Riza bej Kryeziu
Janë me interes Dokumentet Franceze për Shqipërinë dhe Shqiptarët më 1912, dokumente këto që hedhin më shumë dritë në përpjekjet e Riza Beg Kryeziut – Gjakovës.
Do t’i sjellim këtu ashtu siç janë shkruar nga Konsulli i Francës në Shkup, P. Karle.
Raporti i datës 07 qershor 1912 flet mbi sulmin mbi Pejën nga Forcat kryengritëse shqiptare:
“Natën e 31 majit duke u gdhirë 1 qershori, shqiptarët kanë sulmuar Pejën: luftimi ka vazhduar tërë natën. Të shtunën, më 1 qershor, gjatë ditës ka pasur disa ndeshje të vogla pa rëndësi, por nga ora 9 e mbrëmjes, rreth 20.000 shqiptarë, gjysma e të cilëve ishin të armatosur me “mauzerë” dhe pjesa tjetër me revole, sulmuan garnizonin e Pejës dhe depërtuan deri në Bellopojë. Trupat osmane reaguan energjikisht; prej orës 9 deri më 11 të mbrëmjes u hodhën rreth 70 predha topi, ndërkohë që mitralozat qëllonin pa pushim. Ka pasur shumë të vrarë e të plagosur si nga njëra palë, ashtu edhe nga pala tjetër. Gjatë luftimit, shtëpitë përreth kishës serbe, që ndodhet çerek ore larg qytetit, u shkatërruan, dy xhami u dogjën. Trupat osmane të mbrojtura mirë në llogore u shkaktuan kryengritësve shqiptarë humbje të konsiderueshme”
Në raport më tej thuhet: “…rrethuesve të Pejës, të cilët komandohen nga Riza Begu agjutant nderi i Sulltan Hamitit, dhe Bajram Curri, kolonel në ushtrinë osmane u kishin ardhur në ndihëm si përforcim shqiptarët e Istogut.
Në raportin e Konsullit francez në Shkup të datës 27 qershor 1912, flitet mbi angazhimin e një ushtrie të madhe osmane, siç ishin: Divizioni i Këmbësorisë i Stambollit, përreth Gjakovës , Pejës, Urës së Shenjtë.
Një batalion dhe ca topa që ishin angazhuar në kodrat ndërmjet Pejës dhe Gjakovës. Në Junik, ku ishin mbledhur prijësit shqiptarë, dy batalione… në Zylfaj, Morinë, Krumë; përforcimet nga Prizreni, batalione të angazhuara në Carralevë, Runik, përgjatë rrugës Mitrovicë-Pejë, në Klinë dhe Gurakoc. Praktikisht në të gjitha çerdhet e lëvizjes kryengritëse! Në këtë raport Hasan Beu (Hasan Prishtina), konsiderohej nxitës kryesor i lëvizjes. Në këtë kohë Riza Beg Gjakova ishte në Ponoshec bashkë me Hasan Prishtinën. Ismail Fazil Pasha i kthen negociatorët për bisedime, Mehmet Pashë Tetovën dhe Hoxhë Saidin, duke i refuzuar me pretekst se “s’kishte ç’i duheshin negociatorët si ata!”Konsulli i Francës në Shkup, më 29 qershor 1912, shkruan nga Shkupi për MEMORANDUMIN e nënshkruar nga Riza Beu i Gjakovës, Hasan Beu i Vushtrrisë, Bajram Curri i Gjakovës, Isa Boletini i Boletinit etj…
Konstatohet se ky memorandum është njëfarë tërheqjeje në krahasim me kërkesat e dala nga Kuvendi i Junikut, ngase kryengritja rrezikonte të dështonte.
