in

Realizimet e qëllimshme të politikës komuniste përmes ripushtimit të Tropojës

 

Shkruan: Av. Agron Isa Gjedia

 

 

 Brigada e III-të dhe e V-të Sulmuese e Ushtrisë Nacional Çlirimtare që erdhën në Malësinë e Gjakovës – Tropojë gjatë Luftës së II-të Botërore, bartnin mbi vete misionin e Jugosllavisë së Titos.

Ardhja në Malësinë e Gjakovës – Tropojë, fillimisht e forcave të Brigadës së V-të Sulmuese e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, e pak kohë më pas, më 16 tetor 1944, e Brigadës së III-të Sulmuese të UNÇ, gjë e cila ndodhi pa ndonjë nevojë të vendit tonë e aq më pak të këtij rrethi, ishte jashtë radhës dhe nevojës për veprime të nevojshme në favor të vendit tonë.

Prania e këtyre brigadave partizane në Tropojë, konfirmoi jo vetëm me terma dhe arsyetime absurde, si psh.: për të luftuar armiqtë dhe reaksionarët e jo pushtuesit që ishin në tërheqje, por tregoi edhe praktikisht se ato vepronin si pjesë strukturale e Armatës Popullore Partizane Jugosllave, e urdhëruar dhe dirigjuar verbërisht nga Partia Komuniste Jugoslllave (PKJ) e Titos, me qëllimet e synimet e veta akute dhe me perspektivë, të cilat në shumë pika u interesonin të dyja palëve, duke koresponduar mes tyre si në raportin amë e bijë.

Disa nga këto qëllime ishin si më poshtë vijon:

1) Para së gjithash, misioni i këtyre dy brigadave partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë (Brigada e III-të dhe e V-të), ishte misioni “çetnik” i pushtimit të Malësisë së Gjakovës – Tropojë, për interesa të PKJ-së, që drejtohej nga Josip Broz Tito, për ta bërë atë të parrezikshme, përkundër dëshmive që ajo historikisht, gjithmonë ka qenë kundër interesave të sllavëve në Kosovë dhe në Shqipëri;

2) Si një emergjencë e porositur nga emisarët jugosllavë për drejtuesit e Ushtrisë Nacional Çlirimtare ishte eleminimi i lëvizjes nacionaliste të drejtuar nga Gani beg Kryeziu, lëvizje e cila vepronte në Malësinë e Gjakovës dhe më gjerë në Kosovë, me vendqëndrim në krahinën e Bytyçit. Eliminimi i saj ishte i domosdoshëm pasi konsiderohej si një rrezik potencial i mbajtjes gjallë e aktive, duke i dhënë moral dhe krahë, irridentizmës në Kosovë, sikurse ishin formacionet e armatosura të emërtuara Lëvizje “reaksionare” e Lëvizje “nacionaliste” në veprim;

3) Pas pushtimit të Malësisë së Gjakovës – Tropojë, në vijim të strategjisë për këtë regjion, vinte nënshtrimi përmes diktatit, dhunës, ekzekutimit dhe djegies së shtëpive të fshatarëve, mobilizimit me forcë të partizanëve për t’i dërguar më tej në Jugosllavi, në interesin total të kësaj të fundit dhe me pësimin e dëmit fatal nga ana e shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera të shqiptarëve nën Jugosllavi;

4) Po ashtu, pas pushtimit të Malësisë së Gjakovës – Tropojë, në rendin kryesor të aktivitetit të dy brigadave, ishte ndjekja, eliminimi i forcave tradicionale patriotike, duke qenë se ato konsideroheshin rrezik real për PKJ-në dhe Lëvizjen Partizane në Jugosllavi. Përndjekja dhe asgjësimi i tyre ishte i domosdoshëm në mënyrë që të mos bëheshin mbështetje e forcave patriotike të Kosovës, forca të cilat ishin të organizuara kundër ripushtimit sllavo-komunist e sllavo-çetnik të saj;

5) Qëllim parësor ishte mobilizimi me dhunë i forcave aktive dhe organizimi i tyre nën armë, në rastin më të parë që e kërkonte nevoja e Kosovës. Me këtë veprim bëhej njëkohësisht varfërimi i krahut të armatosur në Malësinë e Gjakovës – Tropojë;

