Autoritetet ruse kanë përshkallëzuar persekutimin e Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë Rusinë, duke arrestuar së paku 313 njerëz. Pothuajse dy të tretat e të cilëve janë dërguar para gjyqit vetëm në 12 muajt e fundit, thotë raporti i organizatës për të drejtat e njeriut ‘Human Rights Watch’. Dëshmitarët e Jehovait akuzohen për ekstremizëm dhe për dyshimin se kanë rifilluar aktivitetet në Rusi në mënyrë të paligjshme pavarësisht se Gjykata e Lartë Ruse vendosi një ndalim zyrtar në 2017-ën që thoshte se Dëshmitarët e Jehovait kanë nxitur urrejtje duke “propaganduar ekskluzivitetin dhe epërsinë” e besimeve të tyre fetare. Më shumë se 400 Dëshmitarë të Jehovait janë vënë në shënjestër të agjencive të zbatimit të ligjit në Rusi që nga ajo kohë. Vendimi i gjykatës është kritikuar gjerësisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, si ato ruse poashtu edhe ndërkombëtare, që e kanë quajtur shkelje të të drejtave të njeriut si dhe diskriminim të paligjshëm të një pakice fetare.
Sipas Yaroslav Sivulskiy, sekretar shtypi për Dëshmitarët e Jehovait në Rusi, disa mijëra nga 175,000 Dëshmitarët e Jehovait të vendit kanë lëshuar vendin që nga dhënia e vendimit. Anëtarë të këtij grupi fetar u janë nënshtruar arrestimeve masive në të gjithë Rusinë, dhe shumë prej tyre janë dënuar me burgim nga dy, gjashtë e deri në 10 vjet , për aktivitete të thjeshta si udhëheqja ose pjesëmarrja në takimet e lutjes. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve vazhdimisht ka kritikuar trajtimin çnjerëzor të këtij grupi në Rusi. Ata thanë se zyrtarët në qytetin perëndimor të Siberisë, Surgut, që kishin mbikëqyrur marrjet në pyetje, kishin parë së paku shtatë Dëshmitarë të Jehovait duke u torturuar me mbytje në ujë, goditje elektrike dhe rrahjeve.Megjithëse Presidenti rus Vladimir Putin i cilësoi si “marrëzi të plota” pyetjet nga këshilli i Kremlinit për të drejtat e njeriut lidhur me këtë persekutim, arrestimet e Dëshmitarëve të Jehovait vazhduan edhe më tej.
“Dëshmitarët e Jehovait janë gjithashtu të krishterë, kështu që unë nuk e kuptoj pse duhet të persekutohen” tha Putini në atë kohë. Putini është një i krishterë ortodoks dhe kisha ortodokse ruse shihet si organizata fetare më e fuqishme politike e vendit. Agjencitë ruse të zbatimit të ligjit dihet se shpesh përdorin legjislacionin anti-ekstremizëm që ka një definim të gjerë dhe të hapur për interpretim, si çekan për të shënjestruar zërat kundërshtues me përndjekje penale që shihen si të motivuara politikisht. Human Rights Watch / CBS