in

Qazim Vula- Një sakrificë e mohuar

 

Shkruan: Avni Vula, djali i Qazim Vulës që mori pjesë në vrasjen e Miladin Popoviçit

 

Babai im deklaratën e ka dhënë para organeve të hetuesisë në Republikën e Shqipërisë pas ikjes nga burgu i Nishit. Pas kësaj ai vuajti 17 vite burg në Burel e Spaq për pjesëmarrje në vrasjen e Miladin Popoviçit.

 

   Më 13.03.2023 u bën 78 vite  nga dita kur patroti atdhetar nga Gjakova Haki Taha kreu atentatin kundër komunistit antishqiptarë Miladin Popoviçit në Prishtinë.

Për fat të keq, sakrifica dhe ideali patrotik e atdhetar i tij dhe i shokëve të tij patriot atdhetar  ka mbet edhe në ditët e sotme i parealizuar.

Deri më sot kjo vepër patriotike u mjegullua dhe mohua nga historianët shqiptarë mercenarë “të oborrit” me teori  të ndryshme, të  cilat ishin në shërbim të komunistëve të asaj kohe e me qëllim që kjo vepër patriotike të mos ishte frymëzim patriotik për naconalistët e atdhetarët patriot që luftuan për idealin e lirisë së Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Dhe, me shpejtësi u përhap dezinformata e këtyre historianëve dhe shërbëtorëve shqiptarë të komunstëve se këtë vepër e kishin bërë sërbo-malazerzët …

Për fat të keq, edhe sot kemi disa pseudo historian, mohime dhe dilema lidhur me këtë atentat.

Me qëllim që ta përkujtojmë sakrificën heroike të Haki Tahës, në vijim  do të paraqes Deklaratën autentike të Qazim Vulës, bashkëpunëtorit të tij në përgaditjen e këtij atentatit, që e e ka dhënë në vitin 1948 para organeve të hetuesisë së Republikës së Shqipërisë.

“ ….

Në Gjakovë punova një kohë si elektricist privat dhe pastaj shita shtëpitë për të blerë ndonjë kapital dhe bleva një makinë “ranxhadash” dhe e instalova në Prishtinë pasi u largova nga Gjakova.

Në Kosovë në vitin 1944 është krijuar organizata iredentiste që do të quhej “Çlirimi i Kosovës”. Aty në muajin Korrik – Gusht, tre muaj para çlirimit të Jugosllavisë më ka ardh në Prishtinë Haki Taha që atëherë ishte arsimtar në Kosovë (sot i vrarë) dhe më ka thënë: “Jemi disa njerëz që kemi një organizatë e cila kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në rast se Kosova do të tradhtohet nga serbo-malazezët që të jemi me Shqipërinë, të kemi të drejtat tona në gjuhë, në administratë etj.”  Kjo gjë thoshte Hakiu do të bëhet kur të vjen një fuqi LNÇ e Jugosllavisë mbasi shifej dhe parashikohej për të ardhmen një gjë e këtillë.

Dhe unë pranova një gjë të këtillë dhe i  thashë se jam gati ta ndihmoj.

Hakiu më tha se si kryetar i kësaj organizate ishte Sylejman Riza, që ish avokat në Prizren dhe sot, me sa e di, është në burg në Prishtinë, pasi ka qenë i arrestuar në Tiranë dhe prej andej është sjellë në burg në Prishtinë.

Si njerëz – autorë të tjerë të kësaj organizate më tha se janë: Halim Spahija në Prizren (i vrarë), Mustafa Beu Hasi në Gjakovë, Qamil Ahmet Efendija në Gjakovë, Fehmiu në Prizren (turk), Enver Saudi në Prishtinë, Tahir Deda dhe Hilmi Dula në Gjakovë.

Mbasi pranova të isha antar i kësaj organizate, Hakiu iku për Gjakovë dhe nuk më la asnjë lidhje.

