in

Rikujtim për Xhemil Dodën (22.04.1915 – 09.03. 1976)

Shkruan: Skënder Zogaj

Në gazetën Rilindja, të datës 1 korrik 1989, pena e artë e gazetarisë kosovare, Maksut Shehu, të shkruar me pjalmin e zemrës, ka botuar shkrimin përkujtimor me titullin “Me një gur s’bëhet mur”, kushtuar njërit nga personalitetet e mëdha të artit, kulturës, letërsisë dhe atdhetarisë, Xhemil Doda.

S’e ç’ma tundi përmallimin ky shkrim dhe më ktheu në moshën e rinisë sime, kur si gjimnazist në Prizren, me shokët e mi, “djemtë e parahatshëm”: Pashk Laçi, Salajdin Krasniqi, Qerim Zogaj, Abaz Fejzullahu, Azem Kokollari, Musli Kuqi, etj. e thoshim bukur zëshëm : Kosova është Shqipëri!? 

Shkrimi i Maksut Shehut ma përkujtoi portretin e skalitur të burrit mendje ndritur, të urtë e fisnik,      aristokrat i vërtetë shtatëqind dërhemësh, me zemër e mendje plot zjarr përvëlues përbrenda, që s’heq dorë kurrë nga ëndrra për të qenë gur në murin e kullës nga e cila pastaj: fjalë mbi fjalë e gurë mbi gurrë të bëhet kalaja! 

Pikërisht si Kalaja e Prizrenit i madh dhe kryelartë ishte dhe qëndron edhe sot e gjithmonë, Xhemil Doda intelektuali ekselent: shkrimtari, poeti, romansieri, dramaturgu, oficeri, profesori, aktori, regjisori e atdhetari i paepur, flakadani i ruajtjes së shpresës së mirë, kur erërat e stuhishme e kishin mbërthyer shqiptarin dhe po e mbanin të përthekuar në grusht, si një zog të vogël. I gjatë dhe shtat drejtë, tek ecte nëpër kryesheshin e Prizrenit, mënyra e ecjes së tij ishte e tëra si ajo e heronjve në këngët kreshnike, që neve që e shikonim nga anash rretherrotur, sikur na thoshte: “Mos ngurroni të qëndroni! S’kanë ç’na bëjnë! Zogu është i vogël por e ka zemrën të madhe. Nuk do të mund ta mposhtin kurrë, sepse: nëse e kallin nga hiri i vet ringjallet përsëri!” 

Kështu frymonte dhe komunikonte me ne mendja plot dritë dhe zemra bujare e Xhemil Dodës, të cilin UDB-a e kishte therrë në sy dhe e ndiçte këmba-këmbës e të kontrolluar – përkthyesin e rrezikshën të administratës komunale të Prizrenit. Maksut Shehu e kujton me kujton me admirim mikun e vet: nëpër brengat e përditshme e pëtej brengash, ndër cakërime gotash e këngësh në përsëritjen e përhershme, deri në katarzë: “Kënga është gaz e  lot, gëzim e helm!» – me mallëngjim evokon Maksi mikun Xhemil Doda, që vërtetë ishte burr-gur kristal për unur, rrezatues i pa shoq që… kurrë nuk u lodh së vepruari, edhe pse e dinte se “Me një gur s’bëhet mur”, por ishte i bindur se në qëndresën e njeriut është fryma e shpirtit më forcën e gurit që i jep bukuri valëvitjes së flamurit. 

Këtë qëndrim të Xhemilit e vërteton edhe miku, bashkëveprimtari dhe kolegu Ismajl Bytyqi, i cili në ditarin e kujtimeve pshkruan: “…kam qenë me fat që zyra ime ishte afër zyrës së profesorit tonë të nderuar, z. Xhemil Dodës, i cili aso kohe ishte si përkthyes pranë Kuvendit të Komunës dhe çdo herë jemi konsultuar dhe kemi biseduar me të për shumë probleme, veçmas kur kishte të bënte me arsim e kulturë, siç ka qenë rasti i hapjes së shkollave në Zhupë të Sreckës: Mushnikovë, Skorobisht, Gërnçar, pastaj për emërimin e klubit letrar të qytetit me emrin “Fan S. Noli”, i Shkollës Fillore të Zymit me emrin “Shtjefën Gjeçovi”, e tjera emërime entesh e institucionesh ku ndikimi i Xhemil Dodës ka qenë shumë i madh…”

Sigurisht! Fjala dhe mendimi i Xhemil Dodës ishin me peshë guri, që peshon në mur e urë, prandaj, ishte i padëshiruar nga regjimi i kohës, që mundohej ta mbante të nënshtruar, por Xhemil Doda nuk u lig, s’u ndal kurrë, natë e ditë me letra në duar, shkrim-lexim dhe varg veprash, dramat: “Halit Gashi”, “Malësori”,  “Pasojat e alkoolit”,“Kryqi i thyem”, “Forumi i korruptuem”, “Jeta studenteske”,  “Papuçja e vjehrrës”, “Lamshi mbrapa sqenës”, “Thonjtë e maces”, etj., pastaj romani “Jeta e një gjimnazisti”, shtatë tregime e novela dhe një tufë vjershash të bukura  në dorëshkrim e të botuara në periodikun e kohës, që vet autori i deklamonte me shumë sharm nëpër takime letrare e në ndeja shoqërore.

Krijuesit letrarë e teatrorë të Kosovës, profesionistët dhe amatorët, përfitojnë shumë nëse e shfletojnë krijimtarinë e pasur letrare të Xhemil Dodës, që edhe sot ka çfarë të thotë…

Lini një Përgjigje

Vuçiqi ishte me dorë të paralizuar, prandaj nuk mundi ta firmoste marrëveshjen!

Ukë Rugova lirohet nga akuza për rastin e vizave italiane, reagon bashkëshortja e tij