6) Eliminimi i të gjitha forcave të tjera të organizuara nacionaliste në atë trevë, forca të cilat ishin burim i padiskutueshëm në favor të Kosovës, me qëllim që ato të mos ishin të rrezikshme për rivendosjen e regjimit sllav atje. Ky i fundit tashmë mbante siglën komuniste;

7) Në shërbim të këtyre synimeve ishte formimi me hipokrizi, dredhi, mashtrime, dhunë e diktat i Brigadës së 25-të Sulmuese të UNÇSH-së. Formalisht, njësitë e saj drejtoheshin nga tropojanët, kurse faktikisht, drejtimi i saj bëhej nga vrasës e vegla të bindura e të sprovuara, së pari të emisarëve jugosllavë e më pas edhe të vetë drejtuesve të PKSH-së e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një filial i PKJ-së;

8) Pagëzimi i Brigadës së 25-të me luftë vëllavrasëse, kundër të quajturve “armiq” të sllavo-komunistëve jugosllavë, reaksionarë, nacionalistë, irridentistë etj., duke filluar në krahinën e Nikaj-Merturit, në Deçan të Kosovës e me radhë, ishte jo vetëm një ndihmë e pakursyer e PKJ-së, por edhe mënyrë për ta kompromentuar atë për veprimtari të mëtejshme, kryesisht në dëm të çështjes kombëtare shqiptare, duke ua nënshtruar Kosovën sllavëve komunistë;

9) Shfrytëzimin e forcave të Brigadës së 25-të Sulmuese si sllavë, mish për top e më së shumti si instrument të komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Partizane Jugosllave dhe të vetë P.K.Jugosllave, me qëllim që nga ana e tyre të shtrihej ripushtimi dhe sundimi edhe në Kosovë. Kjo do të bëhej pa kosto sllave por më së keqi në mesin ndërshqiptar;   

10) Përvetësimi dhe fitimi i atributeve të pamerituara për çlirimin e Malësisë së Gjakovës – Tropojë. Kjo trevë ishte çliruar nga ana e okupatorit nazi-fashisht që me datën 12 shtator 1944, e jo me datën 16 tetor 1944, kur erdhi ajo Brigadë Partizane në Tropojë;

11) Sfumimi dhe kalimi në harresë i njërës ndër betejat më të mëdha në veri dhe në Shqipëri, sikurse ishte lufta frontale (dhe jo ndjekja në ikje e gjermanëve) e zhvilluar në vijimësi nga fshati Qorraj, Kam, Kepenek, Lajthizë, Zogaj e përfundimisht deri në dyert e qytetit të Gjakovës, duke shënuar njëherësh çlirimin e Malësisë së Gjakovës – Tropojë dhe Krahinës së Hasit;

12) Ardhja e këtyre dy brigadave partizane në Tropojë ishte preludi i pamundësimit të jetësimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit për Kosovën, të cilat ishin edhe në kuadrin e deklamimeve të Konferencës së AVNOJ-it në Jugosllavi. Kjo Konferencë u mbajt me pjesëtarë të të gjitha nacionaliteteve në Kosovë të cilat u shprehën për vetëvendosjen e popullsisë së saj pas mbarimit të Luftës së II-të Botërore;

13) Përvetësimi dhe fitimi i atributeve të pamerituara për çlirimin e Malësisë së Gjakovës – Tropojë nga okupatori nazi-fashisht, veç të tjerash kishte si qëllim edhe mohimin e kontributit të forcave nacionaliste, të partizanëve, të patriotëve e mbarëpopullorëve të kësaj malësie. Për pasojë, pas mbarimit të luftës në Shqipëri, do të vinte deri te një përfaqësim sa më i dobët në qeverisjen qendrore, sikurse edhe ndodhi në të vërtetë;

14) Rasti i ardhjes së dy brigadave, e kryesisht Brigadës së III-të të UNÇSH në atë trevë, pasoi me grabitjen e fitores nga fituesit dhe me vendosjen e pushtetit komunist pa luftë prej tyre në atë rreth, pa gjak, pa votë e pa vullnetin e shprehur lirshëm të popullit në ndonjërën prej formave të mundshme;

15) Ardhja e tyre shënoi futjen e konflikteve dhe luftës vëllavrasëse në Tropojë, për të vijuar më tej, pas largimit të okupatorit, me një luftë të ashpër klasash;

