Gani Mehmetaj
Në përvjetorin e pavarësisë së Dardanisë i vetmi personalitet që duhet të kujtohet e të lavdërohet është Ibrahim Rugova, presidenti i parë dhe i fundit karizmatik i Dardanisë. Ai e themeloi shtetin, ai i nxori në pah simbolet shtetërore, flamurin e Dardanisë, himnin “Kur ka ra kushrimi n’ Kosovë”, nxori në sipërfaqe veçantitë e dardanëve, na bëri krenarë që jemi shqiptarë, na riktheu në kontinentin e vjetër, aty ku e kishim vendin.
Të tjerët pas tij, që u përpoqën ta zëvendësojnë ishin aksident historik, fatkeqësi kombëtare e shtetit të ri, zhvatës dhe të kriminalizuar. Kot që u matën me hijen e tij, sepse nuk e zunë as nuk e shkelen kurrë hijen. Kot që shpifin e përpiqen të bëjnë paralelizma.
Ata që e lavdëronin dhe i shkonin para varrit këtë e bënin për përfitime personale, që të marrin diçka nga lavdia e tij, të mashtronin dardanët e Rugovës . Por mbetën margjinal.
Ata që e shanin, bëheshin edhe më të vegjël. Vogëlsia e tyre i mbyste, ua zinte frymën, ua hante shpirtin, i frustronte, i çrregullonte. Me frustrimet e tyre e frustronin opinionin. Ata që përpiqeshin të krahasoheshin me te në stilin unë dhe Ibrahim Rugova vuajnë nga ndjenja e vogëlsisë, nga të qenin hiq.
Nëse e përmendin bjeshkën, nuk bëhen të mëdhenj sa bjeshka, prapë mbetën të vegjël. Miu dhe luani kurrë nuk mund të krahasohen. Kolosi dhe xhuxhi janë larg njëri-tjetrit.
Dimri e hanë kashtën, thonë shqiptarët- dardanë . Kur s’ka shi, bënë edhe breshër, thonë me zemër të plasur ata që shohin se si mundi i tyre po shkon kot. Një kohë të gjatë pati thatësi të tmerrshme, e shkretoi Dardaninë me qeverisje të keqe, kriminale, prandaj e kërkuan breshrin. Por mos u mashtroni me breshër.
Zoti e ndihmoftë dhe e bekoftë Dardaninë dhe dardanët në këtë ditë të shënuar.