in

Qerim Begolli me Rrok e Luigj Berishën u angazhuan në një luftë për vdekje me xhonturqit

Qerim Begolli me të birin

Shkruan av. Zanfir Kryeziu

Në kujtimet e Sejfi Vllamasit, kur flitet mbi Klubin e Shkupit, veprimtarinë e “Komitetit të Kosovës” dhe për veprime tjera patriotike të personaliteteve aktive në politikën shqiptare, patjetër Qerim Beg Mahmudbegolli zë një vend të spikatur në mesin e atyre që u flijuan për çështjen shqiptare. T`ia lamë fjalën vetë Sejfi Vllamasit thotë autori:

“ Klubi i Shkupit… me patriotë të rinj me plot entuziazëm, si: Rrok e Luigj Berisha, Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Halim Gostivarri, Qerim Begolli, Salih Gjuka, e të tjerë, janë angazhuar në një luftë për vdekje me xhonturqit deri në shpërthimin e kryengritjeve të armatosura”.

Më tej Vllamasi, duke bërë fjalë për afrimin e italianëve në afërsi të Shkodrës, me qëllim të pushtimit të këtij qyteti, shkruan edhe për Qerim Begollin ku thotë: Italianët kishin mbërritur deri në Bahçellëk, por nga frika e austriakëve nuk guxonin të hynin në Shkodër. Bataloni gjurmues“Chasseur alpin”, francez, u dërgua nga komanda franceze me urgjencë nga Kosova. Shtigjet i kaloi nën udhëheqjen e patriotëve kosovarë, Hysni Curri, Qerim Begolli, Bedri Peja etj., të cilët ishin larguar nga Kosova me rastin e riokupimit të kësaj nga ushtria serbe”.Për veprimtarinë e “Komitetit të Kosovës” dhe veprimtarinë e Qerim Begollit, Vllamasi shkruan:

“Komiteti i Kosovës nën kryesinë e Hoxha Kadriut ka qenë i përbërë prej Bedri Pejës, Salih Nivicës, Bajram Fevziut dhe prej meje. Bedri Peja njëkohësisht kryente detyrën e sekretarit dhe Salih Nivica ishte drejtor i gazetës “Populli”, organ i Komitetit. Këshilltarët, që në rastet e nevojshme merrnin pjesë në bisedimet, ishin Hamit Gjylbegu, Riza Dani, Hysni Curri (nip i Bajram Currit) dhe Qerim Begolli

“Komiteti i Kosovës” mori pjesë aktive në Kongresin e Durrësit me një delegacion nën kryesinë e Hoxha Kadriut e me anëtarë Riza Danin e Qerim Begollin.

 Vllamasi mbi orientimin politik të Komitetit të Kosovës shkruan:“Kosovarët-përveç rinisë intelektuale,si:Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi, Halim Gostivarri, Bedri Peja,  Ibrahim Jakova e Osman Tetova, luftëtarët e Rilindjes Kombëtare, paria kosovare: Bajram Curri, Qerim Begolli, Xhemal Prishtina, Hasan Prishtina dhe prapa këtyre gjithë masa emigrante kosovare, kishin bindje se duke iu mbështetur politikës italiane do të çlirohej Kosova e robëruar nga Jugosllavia: Kjo shpresë ata i bashkoi me italofilët dhe, në atë kohë jashtëzakonisht të vështirë, i shtuan radhët e kundërshtarëve tanë”.Qerim Begolli ndiqej këmba/këmbës nga pushtetarët e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene respektivisht  Mbretëria Jugosllave.Në një dokument që posedon autori dëshmohet se Qerim Begolli përgjigjej si fajtor për veprimtari të tij armiqësore në “radhët e kaçakëve” në bazë të nenit 243 lidhur me nenin 244 të Ligjit Penal dhe se është i evidentuar në regjistrin e  të arratisurve-kaçakëve nën numrin rendor 73 si kaçak i deklaruar, andaj si i till është jashtë ligjit dhe se kushdo që e vret ose e sjell të gjallë merr shpërblim prej 500 dinarësh.

Në dosjen “Çështja shqiptare” dhe “Komiteti i Kosovës”të kontraspiunazhit të gjeneral- shtabit të ushtrisë jugosllave, e cila mbahej me kujdes, thuhet:“Gjatë vitit 1930, gjenerali italian Pariani, përpiqej t`i organizonte në “Komitetin e Kosovës” ata nacionalistë shqip- tarë, të cilët punonin në bashkimin e Kosovës me Shqipëri, dhe të cilët përgatisnin dhe dërgonin kaçakë të armatosur në territor të Jugosllavisë[1]… Në këtë dosje ndodhet edhe emri i Qerim Begut…

 Qerim Beg Mahmudbegolli po ashtu ishte i deleguar në tubimin e Junikut, dhe në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë me 1912. Ishte nënkrytar i “Komitetit të Kosovës”, i cili u përpoq për bashkimin e territoreve shqiptare. Në fund të jetës së tij ishte edhe anëtar i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.  

Duhet theksuar se idealet e Qerim Beg Mahmudbegollit nuk ishin çifligjet. Ai këto i gëzonte pa asnjë pengesë në kohën e osmanëve, por, pa marrë parasysh çifligjet, ai u ngrit në luftë pa kompromis kundër mu këtyre privilegjeve të veta për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Këtë e provoi më në fund me jetën e vet.

  

Lini një Përgjigje

"KOSOVA" – DHURATË PËR TË RINJTË E KOMUNITETIT TË KISHËS KATOLIKE NË DETROIT

Liderët Non Grata e firmosën marrëveshjen !