in

"RËNDËSIA HISTORIKE E KUVENDIT TË ARBËRIT."

Koncili provincial ose kombëtar shqiptar, i njohur kryesisht si Kuvendi i Arbrit, që është mbajtur më 14 dhe 15 janar të vitit 1703 (asokohe ishte e diela e dytë e Epifanisë) pikërisht këtu, pranë kishës mesjetare të Shën Gjon Pagëzorit, në Mërqi, është kuvendi i dytë më i rëndësishëm pas atij të Besëlidhjes së Lezhës të vitit 1444. N.q.s. në Lezhë u hodhën bazat për krijimin e një shteti të mirëfilltë arbër, duke mundësuar bashkimin e parë politik, ushtarak dhe ekonomik në historinë e popullit shqiptar; këtu në Mërqi u vendos një gur i rëndësishëm themeli për mbrojen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar të arbërve përballë zgjedhës së rëndë të robërisë nën turqit osmanë dhe depërtimit të dhunshëm të islamizmit, i cili kishte arritur fazën e tij kulmore në fund të shek. XVII e fillim të shek. XVIII. Organizimi i këtij koncili kishtar ishte iniciativë personale e Papa Klementit XI (Giovanni Francesco Albani) me origjinë shqiptare, i cili ishte papa i 243 i Kishës Katolike dhe qëndroi në krye të Selisë së Shenjtë, duke nisur nga data 23 nëntor e vitit 1700, kur u zgjodh Papë, dhe deri sa ndërroi jetë më 19 mars të vitit 1721. Për origjinën e tij arbëre, pra shqiptare, nuk ka asnjë lloj dyshimi, sepse familja fisnike “Albani” në Urbino, e ka prejardhjen nga dy luftëtarë të Gjegj Kastriotit-Skënderbeut, Gjergjji dhe Filipi, dy djemtë e Mëhill Laçit, të cilët, duke mos pranuar të jetojnë nën zgjedhën turke, u detyruan të braktisin atdheun dhe u strehuan në Urbino, ku aftësitë e tyre të vyera ushtarake ua ofruan Frederikut dhe Guidobaldit të Montefeltros.

Punimet e Kuvendit të Arbrit, u zhvilluan nën udhëheqjen e Imzot Vinçens Zmajeviç, me detyrë si arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë dhe Vizitator apostolik në Shqipëri. Nga lista e pjesëmarrësve të tjerë kryesorë, ishin:

1. Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emëruar i Shkupit.

2. Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Sapës.

3. Imzot Nikollë Vladanji, Ipeshkëv i Lezhës.

4. Imzot Ndue Babi, Ipeshkëv i emëruar i Shkodrës.

5. Imzot Marin Gjini, Ipeshkëv i zgjedhur i Pultit.

6. Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve të Arbërisë.

7. Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.

8. Atë Fra Martini nga Gjonima, i pari i Provinçes së Fretënve.

Aktet e Koncilit u hartuan nga Imzot Vinçenc Zmajeviç dhe u botuan në Romë në vitin 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa në gjuhën latine, u botua në Romë i përkthyer nga shkrimtari shqiptar, Dom Engjëll Radoja, në vitin 1868, dhe u përsërit nga i njëjti autor më 1872. Teksti origjinal i botuar më 1706 ka formatin 8° “21 x 15 cm” dhe në total ka 125 faqe, nga të cilat, 109 të shënuara sipas numrave rendorë dhe 16 të panumëruara. Duke anaziluar përmbajtjen e tekstit, vihet re se është i ndarë në 4 pjesë:

Pjesa e parë është e ndarë në 10 kapituj, të cilët sipas rradhës, janë:

1. Kapitulli 1 – Mbi ushtrimin e fesë.

2. Kapitulli 2 – Mbi apostatët (braktisësit e fesë katolike.

3. Kapitulli 3 – Për të krishterët, që edhe pse nuk e kanë mohuar fenë, megjithatë botërisht ndjekin fenë myslimane dhe në fshehtësi ushtrojnë fenë katolike.

