in

Qerim Bej Mahmutbegolli ishte figurë e ndritshme e kombit

Shkruan av.Zanfir Kryeziu

 

Hartuesit e monografisë së Pejës, të shpallur me vendim të ansambles komunale nderi i Pejës, përndryshe doajen të historiografisë shqiptare Prof.dr.Jahja Drançolli, prof.dr.Gazmend Rizaj, prof.dr.Muhamet Mala dhe vogëlsia e ime av.Zanfir Kryeziu si nip i Riza bej Gjakovës poashtu firmëtarit të pavarësisë së Shqipërisë, me dt.29.03.2024 i janë drejtuar zyrtarisht kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri me propozim/iniciativ për emërtimin e një sheshi/rruge në Pejë me emërin e firmëtarit të pavarësisë – “Qerim bej Mahmutbegolli”

Në arsyetimin e propozim/iniciativës propozuesit theksojnë se Qerim Bej Mahmutbegolli, ishte njëri nga nënshkruesit (firmëtarët) e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me 1912 në Vlorë nga delegatët pejanë.Ai lindi në Pejë në vitin 1874 në një familje të shquar dhe me tradita atdhetare.I ati i tij ishte Asllan Bej Mahmutbegolli,kurse gjyshi i tij ishte Halil Pashë Mahmutbegolli, oficer i forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, si dhe bashkëveprimtar i Haxhi Zekës në Kuvendin      e Pejës “Besa Besë”. Gjithashtu edhe e ëma e tij vinte nga dera e shquar e Derallajëve të Tetovës.

Qerim Beu shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Shkupit, ndërkaq studimet i vazhdoi në Vjenë të Austrisë të cilat nuk i përfundoi për shkaqe të përfshirjes së tij të vazhdueshme me armë në dorë në mbrojtje të atdheut. Ishte pjesëmarrës aktiv i kryengritjeve antiosmane në Kosovë gjatë viteve 90 të shekullit XIX. Në vitet 1898-1899 e gjejmë në mesin e veprimtarëve të Lidhjes Shqiptare “Besa Besë” të Pejës, ku u shquan edhe pjesëtarë tjerë të oxhakut të Mahmutbegollajve, si Halil Pashë Mahmutbegolli, Zenel bej Mahmutbegolli etj. Haxhi Zeka e ngarkoi me detyrën e ndihmësit të Mehmet Pashë Derallës në organizimin e veprimtarisë së kësaj Besëlidhje në Tetovë, Gostivar dhe Manastir.Në vitin 1902, ishte në përbërje të Komisioneve të Kosovës që protestuan kundër vrasësve të atdhetarit Mulla Haxhi Zeka. Në botimin e Historisë së Popullit Shqiptar II, nënvizohet gjithashtu pjesëmarrja aktive e Qerim Bej Mahmutbegollit në valën kryengritëse të viteve 1908-1912, duke u shquar në Kuvendin e Ferizajt, si dhe në luftimet e Mitrovicës, Ferizajt dhe Grykës së Kaçanikut. Qerim Beu iu kishte përgjigjur menjëherë thirrjes së Isa Boletinit dhe Riza Bej Gjakovës për mobilizimin e luftëtarëve të Pejës dhe Gjakovës në kryengritjen antiosmane. Ishte pjesëmarrës i njësive vullnetare të udhëhequra nga kushëriri i tij Hasim Bej Mahmutbegolli në luftimet për mbrojtjen e Pejës më 1912 kundër forcave pushtuese malazeze.Ishte po ashtu pjesëmarrës i Konferencës së Triestes në prill të vitit 1913, drejtuar nga Dervish Hima dhe Faik Konica,konferencë kjo e cila për herë të parë mblodhi përfaqësues eminent nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, por edhe diplomatë të shquar italianë, austriakë dhe gjermanë. Rezoluta që doli nga Konferenca e Triestes, i drejtohej Fuqive të Mëdha të cilat aktualisht po vendosnin mbi fatin e kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.Duke iu referuar njoftimeve që japin dokumentet diplomatike të proveniencës austro-hungareze, Qerim Bej Mahmutbegolli e vazhdoi veprimtarinë atdhetare edhe gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918. Në qershor të vitit 1914 ishte ndër anëtarët e delegacionit të Kosovës që u takua me Princ Vidin në Durrës. Gjatë viteve 1914-1915 mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në Shijak dhe Rashbull kundër kryengritësve të Haxhi Qamilit dhe mercenarëve të Esat Pashë Toptanit.

