in

Qeveria e Kosovës: Irani të ndalojë veprimet që cenojnë stabilitetin rajonal

Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të tregojnë përmbajtje me qëllim shmangien e një përkeqësimi të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon.

Në një deklaratë nga zyra për informim e Kryeministrit, thuhet  se situata e fundit, veçanërisht me përshpejtimin e pasurimit të uraniumit nga Irani, përbën një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal. 

“Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe t’i përmbahet detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare me IAEA,” thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës thekson se beson fuqishëm se zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe për të parandaluar pasoja më të gjera rajonale e globale.

“Është thelbësore që jeta e civilëve të mbrohet në çdo rrethanë”

Qeveria u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos atyre që ndodhen në rajonin e Lindjes së Mesme, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe të autoriteteve vendore ku ndodhen.

Në një botë që ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet dhe paqe,  Qeveria thotë se përshkallëzimi i dhunës mund të shkaktojë jo vetëm tragjedi njerëzore për palët e përfshira, por edhe paqëndrueshmëri të sigurisë dhe financiare globale.

Tutje në deklaratë thuhet se Kosova rithekson përkushtimin e saj ndaj paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe vlerave demokratike, duke theksuar nevojën për maturi dhe bashkëpunim global në përballje me kërcënimet e përbashkëta.

Izraeli dhe Irani kryen sulme ndaj njëri-tjetrit gjatë gjithë natës