4. Kapitulli 4 – Në çfarë duhet të dallohen besimtarët nga jobesimtarët.

5. Kapitulli 5 – Mbi mësimet themelore të fesë.

6. Kapitulli 6 – Mbi predikimin e fjalës së Zotit.

7. Kapitulli 7 – Për respektimin e festave fetare.

8. Kapitulli 8 – Për agjërimet e shenjta mbajtjen e tyre.

9. Kapitulli 9 – Për mbajtjen e Krezhmeve.

10. Kapitulli 10 – Mbi betimin e rremë.

PJesa e dytë ndahet në 9 kapituj:

1. Kapitulli 1 – Mbi sakramente.

2. Kapitulli 2 – Mbi pagëzimi.

3. Kapitulli 3 – Mbi krezmimin.

4. Kapitulli 4 – Mbi pendesën.

5. Kapitulli 5 – Mbi eukaristinë.

6. Kapitulli 6 – Vajimi i fundit.

7. Kapitulli 7 – Mbi urdhërin e shenjtë.

8. Kapitulli 8 – Mbi martesën.

9. Kapitulli 9 – Mbi zhdukjen e shpërdorimeve të bashkimeve të paligjshme.

Pjesa e tretë ndahet në 12 kapituj:

1. Kapitulli 1 – Mbi ipeshkvijtë.

2. Kapitulli 2 – Mbi vizitën.

3. Kapitulli 3 – Mbi mënyrën se si duhet vënë në dijeni Kongregacioni i Shenjtë i Propagandës Fide mbi gjendjen e dioqezave.

4. Kapitulli 4 – Mbi kufinjtë e dioçezave të Sapës, të Lezhës dhe të Albanit (Durrës).

5. Kapitulli 5 – Mbi kufijntë e dioçezës së Pultit.

6. Kapitulli 6 – Mbi krahinën e Postribës.

7. Kapitulli 7 – Mbi familjet që nga një dioçezë kalojnë në një tjetër.

8. Kapitulli 8 – Mbi kishat dhe ushtrimin e kultit.

9. Kapitulli 9 – Mbi altarët e vendosur jashtë.

10. Kapitulli 10 – Mbi meshën famullitare.

11. Kapitulli 11 – Mbi paisjet e shenjta.

12. Kapitulli 12 – Mbi varrezat dhe varrimet.

PJesa e katërt ndahet në 6 kapituj:

1. Kapitulli 1 – Mbi famullitarët.

2. Kapitulli 2 – Mbi të ardhurat e famullitarëve dhe mbi administrimin e tyre të drejtë dhe ekonomik.

3. Kapitulli 3 – Mbi nxënësit e Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide.

4. Kapitulli 4 – Mbi etërit misionarë.

5. Kapitulli 5 – Mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës.

6. Kapitulli 6 – Mbi konsultimin e nevojave të përbashkëta të Provincës.

Vendimet që u morën në këtë Kuvend kanë një rëndësi të jashtezakonshme, sepse mbronin identitetin tone kombëtar dhe fetar, shenjtërinë e familjes dhe përcaktonin zbatimin rigoroz të riteve fetare katolike përballë imponimit të Islamizimit nga ana e Perandorisë Osmane. Po ashtu, aktet themelore konsistojnë në ruajtjen e besimit katolik dhe praktikimin e tij në përshtatje me doket dhe zakonet arbëre, kremtimin e meshës se shenjtë në gjuhën shqipe, hapjen e shkollave të reja ne gjuhën shqipe, ruajtjen e shkollave ekzistuese, mirëmbajtjen dhe rindërtimin e kishave katolike arbëre apo ndërtimin e objekteve të reja religjioze dhe arsimore etj. Një element tjetër me rëndësi shumë të veçantë është se për herë të parë në burimet historike, pikërisht në aktet e këtij koncili, dokumentohet emertimi i ri “Shqiptar”, duke shënuar kështu kalimin nga apelativët “Arbër dhe Arbëria” në “Shqiptar dhe Shqipëria”.

Nga Paulin Zefi.

Mërqi, Lezhë.

Dt.15.01.2021.

Lini një Përgjigje

Hoxhaj i shpreh mirënjohje ambasadorit Walker

Hoxhaj e ngre në piedestal Imzot Mark Sopin