Një skandal i madh është zbuluar në mediet ndërkombëtare, e ku në mënyrë direkte përmendet edhe Shqipëria – më konkretisht, Partia Demokratike (PD) që udhëhiqej nga Lulëzim Basha.
Në lidhje me këtë skandal, ka folur edhe presidenti i ShBA-ve, Joe Biden që ka paralajmëruar të tjera zbulime të mëdha.
“Ne mendojmë se kjo është vetëm maja e Ajsbergut.” – ka thënë presidenti amerikan.
Raporti i inteligjencës amerikane tregon se janë financuar politikanë në njëzet e katër shtete të ndryshme në vlerë prej rreth 300 milionë eurosh nga Kremlini. Prej tyre, me 500 mijë euro raportohet të jetë financuar Partia Demokratike që drejtohej nga z. Lulzim Basha.
Deri tash, mungojnë reagimet nga ana e vetë z. Basha apo e kreut aktual të PD-së, Sali Berishës, të tjera figura nga kjo parti megjithatë janë shprehur.
Në një postim në Facebook, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka ka komentuar se “kur futesh në Pazar, blen dhe shet, po dhe të blejnë e të shesin…”
Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është treguar më mbrojtëse ndaj partisë në të cilën bën pjesë.
“Unë nuk kam dëgjuar akuza, kam dëgjuar të njëjtin riciklim të elementëve të vjetër të 2017-s dhe nuk dua fare të bëhem pjesë e kësaj baltës dhe luftës politike për të sulmuar një individ apo një individ tjetër. Besoj që drejtësia do flas për këtë, do flas për këtë drejtësia këtu dhe jashtë Shqipërisë.” – është shprehur ajo.
Në anën tjetër, ish deputeti Genc Pollo që është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së aktualisht, thotë se iu ka besuar shpjegimeve të Lulzim Bashës të bëra më 2017 (vitin kur raportohet të ketë ndodhur financimi rus) por kërkon transparencë të re për rastin tash.
“Sot kemi të bëjmë me pohime zyrtare amerikane se Basha mori financime në vitin 2017 nga një shtet atëherë jomiqësor dhe sot, me agresionin e përgjakshëm kundër Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar, një shtet armik,” – ka shkruar ai duke kërkuar llogari.
Për habi, Sali Berisha – kryetari i rizgjedhur i Partisë Demokratike – deri në momentin e këtij shkrimi nuk ka bërë asnjë deklaratë që do ta denonconte ish kryetarin Basha. Por, portali që financohet nga i biri tij, ka ripublikuar një deklaratë të tij ku thoshte se Basha “nuk udhëton dot në ShBA”.
Në fakt, drejt ShBA nuk udhëton dot as vetë Berisha i shpallur Non Grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Bazuar edhe në deklaratat e presidentit amerikan se kjo “është veç maja e ajsbergut”, atëherë mund të priten zbulime të parave tjera të fshehta ruse që kanë hyrë në politikën e Ballkanit Perëndimor, e ku mund të përfshihet potencialisht edhe Kosova.