Në vitin shkollor 1988/89 në RS të Maqedonisë u mbyllën të gjitha paralelet e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe dhe në vend të tyre u hapën të ashtuquajtura “paralele të përziera”, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Në fakt, një politikë të tillë kundër arsimit në gjuhën shqipe, autoritetet e Shkupit e kishin paraparë shumë më herët, përkatësisht që në vitin 1985, kur u soll Ligji për “Arsimin e mesëm të orientuar”
Nga Qerim LITA
Në vazhdim ata duke u mbështetur në shkrimet e gazetës së atëhershme në gjuhën maqedonase “Nova Makedonija” por edhe nga shkrimet e mjeteve tjera të informimit, kishin qenë të informuar se me aktin e përmendur të Radio Televizionit të Shkupit (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe), ishte vendosur që në emisionet në gjuhën shqipe, “toponimet në RS të Maqedonisë të shqiptohen vetëm në bazë të rrënjës (indit) leksikore të gjuhës maqedonase”, që kjo praktikisht nënkuptohet “ndalim dhe përjashtim i përdorimit sipas toponimeve tradicionale të gjuhës shqipe dhe një gjë e këtillë bëhet pikërisht aty ku emisionet gojore janë vetëm në gjuhën shqipe”. Sipas tyre, akti kontestues i Radio-Televizionit të Shkupit (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe), me të cilin shkelen liritë dhe të drejtat kushtetuese që toponimet të shqiptohen dhe të shkruhen në gjuhën e vet amtare “është në kundërshtim flagrant me nenin 170, paragrafi 1 të Kushtetutës së RSFJ-së dhe neni 247 të kësaj Kushtetute”.
Reagime të shumta ndaj këtij vendimi pati edhe nga shoqëria civile shqiptare në Kosovë e Maqedoni, mirëpo udhëheqja komuniste maqedonase nuk e pa të arsyeshme të njëjtin ta tërheqë, përkundrazi, disa institucione, si p.sh. “Prosvetno Dello”, e cila asaj kohe gëzonte të drejtën ekskluzive për botimin e teksteve, përkatësisht të librave shkollor, vazhdoi t’i përdorë toponimet sllave edhe pas viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, që kjo irritonte tej mase opinionin e gjerë shqiptarë në përgjithësi, e mësimdhënësit dhe nxënësit në veçanti.
RRËNIMI I MUREVE
Ndër aktet e vendimet e shumta antishqiptare që udhëheqja komuniste maqedonase i solli gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, gjithsesi se duhet veçuar vendimin për rrënimin e mureve të oborreve, me pretekst se pas atyre mureve fshihet “nacionalizmi e separatizmi shqiptar”. Për këtë qëllim nga kuvendet komunale ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë apo pjesë të konsiderueshme të saj, u kërkua të përgatisin plane të reja urbanistike, me të cilat muret e oborreve nuk mund të ishin më të larta se 120 cm. Përveç rrënimit të mureve me planet e reja urbanistike parashikohej rrënimi edhe i lagjeve të tëra shqiptare, nën pretekst se të njëjtat ishin ndërtuar pa leje, e që pushteti i atëhershëm i njihte si “ndërtime të egra”. Masat e para në këtë drejtim u ndërmorën nga kuvendet komunale të dy komunave të qytetit të Shkupit, komuna Qendër dhe komuna Çair, të cilat në planet e reja urbanistike parashikonin rrënimin e disa lagjeve të pastra shqiptare si p.sh. lagjja e Seravës në komunën Qendër dhe ajo e Dizhonit në komunën Çair. Në qershor të vitit 1988 Kryesia e KQ të LKM-së njoftonte se kuvendet komunale të Tetovës, Kumanovës e Kërçovës, tash më i kishin sjell planet e reja urbanistike, dhe se për momentin veprojnë në “përputhshmërinë e lartësisë së mureve në pjesë të caktuara të vendbanimeve”. Mirëpo, në Informatë thuhet se në raste të caktuara “paraqiten dukuri të reagimeve dhe të rezistencës me këtë aksion”, nga banorët shqiptarë, të cilët nuk e fshihnin pakënaqësinë e tyre ndaj një mase të tillë, e cila ishte e orientuar vetëm kundër tyre, e jo edhe kundër popullsisë maqedonase e të tjerëve. Tërë ajo pakënaqësi e rezistencë, sipas udhëheqjes komuniste maqedonase vinte si “rezultat i ndikimit të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë, informimit të pamjaftueshëm të individëve, traditës, sjelljes së gjatë nënçmuese ndaj ligjshmërisë dhe ekskluzivisht sipas gjendshmërisë dhe interesit vetanak, pa marrë parasysh normat e qarta shoqërore e ligjore”.
