Kurti e filloi me teneqet, me mallrat serbe dhe çfarë bëri ? E trazoi Veriun e Kosovës. Derisa në pushtet nuk erdhi Kurti, gjërat rridhnin tërësisht në qetësi. Në Veri, tregtia dhe bizneset me Serbinë lulëzonin.

Targat s´kishte nevojë t´i ndërronte askush, përpos shqiptarëve. Lista Serbe e kontrollonte tërë Veriun e Kosovës. Kohë pas kohe vizita dhe rekreacione me barka, bëheshin edhe nga liderët tanë. Bizneset rridhnin pa u penguar nga askush.

Bisedimet Kosovë Serbi edhe pse me vështirësi vazhdonin pa pengesa. Ishin formuar me dhjetëra komuna serbe. Ishte nënshkruar marrëveshja edhe për Asociacionin, po Serbia s´ishte e interesuar për te fare. Kërkonte më shumë, si duket ndarje.

Edhe për këtë rridhnin bisedimet. Po ç ‘ndodhi. E papritura. Kurti erdhi dhe i përmbysi të gjitha.

Veriu u ndez flakë. Filluan bllokadat e rrugëve. Filloi bojkoti dhe tërheqja nga institucionet.

Perëndimi u alarmua. Ishin mësuar me qetësinë  absolute, kurse Kurti i trazoi dhe i përmbysi të gjitha.

Ai jo që e trazoi bashkësinë ndërkombëtare dhe Veriun, po edhe Ramës ia prishi rehatinë dhe planet mbi Ballkanin e Hapur.

Serbia dhe Vuçiqi me kompaninë e tij filluan të vjellin vrerë. Tymi u doli edhe nga koka. Ushtrinë me të gjitha përgatitjet e bënë gati dhe u nisën drejt Kosovës. Grenelli Kurtin e quajti edhe fashist.

EU me Borrellin dhe Laçakun të pezmatuar me Kurtin që s´po i pranonte kushtet e Serbisë, e sanksionuan Kosovën.

Opozita po ashtu u ngrit dhe e akuzoi Kurtin se na prishi me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Amerikën. E ka izoluar Kosovën dhe po e rrezikon paqen në tërë rajonin. Kurti është mashtrues. Kurti është gënjeshtar. Ai nëse vazhdon kështu do të na sjell Serbinë në Kosovë etj. etj.

Derisa ishim ne në pushtet funksiononte gjithçka në suaza normale, kurse me ardhjen e tij, gjithçka e ka përmbysur.

Escobar u qartë dhe tha se Asociacioni do formohet me Kurtin ose pa Kurtin. Ramës i dukej se të tjerët pështymën kundër Kurtit po e hudhin  më larg se ai, prandaj vrapoi t´u hynte në bythë ndërkombëtare dhe e formoi vetë draft statutin e Asociacionit. Kori diplomatik e duartrokiti për gjestin e tij internacional, proserb.

Serbia nuk u përmbajt dhe e futi grupin e parë të diversantëve në veri. U zhvillua një luftë një ditore. Duke iu kundërvënë diversantëve dhe duke e mbrojtur atdheun heroikisht ra rreshteri policor Afrim Bunjaku, kurse paramilitarët serb u tërhoqën ( me marrëveshje, apo pa marrëveshje) duke lënë tre të vdekur dhe municion të shumtë luftarak.

Kurti prapë u shpall fajtorë se po i nxitë serbët për luftë. Ky nuk u ndal me kaq. Tash i mbylli edhe bankat serbe në veri dhe ua ndaloi dinarin serb. Sërish Serbia dhe Rusia u ngritën në këmbë. I dërguan ultimatum perëndimit, ose ndaleni Kurtin, ose do ta ndezim luftën.

Ambasadori amerikan Hovenier, Ambasadorët e Quintit, Grenell, Eskobar, Borrell, Lajqak, Rama, EU, SHBA dhe perëndimi u alarmuan duke e akuzuar Kurtin: do me na fut në luftë edhe me Rusinë, kur ne jemi në hall si t´ia bëjmë me Ukrainën.

Tash së fundi u aktivizua sërish edhe opozita dhe po e kërkon çdo ditë dorëheqjen e Kurtit. Po të kërkonin zgjedhje të lira dyshojnë se do të fitonin ndonjë votë, po me dorëheqjen e Kurtit, po llogarisin se i shtojnë gjasat ta marrin pushtetin dhe ta shpëtojnë Kosovën.

Do t´i rregullonin punët me EU dhe SHBA. Do ta normalizonin gjendjen në veri, do ta aprovonin Asociacionin dhe pse jo, nëse u kërkon bashkësia ndërkombëtare, do ta rehabilitonin edhe Radojqiqin, që ai ta udhëheqë Asociacionin. Gjithçka do të ishte si më parë. Që të ndodh kjo, kërkohet vetëm dorëheqja e Kurtit. Mësyni shqiptar (kundër njëri – tjetrit) se u ka ardhur dita.

Mars – Rover(Satirë)

Lini një Përgjigje

Spanja: Ndryshe për Palestinën e ndryshe për Kosovën

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut