Pese pjesëtarë të shërbimit ushtarak amerikan vdiqen pasi avioni i tyre u rrëzua në lindje të Detit Mesdhe gjatë një stërvitjeje. Lajmi u bë i ditur nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni ka vendosur një skuadër sulmuese në një aeroplanmbajtëse në zonën e Mesdheut, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar që lufta mes Izraelit dhe Hamasit të përshkallëzohet në një konflikt rajonal.
Rrëzimi i avionit në Detin Mesdhe thuhet se ndodhi të premten në mbrëmje “gjatë një misioni rutinë si pjesë e trajnimit ushtarak”. Këtë e bëri të ditur Komanda Evropiane e SHBA-së në një shënim të publikuar në faqen e saj të internetit. Tashmë kanë nisur hetimet për të rindërtuar dinamikën e rrëzimit, megjithëse komanda në një shënim të mëparshëm përjashtoi që avioni të jetë rrëzuar për shkak të aktiviteteve armiqësore.
“Në respekt për familjet e prekura dhe në përputhje me politikën e Departamentit të Mbrojtjes, identitetet e anëtarëve të ekuipazhit nuk u publikuan deri në 24 orë pas përfundimit të njoftimeve për të afërmit. Një operacion i kërkim-shpëtimit filloi menjëherë nga ushtria amerikane me avionë dhe anije në afërsi të vendit të ngjarjes” – thuhet në faqen e internetit.
Përmes një deklarate Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, shprehu ngushëllimet “për humbjen tragjike të pesë ushtarakëve amerikanë gjatë një aksidenti stërvitor në Detin Mesdhe”. Forcat Ajrore amerikane kanë dërguar skuadrilje shtesë në rajon dhe aeroplanmbajtësja “USS Gerald R. Ford”, e cila ka një sërë avionësh në bord, ka operuar gjithashtu në Mesdheun lindor.