Ndihmë të madhe në zbatimin e kësaj politike antishqiptare pushteti komunist pati te mjetet e informimit, veçanërisht te ato në gjuhën maqedonase, të cilat ishin nën kontroll të plotë të pushtetit. Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, në raportin vjetor për vitin 1988, lartësonte angazhimin e jashtëzakonshëm të mjeteve të informimit të kësaj republike jugosllave, për “realizimin e detyrave dhe të qëndrimeve në planin e çrrënjosjes së nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, veçanërisht në zbatimin e Rezolutës për politikën e popullsisë në RS të Maqedonisë dhe “në vendimet e kuvendeve komunale për rregullimin e mureve rrethuese të oborreve, në përputhje me planet urbanistike”. Më tej raporti i inkurajonte mjetet e informimit publik në RS të Maqedonisë që edhe më tej t’i përcjellin masat dhe aktivitetit të pushtetit, për siç thuhej “zbardhjen dhe çrrënjosjen e veprimtarisë armiqësore nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”.
Aksioni për rrënimin e mureve zgjati deri më 18 janar të vitit 1990, kur i njëjti u ndërpre pasi në fshatin Haraçinë të Shkupit, organet e pushtetit maqedonas në mënyrën më mizore dhe të dhunshme ia morën jetën Nuredin Nuredinit, i cili asaj kohe nga shqiptarët dhe jo vetëm, u shpall si dëshmor i parë shqiptar në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Vdekjen e dhunshme e mizore të tij nuk e fshehte as Sekretariati i atëhershëm Republikan për Jurisprudencë dhe Administratë, i cili në Informatën sekrete të lëshuar më 30 janar 1990 ndër të tjerave shkruante:
“…Grupi për rrënim nga Sekretariati komunal për urbanizëm dhe çështje banesore pranë KK Gazi Babë dhe persona zyrtar për asistencë nga SPB për Qytetin e Shkupit SP-92 dhe nga SP – V të Gazi Babës rreth orës13,00 arritën në fshatin Haraçinë në rrugën Mareshali Tito nr. 124 me ekskavatorin e punës. Inspektorët dhe personat zyrtar për asistencë u renditën përgjatë rrugës në anën e kundërt të murit të oborrit të shtëpisë së Selverit vëllait të Nuredin Nuredinit, të cilët para rrënimit nuk kanë qenë të njoftuar për ardhjen e as për datën dhe orën e rrënimit…Tre apo katër minuta pasi kishte filluar rrënimi tashmë i ndjeri Nuredin doli nga oborri për të pyetur se përse ia rrënojnë oborrin. Për një moment është ndalur duke parë se si po i rrënohet shtylla e betonit në një distancë prej rreth 1 metër. Gjatë asaj kohe makinisti i ekskavatorit pasi nuk kishte marrë asnjë shenjë apo paralajmërim nga inspektorët sikurse edhe nga personat zyrtar se në afërsi gjendet Nuredin Nuredini, e rrënoi thuajse tërë murin e oborrit, ku një shtyllë e betonit ra mbi trupin e Nuredinit dhe ia mbuloi tërë trupin kështu që vdiq në vend…”.