Pas çlirimit të Jugosllavisë, në muajin Dhjetor 1944 dhe Janar 1945 jemi takuar me Halim Spahinë në Prishtinë dhe kemi rënë në bisedë rreth çështjes së Jugosllavisë. Halimi ka folë se Miladini ishte kundër kosovarëve dhe se nuk ka me pas Shqipni në Kosovë etj. 

Me 11 Mars të vitit 1945 vjen Haki Taha në Prishtinë dhe takohet me mua, i cili më tha pasi shkuan në shtëpinë time se, ai Hakiu, është ngarkuar nga organizata që të vras Miladin Popoviqin dhe do ta vras pasi është i rrezikshëm për ne Kosovarët.

Këtë vendim të organizatës e quajta edhe unë të drejtë.

Plani që kishte bërë Hakiu për vrasjen e Miladin Popoviqit ishte: Hakiu do të shkonte në zyre dhe do t’i jepte një letër, se gjoja kjo letër i vinte nga ndonjë shok… dhe se gjatë leximit të letrës të kryente atentatin. Me vete kishte edhe një flamur shqiptar të shkruajtur me shkronja ari “Kosova liri, bashkim me Shqipëri” e që ishte parolla e organizatës.

Mbasi ndenji dy netë në shtëpinë time u nis për atentat me 13 Mars 1945. Para ditës kemi dalë bashkë nga shtëpia. Ky shkoj për ta vrarë Miladinin…

Në shtëpinë time Hakiu ka pas lënë një çantë që kishte me veti, një peshkir, një kuti duhani, një qeleshe… Atentatin e ka kryer Hakiu me anën e një revolver beretë që e kishte me vete. Bile edhe kemi bërë prova të armës se a do të ndizte ashtu që ia kemi hjekë barutin disa fishekëve për të pare nëse arma do të shkrepë. Kështu u siguruam se revolver është në rregull.

Pas atentatit Hakiu ka ikë dhe është strehuar në Shtëpinë e Ragip Xh… ku ka qëndruar dy ditë……. dhe kur është rrethuar, për të mos e kapur, e ka vrarë veten…

Kjo pra është anatomia e vërtetë e  një vepre patriotike atdhetare e deklaruar nga pjesëmarrësi dhe bashkorganizatori i këtij atentati.

Dhe, kjo deklaratë e Qazim Vulës është plotësisht identike me deklaratën e nënës time (bashkëshortes së Qazim Vulës) të cilën e kam ndëgjuar qindra herë sa ishte në jetë.

 

Atë natë, thoshte ajo, erdhi babai yt me një shok në shtëpi dhe më tha: “mere djalin dhe shko me bujtë në opçinë” dhe ne shkuam te daja. 

Pas dy ditëve ndodhi hataja në Prishtinë dhe unë u ktheva në shtëpi në Prishtinë. Aty gjeta nonën (gjyshën time) e cila ishte tepër e shqetësuar dhe mezi më tha: “E morën Qazimin …”.

Pastaj e kuptova se burri që kishte qenë atë natë në shtëpinë tone me babën tënd kishte qenë Haki Taha dhe se personi që e kishte vrarë ishte Miladin Popoviqi. 

E disa ditë pas kësaj është bërë bastisja e shtëpisë tone ku janë gjet gëzhojat dhe disa materiale lidhur me përgatitjet që ishin bërë në shtëpinë tone për këtë atentat.

Dhe, kështu edhe filluan ditët e zeza për familjen tone …

Kjo pra, dhe vetëm kjo është e vërteta lidhur me Atentatin të organizuar nga kjo organizatë atdhetare patriotike dhe e realizuar nga patrioti Haki Taha dhe bashkëpuntori i  tij gjakovar Qazim Vula.

Avni Vula, djali i Qazim Vulës që mori pjesë në vrasjen e Miladin Popoviçit

Lini një Përgjigje

Enver Hoxha u thotë jugosllavëve: Kryezinjtë të dënohen ashpër(2)

Vuçiqi ishte me dorë të paralizuar, prandaj nuk mundi ta firmoste marrëveshjen!