Kryeministri Kurti Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ka rrëfyer historinë e një vajze të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, trupi i së cilës përfundoi në lumin Danub në Serbi.
Sipas Kurtit, trupi i vajzës 7-vjeçare së bashku me 85 trupa të tjerë dhe tre koka ishin vërejtur në një kamion që ishte fundosur në lum e ishte gjetur pastaj nga një peshkatar.
“Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vëren një objekt që noton mbi ujë. Është një copë kamioni. Thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare”, tha Kurti para të pranishmëve.
“Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve”, shtoi ai.
Sipas Kurtit, ajo vajzë është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
“Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit. Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha që Kosova asnjëherë nuk do të ndaloj së kërkuari atë vajzë dhe personat e zhdukur gjatë luftës.
“Ndërsa ne e dimë se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne do ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj. Dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99”, tha ai.
Kryeministri Kurti është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Austri, ai dje u prit në takim nga kancelari austriak, Karl Nehammer.