Disa minuta para mesnatës, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, nëse serbët lokalë në veri të Kosovës largojnë më 1 gusht barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 31 korrik, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera rrugët në veri, si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të datës 29 qershor.
Këto vendime parashohin lëshimin e dokumentit të posaçëm për hyrje/dalje në Kosovë për ata persona që posedojnë dokumente serbe.
Këtë praktikë është duke e zbatuar Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës me vite të tëra.
Vendimi i dytë ka të bëjë për targat me akronime të qyteteve të Kosovës, të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë.
Këto targa, Kosova i konsideron ilegale dhe deri më tani janë parë vetëm në veri të vendit.
Më 2011, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për lëvizje të lirë, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës ua mundëson pronarëve të automjeteve me targa që lëshojnë autoritetet serbe, t’i riregjistrojnë makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – brenda një periudhe të caktuar.
Mbyllja e dy pikave kufitare
Për shkak të barrikadave të vendosura në veri, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur dy pikëkalimet në veri – Jarinjë dhe Bërnjak.
Policia e Kosovës ka thënë se ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe disa prej tyre kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por nuk ka të plagosur.
Zbatimi i vendimit për hyrje/daljet
Në orët e para të 1 gushtit, në pikëkalimet tjera me Serbinë, ka nisur zbatimi i vendimit për lëshimin e dokumentit për hyrje/daljet në Kosovë.
Kosova dhe Serbia kanë gjashtë pika kufitare: Bërnjakun, Jarinjën, Merdaren, Mutivodën, Dheun e Bardhë dhe Muçibabën.