in

PZAP-i pranon 208 ankesa kundër rezultatit të zgjedhjeve

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) janë dërguar 208 ankesa kundër rezultatit përfundimtar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Partitë dhe kandidatët për deputetë kishin afat prej 24 orësh për t’iu drejtuar PZAP-së, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 4 mars.

“PZAP-i lidhur me këto apele do të vendosë brenda afatit ligjor prej 72 orëve”, thuhet në njoftimin e këtij paneli.

Ankesë në PZAP kanë dërguar edhe partitë e komuniteteve joserbe, duke kërkuar anulimin e votave që partitë boshnjake dhe rome kanë marrë nga votuesit serbë, duke argumentuar se Lista Serbe, ka ndihmuar dy parti që të fitojnë ulëse në kuvend, atë të komunitetit boshnjak “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Inciativa Rome” nga komuniteti rom.

Nëse kandidatët apo partitë nuk pajtohen me vendimin e PZAP-it, ata mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme.

Pas trajtimit të të gjitha ankesave në këto dy nivele, KQZ-ja më pas certifikon rezultatin dhe i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.

Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm në zgjedhje, duke siguruar 58 ulëse në kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar tetë deputetë.

Ndërkaq nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar dhjetë ulëse. Nga dy ulëse në Kuvendin e ri të Kosovës kanë fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Iniciativa Rome. Ndërkaq, nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Inciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim.

Lini një Përgjigje

22 vjet burgim dhe 3.500 euro gjobë për grabitjen në Shtime

Partitë pa qëndrim për zgjedhjen e presidentit