in

Rama me premtim për Vuçiqin!

Sherif Ramabaja

Në mes të valës së protestave të fuqishme në Serbi, të cilat po i gjykon edhe Grenell, ne dytë e arritëm edhe një sukses të përbashkët: organizimin e kampionatit në futboll për të rinj më 2027, që do të mbahet në Serbi dhe Shqipëri.

Ne kishim shumë ambicie dhe plane të përbashkëta. Luftuam t´i tejkalonim barrierat. U munduam t´i shembim muret mes popujve tanë. E dinim se nuk do ta kemi lehtë.

 Së bashku e kujtonim kohën e viteve të 45, kur në Shqipëri nga ju i pranuam dy figura të shquara, si ndihmë në organizimin dhe çlirimin e Shqipërisë. Edhe atëherë ballafaqoheshim me të njëjtat pengesa dhe vështirësi, po udhëheqësit tanë me vetëdije, guxim e mençuri, i tejkaluan barrierat dhe u vëllazëruan së bashku.

Sot e di se ndodheni në vështirësi të mëdha. Studentët janë ngritur kundër juve, dhe assesi  të qetësohen. Unë edhe në këto momente të vështira, jam pran jush. I bashkohem kërkesës së zotit Grenell që protestuesit të protestojnë paqësisht dhe t´i shmangen dhunës.

 EU si në shumicën e rasteve fatkeqësisht ka tjera vlerësime. Ata po organizohen që ta hetojnë dhunën ndaj protestuesve. Ne kemi dëgjuar që shoferë me veturat e tyre, janë përplasur mbi protestuesit. Ka pasur burgosje dhe ndërhyrje të dhunshme ndaj protestuesve, po unë jam i bindur që të tillët, në asnjë moment nuk kanë qenë të nxitur nga ju. Unë e njoh shpirtin tuaj paqësor. Gjestet e tilla janë bërë vetëm t’ju njollosin personalisht ju, sepse ju në asnjë moment nuk kishit plane që t´i frikësoni, t´i burgosni, t´i lëndoni dhe të organizoni ndjekje ndaj studentëve, nxënësve dhe profesorëve të tyre.

Unë mendoja se ju pasi ua plotësuat studentëve kërkesat, protestat do të merrnin fund, po si duket ato po i organizon opozita dhe shërbimet e jashtme me të vetmin qëllim, që t’ju rrëzojnë nga pushteti. Sikurse Grenell që po angazhohet t’ju mbaj në pushtet, i një mendimi të njëjtë jam edhe unë.

Në këtë rast do ju kisha lutur që mos të dorëzoheni, prapa kërkesave aspak të arsyeshme të protestuesve. Ju keni luftuar deri në fund për një Serbi demokratike. Nuk u jeni përkulur presioneve për sanksione ndaj Rusisë. Gjithherë keni treguar gatishmërinë për bisedime me Kosovën, pa marr parasysh sjelljen e Kurtit.

 Gjithnjë keni kërkuar trajtim të barabartë të Serbisë në lidhje me Kosovën, për çka u jam mirënjohës për zemërgjerësinë e juaj.

Ne kishim bindje të njëjtë, sa u përket problemeve rajonale. Për qëndrimet e mia parimore, shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Lugina, Mali i Zi dhe diaspora nuk më përkrahin vetëm pse ua them realitetin në sy. Për fat të mirë partinë time, PS e kam pas vetes. Mendoj PD të Kosovës gjithashtu dhe disa grupime të vogla që në Kosovë i quajnë enveristët, po aq më bënë mua.

Përkundër ballafaqimit me vështirësitë dhe përpjekje për t’iu rrëzuar nga pushteti, me siguri jeni në dijeni se po ashtu edhe në Shqipëri, qe një kohë, opozita po organizon protesta kundër meje.

Protestat ndaj meje për fat të keq dallojnë nga ato ndaj jush në Serbi. Këtu janë të dhunshme. Deri më tash i kam përballuar dhe po punoi që t´i ndëshkoi me votën e lirë edhe pse më akuzojnë për manipulim, vjedhje dhe blerje të votës. Opozita këtu është e shpartalluar. Po shpresojnë se me non grata mund t´i fitojnë zgjedhjet.

 Kjo më bënë të fuqishëm ndaj tyre. Ka përpjekje që protestat në Serbi, t´i lidhin me ato në Shqipëri. Duke i ditur marrëdhëniet tona miqësore, mendojnë se po të rrëzuan ty, do më rrëzojnë edhe mua.

 Këto do t´i quaja teori konspirative. Janë procese zinxhir të cilat ndikohen nga njëra – tjetra, si në botën arabe, mendojnë kundërshtarët tanë.     

Të kisha lutur, me durim, me zgjuarsi dhe në bashkëpunim me aleatët tanë, të mundohemi që t´i përballojmë këto sfida së bashku.

Mars – Rover (Satirë   )

Serbisë po i del tymi!

Pentagoni thotë se dhjetë emigrantë të rrezikshëm dërgohen në Guantanamo