Këtë veprim e konsiderojmë si tendencë për ngufatje të vullnetit të individit për të besuar sipas zgjedhjes personale,
20 Dhjetor 2024,
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e ka realizuar regjistrimin e shumëpritur të popullsisë. Ky është i dyti i realizuar në Kosovën demokratike.Por, ky Census është përshkuar me shumë shkelje. Siç e kemi theksuar edhe më parë, këtu është cenuar e drejta elementare e deklarimit publik të bindjes fetare të individit e garantuar me konventa ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës. Rezultatet dëshmojnë se kemi të bëjmë me një skandal të paprecedent.
Ashtu si në censusin e parë të para 13 vitesh, edhe këtë herë, agjencioni qeveritar për statistika, i ka diskriminuar dy komunitete fetare duke i eliminuar nga pyetësori: Komunitetin Hebre dhe atë Protestant Ungjillor. Këtë veprim e konsiderojmë si tendencë për ngufatje të vullnetit të individit për të besuar sipas zgjedhjes personale. Kjo ka shkaktuar indinjatë tek besimtarët protestantë ungjillorë të Kosovës. Eshtë e papranueshme që në demokraci një qeveri të tregohet kaq hapur kundër qytetarëve të vet mbi bazën e përkatësisë fetare.Duke i parë që në fillim tendencat për manipulime me pasoja të gjithanshme për vendin tonë, KPUK-u pati bërë thirrje që pyetjet e pakuptimta për religjionin të hiqen tërësisht.
ASK-ja nuk duhej të vihej në funksion të agjendave desintegruese ndërkohë që vendi ynë akoma nuk e ka siguruar statusin e kandidatit me strukturat veriatlantike.ASK-ja në mënyrë arbitrare jo vetëm që lëvizi përpara me ato pyetje kontraverse, por akoma më keq, në mënyrë të kundërligjshme hoqi nga lista dy bashkësi fetare të njohura si tradicionalisht ashtu edhe ligjërisht. Siç dihet mirëfilli, dispozitat e Ligjit për Lirinë e Fesë i mbrojnë dhe njohin pesë bashkësi fetare: Islame, Ortodokse, Katolike, Protestante dhe Hebreje.Për këtë, Këshilli Drejtues (KD) i KPUK-ut u detyrua që përmes një reagimi publik të bëjë thirrje për përzgjedhjen e opsionit pesë (5) – “preferoj të mos përgjigjem”. Nga rezultatet del se vetëm 1.5% janë përgjigjur kështu. Ka qenë krejtësisht e panevojshme që popullit t’i shtohet edhe një ngarkesë ndërkohë që ka mundur të qartësohet që nga fillimi.Prandaj, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) edhe një herë e denon me ashpërsinë më të madhe këtë diskriminim fetar. Shifrat e publikuara në asnjë mënyrë nuk e paraqesin realitetin komunitetit tonë në veçanti e të demografisë fetare në përgjithësi. Manipulimet me shifra i bëjnë dëm Kosovës. Asnjë sistem politik e ideologjik nuk mund ta ndalojë bindjen shpirtërore të njeriut.
Pastor Imir Gashi, kryetar