Gjatë periudhës ndërmjet Dy Luftërave Botërore, trojet shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë politike vazhduan sërish nën sundimin e huaj, tani në kuadër të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, përkatësisht Mbretërisë Jugosllave.Edhe gjatë atyre viteve Qerim Beu dha kontributin e tij, veçanërisht në Komitetin ”Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” si anëtar i kryesisë së këtij Komiteti, e për një kohë edhe zëvendëskryetar i tij. Gjatë asaj kohe pati bashkëpunim të ngushtë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Idriz Seferin dhe me gjeneral Mehmet Pashë Derrallën. Qerim Beu ndiqej këmba-këmbës nga regjimi i shtetit të atëhershëm jugosllav, duke e akuzuar dhe dënuar në mungesë për veprimtari armiqësore në “radhët e kaçakëve”. Bazuar në Ligjin Penal të Mbretërisë Jugosllave ishte shpallur jashtë ligjit dhe se kushdo që do ta vriste apo do ta sillte të gjallë para organeve të shtetit, do të merrte shpërblimin prej 500 dinarësh.

Qerim Bej Mahmutbegolli me vëllezërit e tij Xhevatin, Rifatin dhe Kahremanin gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore ishin bashkëveprimtarë të Mid’hat Bej Frashërit i cili në letrën dërguar Qerim Beut më datë 22 dhjetor 1943 kërkonte formimin e Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar për Kosovë, ashtu që të punohet rregullisht dhe me disiplinë.

Qerim Beu ishte poashtu njëri nga bashkëthemeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (shtator, 1943),që pak më vonë do të llogaritet si “arsye” që regjimi komunist i Enver Hoxhës ta ekstradonte për në Jugosllavi (1945).

Në përfundim të luftës, kur reprezaljet e formacioneve çetnike dhe partizane serbo-malazeze mbi popullatën civile shqiptare kishin marre hov anekënd Kosovës, atdhetari Qerim Bej Mahmutbegolli kishte ngre lartë zërin në mbrojtje të të drejtave të popullit të Kosovës duke protestuar kundër dhunës shoviniste mbi shqiptarët.

Qerim beu, i dorëzuar nga pushteti enverist zyrtarëve të OZN-ës, u likuidua nga bandat çetnike-partizane jugosllave në rrugën prej Podgoricës për në Pejë. Atëherë ishte në moshë të shtyrë, me brengë të vazhdueshme për fatin e Kosovës, vëllezërve të tij dhe birit të vetëm të tij,Skenderit. Qerim Mahmutbegolli qysh në rininë e tij të hershme u ngrit në mbrojtje të atdheut, i prirë nga ideale të larta në kohën më të vështirë. Ai sakrifikoi gjithçka që kishte në betejën e madhe të popullit shqiptar kundër armiqve të të gjitha ngjyrave. Ai i përkiste një shtrese shoqërore që gëzonte të gjitha privilegjet e kohës, por ideali i tij i lartë e vuri në radhët e para të atdhetarëve të gatshëm për flijim. Ndonëse ishte i vetëdijshëm për konsekuencat, ai nuk rreshti së luftuari deri në sakrificën më sublime që një njeri mund të japë për atdheun. Armiqtë e Qerim Bej Mahmutbegollit dinin të spekulonin kinse ideal i tij ishin çifligjet (pasuria), por ai nuk hezitoi ta kundërshtonte administratën osmane madje edhe me çmimin e humbjes së privilegjeve që i gëzonte oxhaku i tij prej shumë shekujsh, vetëm e vetëm për një Shqipëri etnike, të lirë dhe demokratike. Këtë e dëshmoi më në fund me flijimin personal dhe të familjarëve të tij duke e pësuar me vrasje, burgosje dhe persekutim.

