in

Raporti i britanikëve/ “Kryezinjtë patriotë, mbajtën Enver Hoxhën me para në Paris”

Në çetën e Gani Kryeziut pjesë edhe Lazar Fundo

ERALD KAPRI

Lëvizja çlirimtare e Gani Kryeziut dhe vëllezërve të tij në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri ishte nga më të fuqishmet në veri të vendit, sa britanikët shprehën një admirim të rrallë dhe e mbështetën atë. Në krye të saj ishin vëllezërit Gani, Hasan dhe Said Kryeziu. Pas pushtimit italian, ata organizuan rezistencën antifashiste dhe më pas luftën e armatosur kundër pushtuesve gjermanë.

Gani Kryeziu, kreu i lëvizjes, me ndihmën e britanikëve Xhuliano Emeri dhe koordinatorit, Okli Hill, e nisi luftën kundër pushtuesit italian qysh në prill të vitit 1941, në bashkëpunim me Abaz Kupin, Mustafa Gjinishin, Muharrem Bajraktarin, Mehmet Ali Bajraktarit e tjerë, por më pas u detyrua të tërhiqet për shkak se Gjermania nisi pushtimin e Jugosllavisë. Vëllezërit Gani, Hasan dhe Said Kryeziu u arrestuan nga gjermanët dhe u burgosën në kampin e përqendrimit në Zemun.

Më pas, iu dorëzuan autoriteteve italiane, që i internuan në Ventotene të Italisë për afro dy vjet. Në dhjetor 1943, ata do të arratiseshin e do të ktheheshin në Gjakovë. Atje nisën organizimin për kryengritjen kundër r pushtuesve gjermanë, ranë në kontakt me britanikun Peter Kemp, më pas edhe me Hibbert, për një aksion të madh ushtarak në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut.

Betejat e Ganiut, me rreth 1500-2000 luftëtarë kundër gjermanëve, impresionuan britanikët. Ata më pas i caktuan një mision britanik pranë tij, me majorin Simkoks në krye, i cili dokumentoi beteja shumë të rëndësishme ndaj gjermanëve në Malësinë e Gjakovës e të Tropojës, siç ishin ato për marrjen e minierave të kromit, aq shumë të rëndësishme për gjermanët, luftimet në krahinën e Bytyçit etj. Por beteja më e madhe e lëvizjes Kryeziu, ishte ajo për çlirimin e Gjakovës, që u zhvillua nga data 10 deri më 16 shtator 1944.

Në këtë luftë mbetën të vrarë 170 luftëtarë nga çetat e Gani Kryeziut, të cilët ende sot janë të pavlerësuar. Por Lëvizja Kryeziu binte ndesh me interesat shoviniste jugosllave, por edhe me interesat pushtetore të E. Hoxhës, prandaj të dyja palët, në marrëveshje, i sulmuan ushtarakisht forcat e Gani Kryeziut, pikërisht kur ato po luftonin kundër gjermanëve: nga njëra anë mësyu Brigada e 7- të nacionalçlirimtare e Shqipërisë me në krye Manush Myftiun dhe Shefqet Peçin, dhe nga ana tjetër, forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, me në krye Pavle Jovanoviç dhe Fadil Hoxhën.

Gani Kryeziu nuk deshi të bënte luftë civile mes shqiptarësh dhe i shpërndau forcat. U arrestuan Gani Kryeziu, majori britanik Simkoks, këshilltari politik i kryezinjve Llazar Fundo, Said Kryeziu dhe krerë të tjerë të Lëvizjes. Më vonë, forcat e OZNA-s masakruan në Hereç 26 bashkëluftëtarë të Lëvizjes Kryeziu, mes tyre edhe Hasan Kryeziun. Majori britanik Simkoks punoi për disa muajt në shtabin e Kryezinjve dhe në dhjetor 1944 hartoi një raport të plotë për lëvizjen e tyre.

