in

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës

 Aktakuza e publikuar nga ana e Gjykatës Speciale, e poshtëron komunitetin katolik në vend,

Pas publikimit të aktakuzës së konfirmuar për krerët e UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale, ne katolikët e Kosovës, jemi ndier të ofenduar.

Më saktësisht fragmenti ku thuhet se midis marsit të 1998 dhe shtatorit 1999, u kryen krime të luftës si: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme me forcë, ndaj viktimave, që konkretisht ishin “serbë, romë, ashkalinj, katolikë, civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe etj”; është poshtërues.

Nuk e dimë se pse ka qenë i nevojshëm përcaktimi i identitetit fetar të viktimave të pretenduara në këtë aktakuzë?!; nuk e dimë nëse kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme për t’i nxitur përçarjet brenda shoqërisë multi-kulturore e fetare kosovare?!; nuk e dimë nëse ky ka qenë një lëshim i paqëllimshëm?!; por e dimë dhe jemi të sigurte që kjo është një e pavërtetë e madhe.

Pse është e pavërtetë? Sepse katolikët shqiptarë, muslimanët shqiptarë, ateistët shqiptarë etj, ishin viktima të regjimit serb, pa përjashtim, sepse: ISHIN SHQIPTARË!

Burgosjet, internimet, torturat dhe së fundi edhe vrasjet çnjerëzore, nuk u kanë shpëtuar as katolikët, e as pjesëtarët e feve të tjera. Vriteshim sepse, po e përsërisim: ishim shqiptarë, jo sepse ishim muslimanë, katolikë, apo ateistë.

Ky ka qenë motivi kryesor që zgjoi revoltën gjithë-popullore, e cila prodhoi atë që u quajt sistem paralel në fillim të viteve 90-ta të shekullit që shkoi. Fillimisht, katolikët, krahë për krahë me të tjerët, u mobilizuan dhe formuan atëbotë lëvizjen politike më paqësore në Ballkan (e ndoshta edhe më gjerë): Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Lista e emrave të intelektualëve katolikë që i kontribuuan vendit gjatë kësaj periudhe, është e gjatë.

Pastaj në fund-vitet 90-të shpërtheu lufta, meqë mjetet politike paqësore nuk u treguan efikase. “Kasapi i Ballkanit”, nuk ngopej vetëm me vrasje, e burgosje individësh, donte spastrim etnik, sikurse u dëshmua më vonë.

Katolikët, sikurse edhe muslimanët, bashkë me të tjerët të cilëve iu vritej liria, rrokën armët. Pra, megjithëse nuk e zgjodhën luftën, nuk iu shmangën asaj. Armiku i vetëm i tyre ishte: regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviqit. Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, të cilat kryen krime ndaj popullatës civile shqiptare.

Andaj, ne nuk e kuptojmë përse ky rreshtim? Kur ka dhjetëra familje të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre nga veprimet çnjerëzore të policëve, ushtarëve dhe paramilitarëve që i shërbyen regjimit të Millosheviçit. Lista e tyre është e gjatë. Siç është e gjatë lista e dëshmorëve katolikë që ranë për këtë vend.

Këto fragmente, qofshin edhe të paqëllimshme, janë të papranueshme dhe tendencioze. Këto tingëllojnë si fragmente të porositura…/ Zyra për informim e PSHDK-së/

Turp!

Lini një Përgjigje

Numër alarmant: 728 raste me COVID-19 dhe 12 viktima

Karantinohen 7 qytete të Kosovës nga sonte deri të hënën