in

Rusia nis një ofensivë të papritur në veri të Ukrainës

Ukraina njoftoi se ka zmbrapsur një sulm të befasishëm rus me blinda në rajonin verilindor të Kharkivit, ku forcat e Moskës nisën një inkursion përtej kufirit dhe u përpoqën të depërtonin në brendësi të linjave mbrojtëse. Kreu rajonal i Kharkiv, Oleh Syniehubov tha se grupet ruse të zbulimit ishin përpjekur të depërtonin në kufi, duke shtuar se megjithatë “asnjë metër i vetëm i vendit nuk ka humbur”.

“Rusia ka nisur një valë të re operacionesh kundërsulmuese në sektorin e Kharkiv”, – tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Komandantët ukrainas e kishin pritur një ofensivë verore prej disa kohësh, ndoshta edhe një përpjekje për të kapur kryeqytetin rajonal të Kharkiv. Por zyrtarët janë të bindur se Rusia nuk i ka ende burimet për ta bërë këtë.

Rusia pati aftësinë për të përkeqësuar situatën në zonat kufitare, por jo aq sa të kapte qytetin e dytë të Ukrainës, tha kreu i qendrës për luftën kundër dezinformatave, Andriy Kovalenko. Raportimet ukrainase sugjeruan se Rusia po përpiqej të krijonte një zonë tampon 10 km për rajonin e saj të Belgorodit, pas një serie sulmesh ndërkufitare ukrainase.

Ministria e Mbrojtjes në Kiev tha se sulmi filloi me bombardimin e rëndë të qytetit të Vovchansk “duke përdorur bomba ajrore të drejtuara” me mbështetjen e artilerisë. Më pas, “grupet e vogla skautuese” ruse u zhvendosën përtej kufirit në disa vende.

Kreu lokal i qytetit Vovchansk, 75 km në veri-lindje të Kharkiv, tha se qyteti ishte nën sulm të rëndë që në orët e para të së premtes dhe civilët po evakuoheshin. Rreth 3 mijë njerëz jetojnë në Vovchansk dhe të paktën 1 person u vra dhe 5 të tjerë u plagosën.

“Rreth orës 05:00, armiku bëri një përpjekje për të depërtuar brenda vijës sonë mbrojtëse nën mbulesën e mjeteve të blinduara. Deri tani, këto sulme janë zmbrapsur, luftimet me intensitet të ndryshëm vazhdojnë”, – tha ministria e mbrojtjes.

Presidenti Zelensky tha se një betejë e ashpër ishte duke u zhvilluar. Civilët po evakuoheshin ndërsa trupat rezervë po lëviznin, shtuan zyrtarët. Të premten, SHBA njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën. Ky do të jetë kësti i tretë i ndihmës së Uashingtonit për vendin pas muajsh bllokimi politik dhe vonesash – duke i shtuar paketës së mëparshme me vlerë gjithsej 7 miliardë dollarë të dërguar në fund të prillit.

Lini një Përgjigje

Fjalimi i Ramës me rastin e fillimit të punimeve për kampin e refugjatëve!

Grabiten turistët italianë, Vlora Marina mbulon vlerën e grabitur