Ai raportoi për ministrinë e Luftës Britanike se Gani Kryeziu u sabotua nga misioni i mëparshëm britanik i oficerit të Hands, duke mos i dhënë ndihma e duke furnizuar vetëm lëvizjen komuniste të Kosmetit. Por Gani Kryeziu tregoi vlera të mëdha duke u kthyer në lëvizjen më të fortë në veri të Shqipërisë. Vlen të theksohet një detaj, që Said Kryeziu, pati jetuar në Francë si kundërshtar i Zogut dhe atje ka mbajtur me para edhe Enver Hoxhën. Diktatori Hoxha nuk pati mëshirë për kryezinjtë duke i konsideruar kundërshtarë politikë dhe armiq.

Ende pa mbaruar lufta, Enver Hoxha dha urdhër për likuidimin e kësaj lëvizjeje patriotike. Ai vrau mikun dhe bashkëpunëtorin e tyre, Llazar Fundo. Gani Kryeziu do të burgosej deri në vitin 1952 në burgun famëkeq të Sremsko-Mitrovicës, ku do humbiste jetën në mënyrë të dyshimtë. Komunistët do t’i vrisnin edhe 4 nipa të tjerë. I vetmi që mbijetoi, ishte Said Kryeziu, që falë këmbënguljes së britanikëve, u ekstradua në Itali e më pas shkoi në SHBA, si përfaqësues i Kosovës në Komitetin “Shqipëria e Lirë” themeluar nga Mid’hat Frashëri në vitin 1949.

DOKUMENTI I PLOTË

Dosja HS 5/134 Raport i Majorit A.C. Simkos Nëntor 1944 Lëvizja e pavarur në veri të Shqipërisë, si pjesë e luftës Gani Kryeziu dhe nacionalistët e tij Është e vështirë për t’u dhënë një emër ndjekësve të Gani Kryeziut. Ajo çka ndodhi me të, është shumë e rëndësishme.

Ai është një njeri shumë i arsimuar dhe është një patriot i vërtetë në veri të Shqipërisë e që ka luftuar gjermanët, me qëllimin e lirimit të vendit të tij dhe në të njëjtën kohë, ai ka kreditë të shumta për ta ftuar që të dëgjohet zëri i tij në Konferencën e Paqes. Për të diskutuar ndershmërisht për lëvizjen e tij, është dokumentuar veprimtaria dhe puna e vetë liderit, Gani Kryeziu.

Para pushtimit Italian të Shqipërisë, Gani Kryeziu ka pasur kontakte me serbët dhe është besuar se ka qenë pjesë e një konspiracioni për të rrëzuar Mbretin Zog, por po ashtu, edhe për të marrë kontrollin e Kosovës që mbahej nga serbët. Në lidhje me këtë çështje, tema bisedohej nga banorët, por që ata asnjëherë nuk kanë qenë në dijeni të plotë të ambicieve të Kryeziut.

Unë nuk di asnjë gjë konkrete nga ky episod i jetës së ti,j por duke e njohur Gani Kryeziun, siç e njoh tani, mund të them me bindje se ai kishte në zemër gjithë kohës interesat e shqiptarëve të Kosovës, i cili ishte njëri prej tyre që kishte vuajtur nën regjimin serb. Është e vështirë për të zbërthyer çdo gjë të këtij zotërie, ndonëse unë isha pranë tij si oficer i ndërlidhjes ushtarake.

Por, e bëj të qartë, për çfarë raportoj më sipër, është një deduksion i përfituar nga copëzat e vogla të informacionit që kam mbledhur. Detajet e luftimeve të Ganiut, besoj se tashmë janë të njohura si dhe madje të konfirmuara edhe nga Koloneli Oakley-Hill, por duhet të theksoj se Ganiu me të vëllain, me një forcë prej 4 mijë vetash, i rezistuan italianëve në kohën kur britanikët po përgatiteshin për një sulm gjerman mbi ishujt britanikë.

Kjo brumosi bindjen te Ganiu, i cili edhe pse pa kombe të tëra që u dorëzuan, Britania do të triumfonte në luftë, edhe pse e vetme. Ai po ashtu, kishte besim se qeveria britanike do të ndërhynte për të ndihmuar Shqipërinë siç ka bërë me kombe të tjera të vogla, pasi luftimet të përfundonin. Ai dinte shumë pak në lidhje me politikën e jashtme britanike, e cila do të sakrifikohej për hir të vrasjes së ca gjermanëve më shumë.

vijon 

1689 vjet pas Krishtit

Zemra mal për “K’cimin e Tropojës”