Historiografia moniste e periudhës socialiste e përfshirë nga ideologjia e luftës së klasave kishte mohuar, neglizhuar, gjykuar dhe denigruar personalitetet e shquara kombëtare të oxhaqeve të mëdha shqiptare të Kosovës, siç ishin Mahmutbegollajt, Kryezinjtë, Gjinollët dhe Rrotllajt. Me paragjykime të tilla ideologjike e politike dhe me pikëpamje të shtrembëruara të historiografisë marksiste të kohës ishte bërë një padrejtësi ndaj trajtimit të drejtë shkencor dhe objektiv të këtyre familjeve, më ketë edhe të vetë historisë shqiptare. Aso kohe në Shqipëri qasja objektive shkencore e këtyre temave pengohej dhe luftohej në mënyrë sistematike, në raste të caktuara edhe me burgosje apo internime të intelektualëve. Ndërkaq në viset e okupuara shqiptare në kuadër të Federatës Jugosllave, si në Kosovë e gjetiu, lartësohej ideja e patriotizmit jugosllav duke i anashkaluar, deformuar dhe falsifikuar temat kombëtare. Në ato rrethana politike trajtimi historiografik i veprimtarisë së personaliteteve të dalluara nga familjet aristokrate shqiptare u interpretuan në mënyrë dashakeqe ku paraprakisht personalitetet visheshin me epitete denigruese, si bie fjala, kullak, e pastaj interpretohej në mënyrë denigruese historia e tyre duke nxitur urrejtjen e masave mbi ta. Shikuar nga këndvështrimi historik, familjet e mëdha aristokrate shqiptare të periudhës së sundimit osman ishin bartës të të gjitha proceseve politike, shoqërore dhe ekonomike, sepse autoriteti politik dhe ekonomik i këtyre familjeve ishte i padiskutueshëm në masat popullore. Mbi supet e këtyre oxhaqeve binte shpeshherë edhe barra mbështetjes materiale të kryengritjeve të shpeshta shqiptare, prandaj këto oxhaqe ishin pjesë e pandarë e rrugëtimit historik e patriotik të popullit shqiptar. Historiografia shqiptare përmes shumë veprave të botuara nga studiuesit shqiptarë e të huaj dëshmon se në trojet shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe tutje deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, asnjë ngjarje e rëndësishme kombëtare nuk ka ndodhur pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të pjesëtarëve të oxhaqeve të mëdha shqiptare të Kosovës. Me këtë rast, mbase është vendi që të theksohet edhe një fakt përkitazi me familjen, përkatësisht oxhakun e Mahmutbegollajve të Pejës. Për dallim nga oxhaqet tjera të pashallarëve shqiptarë, gjatë tërë kohës së sundimit osman, në familjet e oxhakut të Mahmutbegollajve flitej vetëm gjuha shqipe, ndonëse e zotëronin edhe osmanishten. Këtë e provojnë faktet historike.                                                                 

Ish-presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2012 e dekoroi Qerim Bej Mahmutbegollin për kontributin e tij të lartë për lirinë e Kosovës me “Urdhrin e Lirisë”.

Propozim/inicuesit, shpresojmë që Kuvendi Komunal i Pejës do ta mbështes këtë iniciativë, duke qenë se emri dhe figura e Qerim Bej Mahmutbegollit i bën nderë jo vetëm qytetit të tij të lindjes, por mbarë kombit shqiptar.

         

Lini një Përgjigje

Retë e pluhurit të Saharasë godasin Evropën

Vëllazëria hermetike e Egjiptit