Raporti i Konsullit Francez në Shkup, Karle, i datës 6 korrik 1912:
“Për të ndëshkuar rebelët, autoritetet kanë sjellë në Shkup të burgosur në një han, gratë dhe fëmijët e krerëve kryesorë myslimanë shqiptarë që kishin dalë në mal: Vejushën e Myrteza Pashës së Prizrenit, gratë dhe fëmijët e Ahmet Beut, të Shaban Beut dhe Jahja Beut të Prizrenit, të Mahmud Zajmit e Ibrahim Zajmit të Pejës, të Qamil Beut të Prishtinës, të Bajram Currit dhe Riza Beut të Gjakovës…”
Në raportin e Konsullit Francez në Shkodër, L. Krajevski, që mban datën 7 korrik 1912, ku bëhet fjalë për situatën “më të fundit”, mes të tjerash, thuhet:
“E nisur në maj me sulme të rralla kundër trupave të vendosura në krahinat e Mjedës e Lezhës dhe e vijuar më tej me luftime në Korthpulë dhe Kallmet, kjo lëvizje u shtri në saje të bashkëpunimit të malësorëve të Bregut të Matit, myslimanëve të bregut të djathtë të Matit dhe atyre të Sanxhakut të Durrësit. Sot vazhdon të zgjerohet me hyrjen në skenë të shqiptarëve nga Gjakova, Puka, Dibra e Luma, ndihma e të cilëve u sigurua nga Riza bej Gjakova. Ky personalitet që më parë ka nisur djalin e vet në Orosh (Fjala është për Ali Beg Kryeziun, djalin më të madh të Riza Beg Kryeziut) për të hedhur bazat e një marrëveshjeje me mirditorët, ka pasur gjatë javës së shkuar në fshatin Shënmri (Zona e Urës së Vezirit) një bisedë me Marka Gjonin e Familjes së Kapedanëve dhe kushëri i Preng Pashës. Marrëveshja u përfundua shpejt dhe si shenjë e vullnetit të mirë, Marka Gjoni dërgoi dy nga nipat…”
Në Raportin e Konsullit të Francës në Shkup, nga Shkupi, më datë 17 korrik 1912, dërgohet një Memorandum i ri i krerëve shqiptarë, po nga ata që përpiluan Memorandumin paraprak, që e kishte dërguar Konsulli P. Karle me raportin e tij të datës 29 qershor 1912. (Këto Memorandume janë dhënë në “Dokumentet franceze…”, të cilat i zgjodhi, përgatiti dhe redaktoi prof. dr. Muhamet Shatri, Prishtinë 2004). Në këtë Raport, Konsulli P. Karle, në mes të tjerash, shkruan:
“Hasan Beu, kolonel Riza Beu (Riza Beg Kryeziu – Gjakova;) dhe bejlerët kryesorë, tanë ndodhën në Gjakovë dhe, në marrëveshje me oficerët e Divizioneve 1 dhe 21, i kanë dërguar telegram Sulltanit për t’i kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe dorëheqjen e gjithë Kabinetit. Posa mori vesh për këtë telegram, gjeneral Ismail Fazil Pasha urdhëroi gjeneral Said Beun, drejtues i korpusit në Shkup, të mblidhte sot pasdite në Klubin Ushtarak të gjithë oficerët e Garnizonit të Shkupit dhe t’u kërkonte se cilët prej tyre ishin përkrahës të Qeverisë dhe cilët kundërshtarë.“Në ditët e para të korrikut, Riza Beu (Riza beg Kryeziu) i solli kryengritjes në ndihmë shqiptarët e Lumës, të Dibrës dhe të Pukës”, shkruan Koloneli Mokorp, atashe ushtarak në Ambasadën e Francës pranë Portës në Stamboll. Kjo letër mban datën – Stamboll, 23 korrik 1912.Në këtë letër kemi edhe shënimin:
“Isa Boletini, pas disfatës në afërsi të Mitrovicës, kaloi në Luginën e Llapit, e cila me thirrjen e tij u ngrit e gjitha në këmbë: duke iu bërë thirrje kontingjenteve të Hasan Beut dhe të Riza Beut (Hasan Prishtina, Riza Beg Kryeziu) ai arriti të grumbullonte rreth dhjetë mijë burra, me të cilët mund të nxinte Grykën e Kolonjës (?) duke izoluar në këtë mënyrë trupat që ndodheshin në Bodivat ” Në shtesën e letrës së tij, ministri i Francës në Serbi, shkruan:
“P.S. 29 korrik (1912-M.B.).
Nga lajmet që më vijnë prej Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme, gjendja vijon e qetë në Prishtinë. Shqiptarët duket se kanë deklaruar se nuk kërkojnë as heqjen e sulltanit, as shkëputjen e krahinave shqiptare prej Perandorisë Osmane. Komisioni i dërguar nga Konstantinopoja duket se është pritur mirë; krerët e ftuar për të biseduar me të kanë qëndruar në qytet, duke i shpërndarë çetat e tyre nëpër fshatra; delegatët nga Dibra, Manastiri e Luma po priten me padurim. Një gjendje paqësore mbretëron në gjithë ‘Serbinë e vjetër’, me përjashtim të Gjakovës, ku krerët lokalë Riza Beu (Riza Beg Kryeziu – Gjakova) e Bajram Curri japin shenja agresiviteti. Isa Boletini dhe krerët shqiptarë kanë hyrë qetësisht në Mitrovicë e Gjilan, ku janë pritur nga trupat osmane dhe kajmakami. Flitet për disa trazira në Lezhë, Krujë e Durrës…”
Konsulli Francez në Shkup, P. Karle, më 29 korrik 1912 dërgon nga Shkupi raportin e tij të zakonshëm drejtuar Z.R. Puankare, Kryetar i Këshillit të Ministrave…, mes tjerash ai shkruan:
“Bajram Curri dhe Riza Beu (Riza Beg Kryeziu – Gjakova), që për momentin janë dy (…) më shumë njerëz, janë shkëputur nga Hasan Beu (Hasan Prishtina) dhe anojnë nga një veprim energjik i menjëhershëm, nëse nuk u plotësohen nga Komisioni shumica e kërkesave, kryesisht amnestia e përgjithshme, emërimi i një shqiptari si guvernator i përgjithshëm, dërgimi në Shqipëri i një shumice funksionarësh shqiptarë ose, të paktën, që të flasin shqipen, e cila duhet të jetë gjuhë zyrtare në rajon, së fundi shërbimi ushtarak rajonal…”
Konsulli Francez në Shkup, më 31 korrik 1912, i raporton Z.R. Puankare:
“Bajraktari Bajram Curri ka pushtuar Gjilanin më 28 korrik (1912). Ai ka hapur burgjet dhe ka liruar të gjithë të burgosurit. Me urdhër të bejlerëve tregjet janë hapur në gjithë Shqipërinë. Bisedimet me anëtarët e komisionit të dërguar nga Qeveria kanë filluar më 29 korrik pasdite në Prishtinë. Bajraktarët e mbledhur në këtë qytet dhe që marrin pjesë në bisedime, janë: Hasan bej Prishtina, Riza Beu i Gjakovës, Zejnullah Beu i Vushtrrisë, Xhemal Beu i Prishtinës, Idriz Seferi nga Gjilani, Mehmet pasha i Tetovës, Isa Boletini i Boletinit të Mitrovicës, Bajram Curri i Gjakovës, myftiu i Preshevës, Jahja Efendiu i Prizrenit. Këtyre bajraktarëve u duhen shtuar disa krerë nga Luma dhe nga Malësia e Gjakovës. Duhet vënë në dukje se ndërmjet kryengritësve ndodhen shumë katolikë të ardhur nga Malësia.”
