Një ndryshim strategjik me rëndësi historike dhe një tregues i frymës evropiane – kështu e përshkroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, marrëveshjen me Serbinë për blerjen e avionëve luftarakë francezë.
Me marrëveshjen me Francën për blerjen e 12 avionëve “Rafale”, Serbia, për herë të parë, do të ketë avionë perëndimorë për aviacionin e saj ushtarak.
Për ish-ministrin serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, ky është një sinjal se ky vend dëshiron të standardizohet me NATO-n sa i përket aviacionit ushtarak.
“Kjo është një pikë kthese për aviacionin tonë, si dhe një pikë kthese politike. Është, padyshim, mirë politikisht e edhe më mirë ushtarakisht”, thotë Shutanovac.
Kur Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi në muajin prill për negociatat me Francën për blerjen e avionëve “Rafale”, ajo tha se kjo nuk nënkupton ndryshim të orientimit ushtarak të vendit.
Shutanovac thotë se që nga fundi i viteve 1950 – kur në kohën e Josip Broz Titos, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan një numër të caktuar avionësh luftarakë amerikanë – ish-Jugosllavia dhe më vonë Serbia zgjodhën kryesisht armë nga Lindja.
“Nuk ishte vetëm çështja e mbrojtjes së vendit, por, në njëfarë mënyre, edhe një sinjal politik, në të cilin gjendej praktikisht Jugosllavia në atë kohë, e më vonë edhe Serbia”, thotë Shutanovac për Radion Evropa e Lirë.
Viteve të fundit, Serbia u përball vazhdimisht me kritika nga Brukseli dhe Uashingtoni, për shkak të blerjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia dhe Kina.
Sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes, ky vend, viteve të fundit, siguroi avionë modernë, sisteme raketore dhe elektronike, radarë dhe mjete luftarake nga vende të ndryshme, si: Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe Franca.
Shutanovac, i cili është udhëheqës i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike në Beograd, beson se blerja e avionëve “Rafale” nuk është e diskutueshme, sepse Serbia “do të mbetej së shpejti pa aviacion luftarak, nëse blerja e avionëve të rinj nuk do të fillonte në kohën e duhur”.
Për të, vendimi për blerjen e këtyre avionëve është sa politik, aq edhe mbrojtës shkruan REL.
“Politik, sepse Franca, kohët e fundit, ka treguar një mirëkuptim shumë më të madh për Serbinë dhe interesat e saj. Nga ana tjetër, ata avionë janë të tillë që do të garantojnë sigurinë e qiellit mbi Serbi, në dekadat e ardhshme”, thotë Shutanovac.
“Nëse Serbia nuk do të kishte avionë të tillë në perspektivë, do të ekzistonte mundësia që qiejt tanë të mbroheshin nga dikush tjetër”, shton ai. Sipas prodhuesit, avionët “Rafale” mund të kryejnë sulme ajër-tokë, si dhe sulme ajër-ajër dhe përgjime gjatë të njëjtit fluturim. Në ueb-faqen e prodhuesit thuhet, gjithashtu, se avionët “Rafale” mund të fluturojnë pa u vënë re në hapësirën ajrore të armikut.
Nga kompanitë franceze, “Airbus Serbia” bleu helikopterë me vlerë 105 milionë euro, dy avionë transportues C-295 me një çmim prej 66 milionë eurosh, plus 15 milionë euro për pajisje dhe trajnim të pilotëve, si dhe 18 sisteme kundërajrore “Mistral” me 50 raketa.