Basri Beka, kryetar
Organizata “Shqiptaria” shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me rezultatet e publikuara të regjistrimit të popullsisë sot me 19.12.224 nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës të cilat nuk reflektojnë gjendjen reale të përkatësisë fetare të qytetarëve në Kosovë. Procesi i regjistrimit ka qenë i shoqëruar me parregullsi dhe shkelje të rënda, të cilat e cenuan integritetin e këtij procesi dhe të drejtën themelore të qytetarëve për të deklaruar lirshëm përkatësinë e tyre fetare.
Organizata Shqiptaria për gjatë procesit të regjistrimit ka marrë raporte të shumta nga qytetarët dhe anëtarët tanë, të cilët kanë deklaruar se regjistruesit e popullsisë, në mënyrë arbitrare dhe pa i pyetur, i kanë regjistruar ata me përkatësinë fetare islam. Për më tepër, pjesëmarrësit nuk kanë pasur mundësinë të konfirmojnë saktësinë e të dhënave të tyre pas regjistrimit, duke e bërë këtë proces edhe më problematik.
Po ashtu, qytetarët që kanë dashur të deklarohen si pjesë e besimit “Shqiptaria” janë përballur me pengesa teknike dhe mungesë të transparencës nga ana e regjistruesve. Në shumë raste, rubrika “Tjetër, specifiko” nuk ka qenë e akcesueshme ose është refuzuar të plotësohet sipas dëshirës së qytetarëve.
Organizata “Shqiptaria” ka ngritur shqetësimin e saj që në fazat e hershme të regjistrimit përmes letrave drejtuar Qeverisë së Kosovës, Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), konferencave për shtyp dhe publikimit të fakteve konkrete që dëshmojnë për keqpërdorimet e regjistruesve. Fatkeqësisht, këto shqetësime nuk u morën parasysh.
Ne deklarojmë se nuk e njohim këtë rezultat si të vlefshëm, pasi ai është i kompromituar dhe nuk pasqyron realitetin e përkatësisë fetare në Kosovë. Për këtë arsye:
1. Kërkojmë anulimin e këtij regjistrimi dhe organizimin e një regjistrimi të ri të popullsisë, të mbikëqyrur nga institucione të pavarura dhe ndërkombëtare, për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.
2. I bëjmë thirrje Qeverisë dhe institucioneve relevante të ndërmarrin masa të menjëhershme për të adresuar këto parregullsi dhe për të ndëshkuar ata që kanë kryer shkelje në procesin e regjistrimit.
3. I drejtohemi organizatave ndërkombëtare, si Amnesty International, për të monitoruar këtë situatë dhe për të ushtruar presion mbi Qeverinë e Kosovës për të respektuar të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare në këtë proces.
Organizata Shqiptaria është e vendosur që të mbrojë të drejtat e qytetarëve për të deklaruar lirshëm përkatësinë e tyre dhe për të garantuar që proceset kombëtare të jenë të drejta, transparente dhe pa ndikime të jashtme.
Organizata Shqiptaria, Prishtinë, Kosovë
Basri Beka