Këto personalitete që u thanë më sipër nuk ishin “bajraktarë”, edhe pse secili kishte një ndikim në fiset shqiptare të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit.
Kolonel Mokorp, atashe ushtarak në Ambasadën e Francës pranë Portës Osmane i drejtohet Ministrit të Luftës, nga Stambolli, me këtë raport:
Letra nr. 500, Stamboll 7 gusht 1912 – “…Ndërmjetës për palën shqiptare janë caktuar Hasan Beu nga Prishtina, Riza Beu nga Gjakova, Zejnullah Beu nga Vushtrria. Xhemal Beu nga Prishtina, Idriz Seferi nga Gjilani, Mehmet Pasha nga Tetova, Isa Boletini nga Boletini, Bajram Curri nga Gjakova, myftiu i Preshevës dhe Jahja Efendiu nga Prizreni. Këtyre duhet t’u shtohen disa të parisë së Lumës dhe të Malësisë së Gjakovës, disa prej të cilëve përfaqësojnë katolikët.”
Raporti i Konsullit të Francës në Shkup i datës 31 korrik dhe ai i Kolonel Mokorpit, Atasheut Ushtarak në Ambasadën e Francës në Stamboll, i datës 7 korrik, për sa iu përket personaliteteve të caktuara për bisedime me anëtarët e Komisionit të Qeverisë, po sa e ardhur në pushtet, pajtohet plotësisht.
Konsulli Francës në Shkup raporton Ambasadorin e Francës në Stamboll, Bompar. (Aneksi III i letrës nga Shkupi, nr. 101) Aneksi mban datën 17 gusht 1912, në mes të tjerash, shkruan:
“…Sikur e njoftova Shkëlqësinë Tuaj me telegramin nr. 25 të datës 14 të këtij muaji, kolonat e komanduara nga Isa Boletini, Idriz Seferi, Riza Beu (Riza Beg Kryeziu –Gjakova) dhe Bajram Curri, që kanë 12.000 burra të armatosur me pushkë të mira dhe me një sasi fishekësh, hynë në Shkup më 13 e 14 gusht. Më datë 14 në orën 4 mbasdite, me urdhër të Isa Boletinit, shqiptarët hapën burgun e madh dhe 1.200 të burgosur që ndodheshin aty i lanë të lirë. Pashë disa nga këta të burgosur që dolën me pranga nëpër këmbë. Autoritetet nuk u bënë asnjë rezistencë çetave shqiptare dhe Valiu që sapo ka ardhur në Shkup është bërë me ikë nga frika dhe ka deklaruar se është krejtësisht i pafuqishëm. Çdo ditë vijnë çeta të tjera, këmbë ose me tren; dje erdhën me tren nga Ferizaj Marka Gjoni, kryetar i mirditorëve dhe Ibrahim bej Toptani, kryetar i bejlerëve të Tiranës. Shoqëroheshin nga 200 burra të armatosur.
Lidhur me gjendjen e bisedimeve që zhvilloheshin midis shqiptarëve dhe Qeverisë, është krejtësisht e pamundur të merren informata të sakta; çdo gjë është e errët dhe vetë krerët dukën si të paaftë për të saktësuar kërkesat e tyre. Sidoqoftë, kur u vendos për marshimin drejt Shkupit, pati mospajtim mendimesh midis bejlerëve. Bajram Curri, Riza Beu, Isa Boletini dhe Idriz Seferi donin t’i sillnin me çdo kusht njerëzit e tyre në Shkup, ndërsa Hasan Beu ka qenë gjithmonë kundër këtij plani dhe, për të protestuar, në vend që të vinte në Shkup, u nis për në Prishtinë te Komisioni…”