16) Po ashtu, edhe për çmeritizimin e faktit se në Malësinë e Gjakovës – Tropojë ishte ngritur çeta e parë nacionaliste në vend dhe në rajon për luftë kundër okupatorit nazi-fashist, duke qenë e para krahinë në luftë kundër okupatorit nazi-fashist e cila edhe duhej të kishte përparsitë e saj pas çlirimit, me ardhjen e këtyre dy brigadave partizane “çlirimtare” të Tropojës së çliruar. Kështu u bë asgjësimi i çdo merite të saj në luftë;

17) Ardhja e atyre dy brigadave në Tropojë prishi balancën dhe mbarëvajtjen e forcave dhe rrymave të disallojta që vepronin përgjatë gjithë luftës deri në pragun e çlirimit në Malësinë e Gjakovës – Tropojë. Kjo që ndodhi ishte një rast “sui-generis” në shkallë vendi e rajoni;

18) Në Malësinë e Gjakovës – Tropojë, PKSH e pati sa për justifikim e maskë pretendimin e pabazuar të luftës kundër gjermanëve në ikje, kundrejt qëllimit të vërtetë të përdorimit të ardhjes së saj në atë rreth, si një falangë e UNÇJ-së;

19) Pas përdorimit me efikasitet të B 25-S, formuar me tropojanë e hasjanë, e më pas zgjeruar me kosovarë, edhe përmes saj bëri pamundësimin e forcave reaguese kundër kthimit të sllavëve në Kosovë, sikurse quheshin atëherë me emërtimin si forca reaksionare, por nuk e besuan qëndrimin e tyre në Kosovë;

Brigadën e 25-S, ashtu sikurse dhe brigadat e tjera të UNÇSH-së që hynë në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, i dërguan në frontet më të vështira të luftës. Kjo u bë me disa synime, sikurse ishte ajo që Ushtria Jugosllave të marrë merita para ndërkombëtarëve, e paralelisht të bëhet harxhimi dhe degradimi fizik e numerik i tyre drejt eliminimit. Shembulli kulmor për këtë ishte ai i Brigadës së VII-të të Kosovës;

20) Duke e quajtur luftën vëllavrasëse dhe luftën për pushtet si luftë çlirimtare, sikurse ishte 16 tetori 1944 që u quajt data e çlirimit të Tropojës, u krijua një precedent i rrezikshëm ku lufta vëllavrasëse u quajt luftë çlirimtare e jo lufta kundër okupatorit të huaj;

21) Çlirimi i rrejshëm i Malësisë së Gjakovës – Tropojë më datën 16 tetor 1944, dhe tentativa e dështuar e çlirimit të Gjakovës po në atë datë, ishte planifikuar të ndodhte pikërisht në datën e lindjes së udhëheqësit komunist Enver Hoxha e që në krye të herës ishte dhe mbetet një datë politike dhe jo historike;

21) Me qëndrimin e tyre, duke realizuar çlirimin e rrejshëm të Malësisë së Gjakovës – Tropojë, donin të krijonin një rekord të ri, ku për herë të parë në historinë shumëshekullore të Malësisë së Gjakovës – Tropojë, ndodhi që të “importohet” patriotizmi i luftës çlirimtare. Në fakt, Tropoja historikisht është gjendur e gatshme dhe ka kontribuar maksimalisht, çdo herë kur e ka kërkuar nevoja e atdheut, për të marrë pjesë në çdo cep të atdheut etnik të shqiptarëve.

Prandaj, bazuar në sa u rendit më sipër dhe jo vetëm, duhen pranuar publikisht e përjetësisht këto të vërteta, të “groposura” në mashtrim, në injorancë dhe në padijen e popullit shqiptar.

Të kontribuohet sa nuk është vonë për të vërtetën historike që mashtrime të tilla fatale për kombin tonë të mos përsëriten, si dhe të minimizohen pasojat nga humbja e madhe që është bërë nga dezinformimi dhe shtrembërimi i fakteve në këto dekada të gjata.

Av. Agron Isa Gjedia

 

Lini një Përgjigje

Çfarë do të ndodhë me botën, nëse Trumpi e zëvendëson Bidenin?

Evropa e preokupuar si ta ndaloj Rusinë, Ballkani si ta ndaloj Serbinë?