Nesër pritet të miratohet në mbledhjen e Qeverisë projektbuxheti për vitin 2021. Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më pak se buxheti i sivjetmë.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë për KosovaPress, se pret që nesër të miratohet projektbuxheti në qeveri, për të proceduar pastaj për miratim në Kuvend.
“Ne presim që nesër të miratohet projektbuxheti në Qeveri, pastaj ashtu siç kërkohet me ligj të bartur në Kuvend dhe ka afat që deri në fund të vitit të miratohet. Kështu që ne jemi gati me procesin buxhetor, përkundër që ka qenë një proces shumë sfidues, këtë vit për shkak të situatës së re të shkurtohen kufijtë buxhetorë në krahasim me projeksionet që kanë qenë më herët. Krahas kësaj, është dashur të sigurohet edhe një fond shtesë mbështetës edhe për vitin e ardhshëm lidhur me pakon për rimëkëmbje, edhe një pjesë të fondeve për shëndetësi”, tha Krasniqi.