Sherif Ramabaja
Pse të mos propozohej Vuçiqi, për çmimin Nobel? Edhe ai ndoshta mund ti takoi specie së njeriut. Me angazhimin e aparatit të tij shtetëror, me sukses deri më sot, po arrinë ta shmang luftën qytetare në Serbi. Në rajon u mundua me tërë fuqinë, që së bashku me Ramën, ta inkuadronin në jetë projektin mbi Ballkanin e Hapur, projekt i lëvizjes së lirë dhe tregtisë së lirë. Për angazhimin e tij ndaj paqes, Rusisë nuk i vuri sanksione, duke apeluar që konflikti të zgjidhet me bisedime, pa ndërhyrje nga jashtë.
Në planin ndërkombëtar po ashtu po angazhohet që me të gjithë të zhvilloi marrëdhënie bilaterale: me SHBA, me EU, me Rusinë, Kinën, Botën Arabe, Vendet e Painkuadruara, vendet afrikane, e sidomos edhe me ato që do të ishin të gatshme ta tërhiqnin njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Në planin e brendshëm dhe rajonal, po ashtu është shembull i vetëm e i pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes. Në Bosnje angazhohet, së bashku me Dodikun, për avancimin e komunitetit serb, nga republika, në Botën Serbe. Për këtë e ka përkrahjen edhe të Rusisë, Kinës, Bjellorusisë, popullit palestinez, botës arabe etj.
Kjo ishte vetëm një rezyme e shkurtë e angazhimit të tij mbi paqen, sepse me të gjitha forcat, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, i përkushtohet Kosovës.
Ai zgjohet nga gjumi me Kosovën, merret gjatë tërë ditës me Kosovën dhe bie në gjumë me emrin e Kosovës. Është i preokupuar për të gjithë në Kosovë, po sidomos për komunitetin serb dhe atë shqiptar.
Derisa vajton për serbët, që ta dëgjoi e tërë bota, shqiptarët po ta kish fuqinë do ti fshinte nga faqja e dheut. Ata janë shkaktarët e vetëm për vuajtjet e popullit serb. I kanë përzënë nga institucionet, ua kanë marr postet, po ua grabisin armatimet për vetëmbrojtje, po i shpërngulin me dhunë, po i burgosin dhe po i ndjekin me gjykata etj. Ishim gati me Thaçin e Ramën drejt një zgjidhje të përgjithshme, po erdhi Kurti dhe të gjitha na i hodhi në baltë.
Presion i paparë po bëhet ndaj Vuçiqit, për një zgjidhje politike, po me cilët ta bëjë këtë. Kurti nuk do kompromis. Ai i do të gjitha. As Grenelli, spo ia del dot me te. Vuçiqi edhe në forumet e fundit ndërkombëtare, foli për rrezikun e përgjithshëm. Të gjithë po përgatiten për luftë, tha. Të gjithë po armatosen, në mesin e tyre edhe Kosova. Të vetmit që angazhohemi për paqe janë Serbia dhe unë, deklaroi.
Shqiptarëve në Serbi ua kemi garantuar të gjitha të drejtat, filloi të lavdërohej. E kanë shkollimin e garantuar, të drejtën e lëvizjes, mediat në gjuhën e tyre, të drejtën e punësimit, të drejtën të migrojnë nëse nuk u pëlqen Serbia, të drejtën ta punojnë tokën, të drejtën ti vjelin prodhimet bujqësore të tyre, por mbi të gjitha do ta kisha veçuar të drejtën e tyre universale dhe shpirtërore fenë e tyre, myslimanizmin.
Kjo e drejtë e tyre universale dhe shpirtërore është kultivuar që nga krijimi i Serbisë, ka vazhduar nëpër shekuj dhe me krenari po e zbatoi edhe unë sot. EU dhe perëndimi duhet të na jenë mirënjohës dhe të na shpërblejnë për tolerancën dhe të drejtat të cilat i zbatojmë për komunitetin shqiptar në Serbi. Me kënaqësi njoftoi se nga ardhja e ime në pushtet i kam trefishuar numrin e xhamive në vendbanimet e shqiptarëve, por ndërtime kemi bërë edhe në Kosovë e Sanxhak dhe gjithashtu edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi. Me këtë dëshmojmë përkushtimin tonë për popullin shqiptar. Listën Serbe po ashtu ua kam instaluar në Kosovë, për një balancim të pushtetit. Gjithçka po shkon drejt çmimit Nobel. Vetëm pritet nominimi. Pse jo, edhe Vuçiqi është krijesë njerëzore.
Mars – Rover (Satirë)