Klodi Stralla
Pa pretenduar të bëj historianin, duke marre shkas nga një polemike edhe në rrjetin social Facebook, se a ishim ne, shqiptarët, të pushtuar apo jo nga osmanët për afro pesë shekuj, po sjell diçka modeste në lidhje me historinë e të krishterëve ortodoksë në Perandorinë osmane. Historia nuk është aq bardh e zi sa e idealizuan Rilindasit tanë për efekte pragmatike të pavarësimit.
Me pushtimin e Bizantit (Kostandinopojës) nga sulltan Mehmeti i II-të më 1453, osmanët, për nevojat e tyre pragmatike, shkatërruan vetëm strukturat shtetërore bizantine, ndërsa me Kishën Ortodokse – Partriarkanën, bënë atë që Historia e njeh si “Kompromisi i Madh”.
Osmanët krijuan institucionin e Miletit, që ishte një bashkësi fetare e njohur nga pushteti osman dhe që, nën përgjëgjesinë e kryetarit të saj – Patriarkut Ekumenik të Stambollit – vetadministrohej në fusha që kishin të bëjnë me teologjinë dhe moralin, por që iu konformoheshin ligjeve të perandorisë për çështje të tjera.
Të gjithë të krishterët ortodoksë të perandorisë u quajtën “Rum Milet”, ose Mileti roman. Në krye të tij ishte Patriarku Ekumenik që zgjidhej nga Sinodi i Shenjtë dhe miratohej nga Sulltani. Ky patriark Ekumenik ishte pjesë e Divanit (Këshillit të Ministrave) dhe emërtohej Pasha me tre tyqe. Ai administronte problemet fetare, familjare, arsimore dhe veprat bamirëse të komunitetit të vet kristian.
Në ritualet e lutjeve kishtare, në të gjitha kishat e perandorisë, i luteshin Zotit, Perendisë, që t’i jepte jetë të gjatë Sulltanit për të mirën e perandorisë (pak a shumë e ngjashme me Kishën në kohën e Mbretërisë dhe Komunizmit, para vitit 1967, për ata që e mbajnë mend atë kohë). Pra Elita fetare e Fanarit pranoi t’i “shërbente” perandorisë duke marrë si shpërblim administrimin e të krishterëve në disa fusha, duke pasur edhe përfitime pasurore (sulltani i njohu kishës pronat e saj – manastiret). Për rrethanat e kohës, kur osmanët ishin në ngritje të fuqisë së tyre ushtarake, kjo ishte zgjidhja më e mirë.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur edhe reprezalje nga ana e osmanëve mbi popullsitë e krishtera, apo “flirte” të këtyre të fundit kundër turqve me shtete të tjera ortodokse si Rusia, gjatë bashkëjetesës rreth 500 vjeçare.
Një status të tille Mileti patën edhe Armenët, edhe Çifutët (jahudi milet). “Rum Mileti” përfshinte të gjithë popullsitë e krishtera Lindore: greke, bullgare, serbe, shqiptare dhe vllehe. Këta ishin tre Miletet e njohura ligjerisht nga pushteti osman. Theksoj se, megjithëse Perandoria osmane pati nën administrim edhe katolikë, nuk u krijua ndonjë milet i tillë.
E gjithe popullsia e perandorisë ndahej në dy grupe: “moslemët” (besimtarët), që ishin qytetarë të dorës së parë, sundimtarë, dhe “zimmët” (persona të mbrojtur prej të parëve), pra qytetarë të dorës së dytë. Te parët kishin një prejardhje të dyfishtë: aziatike – turkomanët që ishin etnikisht turq, çerkezë, tartarë dhe të konvertuarit, ballkanas, të krishterët – grekë, bullgarë, serbë, shqiptarë dhe vllehë.
Raportet muslimanë dhe të krishterë nga njera anë dhe të konvertuar në muslimanë dhe turq origjinalë nga ana tjetër, kanë qenë raporte që ruheshin me kujdes nga ata që e njihnin mirë funksionimin e perandorisë (kujtoni se sa njerëz kërkonin të bëheshin anëtarë partie në kohën e Komunizmit, por Partia nuk i bënte të gjithë).
Sulltanët me qëllim që të neutralizonin pushtetin e aristokracisë me origjinë turkomane, konvertonin në muslimanë, të krishterë që dalloheshin në shërbime ndaj perandorisë, duke i ngritur ata deri në shkallën më të lartë të Vezirit të Madh (Kryeministrit). Ky ishte institucioni i Kapi Kullarive dhe Jeniçerëve.
Me fuqizimin në Verilindje të Rusisë ortodokse, në kohën e Pjetrit të Madh dhe Katerinës së II-te dhe në Veriperëndim të Austro-Hungarisë katolike, në kohën e Mari Terezës, filloi edhe ndikimi i tyre mbi Ballkanin osman. Të krishteret katolikë dhe ortodoksë të Ballkanit ishin në objektivin e politikave të tyre. Në këtë periudhë, nën ndikimin dhe nxitjen nga jashtë, lindi edhe ideja e shteteve kombëtare për popujt ballkanikë, duke filluar së pari me Serbinë më 1806 dhe mandej me Greqinë më 1821, Bullgarine më 1878 dhe Shqiperinë më 1912; kurse vllehët mbetën pa atdhe nacional për shkak se ishin të shpërndarë në territoret e të katër këtyre popujve.
E njejta gjë është edhe sot në Ballkan, ku Rusia është po ajo në mbështetje të popujve ortodokse, vendin e Austro-Hungarisë e kanë zënë SHBA dhe po ashtu Turqia e sotme ndjek një politikë neo-otomane, bazuar në popullsinë muslimane të rajonit. Në këtë trekëndësh interesash duhet ta gjejnë interesin kombëtar shqiptarët, interes që jo gjithmonë përputhet me atë të fqinjëve.